“Të kemi plagosur Gersin”, historia e dhimbshme e djalit nga Kukësi që përloti Arbanën dhe të gjithë në sallë

Kukësi

“Të kemi plagosur Gersin”, historia e dhimbshme e djalit nga Kukësi që përloti Arbanën dhe të gjithë në sallë

Më: 29 tetor 2016 Në ora: 22:15
Gersi

Ashtu siç pritej, “Dua të të bëj të lumtur”, programi më i ri që prezantohet nga Arbana Osmani në Top Channel, ka nisur mbrëmjen e sotme me emocione shumë të forta.

Pas muajsh të tërë, që moderatorja e dashur zbulonte vendet e historive përmes rrjeteve sociale, sonte ka nisur rrugëtimin ky program që në fokus ka njerëzit e vërtetë. Si Migers Syla, djaloshi 8 vjeçar nga Kukësi që ka çelur programin.

Historia e tij dramatike ka përlotur edhe vetë Arbanën, por edhe gjithë publikun në sallë. Djaloshit që ka lindur dhe jeton në Morinë të Kukësit, si çdo bashkëmoshatari tjetër i pëlqente të luante jashtë shtëpisë me shokët. Familja e tij, e përbërë nga prindërit Selvie dhe Sali, si dhe motra Klarisa është një familje e thjeshtë, me pak mundësi ekonomike, por e mbushur me dashuri, forcë dhe dinjitet. Një vit më parë, Migersi shkoi të luante në shtëpinë ngjitur me shokët që i kishte si vëllezër. Nëna e tij po bënte punët e shtëpisë kur dëgjoi një të shtënë dhe më pas shumë klithma.

Më pas, ajo pa menjëherë shokun më të madh të djalit që bërtiste me fjalët: “Të kemi plagosur Gersin”! Ajo nisi të vraponte drejt shtëpisë së fqinjve, ku pa djalin e saj të mbuluar me gjak. Ai, duke u mbështetur pas murit kërkonte forcat e fundit për të shkuar drejt nënës dhe t’i thërriste për ndihmë, para se të rrëzohej në tokë dhe të mbyllte sytë. Ajo e mori djalin në krahë ndërkohë që të gjithë bërtisnin: “Ka vdekur, djali yt ka vdekur!” Por Selvia i shikonte dhe vazhdonte të vraponte duke i thënë vetes: “Jo. Djali im nuk ka vdekur!”

Që nga ky moment, për familjen Syla nisi një kalvar vuajtjesh. Djali u dërgua në Spitalin e Tiranës me një helikopter. Mjekët gjetën në gojën e tij disa plumba, me të cilat shokët e kishin plagosur padashje. Ai qëndroi në reanimacion për 7 ditë, pa mundur të hante apo të merrte frymë vetë, pa ndihmën e një aparati. Më pas e transferuan në Spitalin e Traumës, ku qëndroi për 43 ditë dhe ku ka bërë 2 ndërhyrjet e para. Sot, Gersi ka ende probleme të mëdha dhe mbi të gjitha është një fëmijë që nuk mund të dalë më jashtë shtëpisë dhe të jetojë si gjithë shokët sepse i vjen turp dhe nuk mundet.

Ndaj, për këtë arsye “Dua të të bëj të lumtur” i ka dhënë sot prindërve lajmin se djalin do ta operojnë e do ta kthejnë me buzëqeshjen që kishte më parë. Ky ka qenë një moment prekës për prindërit por edhe për publikun. “Dua të të bëj të lumtur” vazhdon transmetimin me të tjera histori emocionuese…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat