Shqipëri - TIKA investon për kompletimin e Qendrës Sociale në Kukës

Kukësi

Shqipëri - TIKA investon për kompletimin e Qendrës Sociale në Kukës

Më: 1 shkurt 2017 Në ora: 22:00
TIKA investon për kompletimin e Qendrës Sociale në Kukës

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Fondacioni Fëmijët Shqiptarë janë angazhuar për kompletimin dhe vënien në punë të Qendrës Sociale në Kukës, e cila do të jetë në funksion jo vetëm të Kukësit, por edhe të Kosovës e Maqedonisë.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, priti të mërkurën presidenten e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha dhe koordinatorin e TIKA-s në Tiranë, Eyup Yavuz Umutlu.

Në këtë takim u diskutua për ndihmën dhe mbështetjen e dy institucioneve për arredimin, kompletimin dhe vënien në punë të Qendrës Sociale Kukës, e cila ka përfunduar rikonstruksionin e saj.

Drejtori i TIKA-s, pasi vizitoi qendrën dhe u njoh me nevojat e saj për ta bërë sa më funksionale, garantoi mbështetjen e plotë për mobilimin dhe pajisjen me mjete në bashkëpunim me Fondacionin Fëmijët Shqiptarë. Ata u shprehën të kënaqur nga puna e bërë për rikonstruksionin e qendrës duke i ndryshuar tërësisht pamjen, në funksion të fëmijëve autikë dhe shërbimeve të tjera ndaj të moshuarve dhe grave e vajzave të dhunuara e të perfshira në trafikun e qenieve njerëzore.

Falë edhe mbështetjes nga qeveria zvicerane përmes DLDP-së, kjo qendër është e gatshme për të nisur nga puna me pajisjet dhe mjetet e tjera të nevojshme. Duke marrë në konsideratë punën që duhet për sigurimin e bazës materiale dhe arredimin e plotë të qendrës, 2 prilli është paracaktuar si dita e përurimit të saj, datë që përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Autizmit.

Kryebashkiaku Shehu falënderoi për mbështetjen dhe gatishmërinë e treguar në funksion të qendrës, ndërkohë që një falënderim të veçantë bëri edhe për bashkëfinancuesit e këtij projekti, DLDP dhe qeverinë zvicerane, duke garantuar njëkohësisht bashkëpunimin e mëtejshëm për qëndrueshmërinë e këtij projekti mjaft të rëndësishëm, i cili do të jetë në funksion jo vetëm të Kukësit, por edhe Kosovës e Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat