Një grup studentësh dhe profesorësh çek në kuadër të një projekti studimi “Historia e shqetësimeve dhe qëndrusheshmërisë së strukturës në pyjet e virgjër natyror të ahut të Europës lindore dhe jug lindore”, për disa vende të europës si Çeki, Sllovaki, Bullgari, Bosnje dhe Shqipëri në bashkëpunim me specialistë të AdZM-së së rrethit Kukës, morën për studim dy zona të këtij qarku: Rezervati Strikt Natyror Lumi i Gashit dhe zona Luma e Plasë në Curraj të Epërm.
Në të dy vendet u morën për studim parcela provë prej 21 ha.
Gjatë punës konstatuan një pyll natyral të virgjër me drurë shumë të lartë deri në 48m dhe cilësi shumë të mirë. Prania e likenit Lobaria pulmonaria si një indikator natyror i cilësisë së pyllit të ahut përbën një tregues shumë të rëndësishëm.
Për studim do të shqyrtohen e analizohen një sërë elementësh që kanë të bëjnë me problematikat e pyjeve të ahut si kalbëzimi, sëmundjet, rrëzimi, faktorët ndikues gjatë rritjes e zhvillimit, si; substrati, kundrejtimi, temperaturat lagështia, ekspozimi ndaj dritës, erërave, etj.
Të gjithë këta elementë janë faktorë të rëndësishëm në mirëzhvillimin dhe evolucionin e pyllit. Ecuria e zhvillimit dhe evolucionit të pyllit do të vlerësohet në një vizitë tjetër studimore mbas 10 vitesh.