Ambasadori hungarez, Heizer: Mbështetje projektit për furnizimin me ujë në Kukës

Kukësi

Ambasadori hungarez, Heizer: Mbështetje projektit për furnizimin me ujë në Kukës

Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 09:31
Pamje nga takimi i Antal Heizer me kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu

Ambasadori i Hungarisë në Tiranë, Antal Heizer dhe përfaqësues të kompanisë Kristal Ltd., kompani hungareze e njohur në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të ujërave zhvilluan një takim në Tiranë, me kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, ku diskutuan mbi përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në këtë qytet.

Në fokus të këtij takimi, i cili u zhvillua në ambientet e ambasadës hungareze në Tiranë, ishte edhe përmirësimi i sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza si dhe trajtimit të tyre.

Ambasadori i Hungarisë, Antal Heizer është angazhuar maksimalisht për bashkëpunim në këtë fushë duke garantuar mbështetjen e plotë për nisjen e një projekti të tillë në Bashkinë Kukës.

Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu i bëri një përshkrim të detajuar situatës aktuale, veçanërisht të ujësjellësit e kanalizimeve por edhe të problematikave të tjera me fokus ujërat dhe trajtimin e tyre.

Përfaqësuesit e kompanisë Kristal Ltd. kanë shprehur interes të lartë për të investuar në këtë drejtim duke nisur edhe një studim të fizibilitetit dhe anketimeve në Kukës për të finalizuar hartimin e një projekti konkret dhe financimin e tij. Në këtë drejtim, Kryetari i Bashkisë tregoi gatishmërinë për mbështetjen e projektit dhe bashkëfinancimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat