Gjici nuk mban dot premtimin për titullin: Nuk na jep leje Ministria

Kukësi

Gjici nuk mban dot premtimin për titullin: Nuk na jep leje Ministria

Më: 29 maj 2017 Në ora: 06:58
Festa, Kukësi

“Nëse shpallemi kampionë të Shqipërisë, do të bëjmë në këmbë rrugën nga tuneli deri në Kukës”. Ky ka qenë zotimi i presidentit të Kukësit, Safet Gjici, që në javët e para të këtij sezoni. Objektivi sportiv u realizua, por me sa duket ky zotim nuk do të përmbushet.

Sipas vetë klubit verilindor, në realizimin e këtij premtimi ka një pengesë shumë të madhe: Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Kjo e fundit, duke parashikuar bllokim të trafikut në Rrugën e Kombit gjatë këtij aktiviteti, nuk ka lejuar Kukësin të organizojë në këtë mënyrë fillimin e festës së titullit të përcaktuar për të dielën në darkë.

Njoftimi i Kukësit

Presidenti i F.K. Kukësit Safet Gjici kishte premtuar se nëse skuadra e tij do të dilte kampione do të marshonte me trofeun nga tuneli i Kalimashti deri brenda qytetit. Një premtim që është përkrahur edhe nga futbollistët e skuadrës. Pas realizimit të ëndrrës së madhe, fitimit të titullit kampion, klubi i Kukësit nuk i është shmangur këtij premtimi dhe ka nisur me bindje të plotë organizimin për ta bërë diçka të tillë.

Fatkeqësisht, diçka e tillë nuk është e mundur, dhe kjo jo për shkak të dëshirës sonë. Administrata e klubit ka biseduar me institucionet përkatëse të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, të cilët nuk kanë dhënë leje.

Kjo pasi ata parashikonin bllokim të trafikut dhe e shihnin të pamundur organizimin e kësaj “maratone titulli”. Në kushte të tilla, të gjithë personat që kanë dashur të na bashkohen në këtë marshim, gjejmë rastin t’i ftojmë në festën e madhe që do të zhvillohet në Kukës, ditën e diel, ora 20:00, para sheshit të Bashkisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat