Dy raste të dhunës në familje në rajonin e Gjilanit

Kronikë e zezë

Dy raste të dhunës në familje në rajonin e Gjilanit

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 15:56
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, nga policia e Kosovës, stacioni policor në Gjilan dhe stacioni policor në Viti, ka pranuar dy raste të ndara të dhunës në familje, ku janë të përfshirë dy të dyshuar, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre.

Në rastin e parë, i dyshuari me inicialet A.A nga Komuna e Vitisë, më 02.09.2018, në shtëpinë e përbashkët familjare, në Viti, me dashje ka ushtruar dhunë në familje, duke përdorur dhunë psikike dhe forcë fizike, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje verbale me bashkëshorten e tij – të dëmtuarën A.H, të njëjtën fillimisht e fyen, pastaj edhe e godet me grushte në kokë, në krahë dhe pjesë të ndryshme të trupit, derisa në mes tyre ndërhyn nëna dhe motra e të dëmtuarit, me ç‘rast viktima pëson lëndime të dukshme trupore, të cilat evidentohen edhe në raport mjekësor, të lëshuar nga Shtëpia e Shëndetit në Viti.

Në rastin e dytë, i dyshuari me inicialet M.J (1975), nga Gjilani, më 02.09.2018, në Gjilan, me qëllim të shkaktimit të dhimbjes, frikës, përuljes dhe shqetësimit të bashkëshortes së tij – të dëmtuarës F.J, ka shkaktuar dhunë në familje, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje verbale mes tyre, në një moment i dyshuari fillon të e fyejë të dëmtuarën, pastaj edhe e sulmon fizikisht, duke e goditur me grushte në kokë, fytyrë dhe pastaj e kap për flokë duke e tërheq zvarrë, e shtyen dhe e rrëzon në tokë.

Gjithashtu, i njëjti i dyshuar, më 03.09.2018, tek shtëpia e prindërve të të dëmtuarës, fillimisht e vë në lajthim të dëmtuarën, duke e larguar nga shtëpia dhe përmes telefonit e kanos seriozisht me fjalë, me ç’ rast e dëmtuara e raporton rastin në polici, mirëpo i dyshuari arrin para policisë në vendin e ngjarjes dhe përsëri të dëmtuarën dhe babain e saj vazhdon të i kanos me fjalët se ‘’do ti pres, do ti vras’’, derisa aty arrin policia dhe e arreston të dyshuarin.

Prokurorja e caktuar për rastet e dhunës në familje, më 04.09.2018, ka nxjerrë aktvendimet mbi fillimin e hetimeve dhe ka ushtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit në gjykatën kompetente në Gjilan, ndaj dy të dyshuarve.

Për të dyshuarin me inicialet A.A, për shkak të veprës penale: Lëndim i lehtë trupor, nga neni 188 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa për të dyshuarin me inicialet M.J, për shkak të veprave penale: Sulm, nga neni 187 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Kanosje, nga neni 185 paragrafi 3 të KPRK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat