Kukësi qytet i mikpritjes dhe bujarisë shqiptare

Kukësi

Kukësi qytet i mikpritjes dhe bujarisë shqiptare

Nga: Sevdail Hyseni Më: 23 shtator 2017 Në ora: 09:47
Pamje nga takimi

Një delegacion i shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës, i prirë nga prof. Bejzad Avdiu dhe bashkëpunëtorët e tij, vizituan institucionet kulturore në Bashkinë e Kukësit.

Ata fillimisht u pritën nga Gëzim Bilali, drejtor i Pallatit të Kulturës, Aida Muja, specialiste e bibliotekës “Xhevahir Spahiu”, Erjona Toda, koordinatore e Këndit Amerikan si dhe shkrimtari Lulzim Hajdari, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dega e Kukësit.

Pas një bisede të ngrohtë miqësore mes përfaqësuesve të jetës kulturore në Bujanoc dhe Kukës, ata bashkërisht, vizituan rezidencën e sekretarit të Bashkisë së Kukësit Bujar Muçmata.

Qëllimi i kësaj vizite, ndonëse ishte i rastësishëm pa paralajmërim e protokol zyrtar, kaloi në frymën e ngrohtë vëllazërore, duke shpalosur veprimtaritë këndej e matanë kufirit, në sferën e kulturës njërës nga fushat më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare.

“Lugina e Preshevës, po mundohet ta mbaj gjallë kulturën shqiptare, duke zhvilluar veprimtari me interes të mbrojtjes së identitetit në këto hapësira deri dje të përfshira nga flakët e luftës. Meqenëse gjuha, arsimi dhe kultura, janë shtyllat karakteristike, pa të cilat s’ka përparim dhe emancipim kombëtar, është më se e nevojshme bashkëpunimi me shtetin Amë, Shqipërinë dhe Kosovë, që të dyja bashkë mund të bëjnë shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, u shpreh prof. Bejzad Avdiu, kryetar i Akademisë “Stoa”, në Bujanoc. Ai, gjithashtu, i falënderoi autoritetet e Bashkisë së Kukësit, për donacionin me tekste shkollore të ofruara për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Sekretari i Komunës së Kukësit Bujar Muçmata, falënderoi mysafirët për vizitën e mirëseardhur, duke përsëritur fjalët se “Kukësi është qyteti i mikpritjes dhe bujarisë, një portë, gjithmonë, e hapur për kosovarët dhe gjithë shqiptarët ngado që janë ata. Rrugët nga Kukësi të çojnë në Tiranë dhe anasjelltas, ju kthejnë nga keni ardhur, prandaj këtë qytezë me një trashëgimi të lashtë kulturore e keni krahapur”, theksoi z. Bujari.

Image

Bisedat vëllazërore

Në Hotelin International të Tiranës, ishte takimi i radhës me krijuesit e mëdhenj të kulturës shqiptare, kolosët e letrave shqipe: Xhevahir Spahiu dhe Besnik Mustafaj.

Që të dy këta njerëz të penës, janë pjesë e programit të Akademisë “Stoa” e cila me emisionet e njohura “Shkrimtari në mesin e nxënëse”, po bëhen, gjithnjë, më të shikuara e më të përqafuara nga publiku, jo vetëm në Luginë të Preshevës, por edhe më gjerë në hapësirat shqiptare.

“Kjo formë e bisedës së hapur të shkrimtarit në mesin e talenteve të reja, është nga më të rrallit në këto troje, nëpër të cilat kanë kaluar emra të shquar të kulturës shqiptare: Dritëro Agolli, Mark Krasniqi, Adem Demaçi, Xhevahir Spahiu, Flora Brovina, Sabile Keçmezi – Basha, Ylljet Aliçkaj, Sali Bashota etj. Akademia “Stoa” edhe më tej do të vazhdoj misionin edukativ dhe arsimor, me personalitete të shquara të kulturës shqiptare, duke sjell risi në takimet me krijues, për të zhvilluar, promovuar dhe avancuar vlerat e kulturës kombëtare”, thotë prof Bejzad Avdiu.

Autori i “Këngës së Gjinkallës”, “Ëndrrës së Doktorit” dhe shumë veprave të tjera të ërkthyera edhe në gjuhë të huaja, Besnik Mustafaj, shprehi kënaqësinë për një takim të tillë, duke porositur prof Bejzadin, që të vazhdoj me veprimtari kulturore, me të cilat mbahet gjallë fryma e shpirtit artistik në Luginë të Preshevës, duke krijuar ura bashkëpunimi ndërkufitar dhe ndërrajonal.

Ndërkaq, Xhevahir Spahiu, tamam një xhevahir i letrave shqipe, përsëriti atë që tha dikur në një emision “Shkrimtari në mesin e nxënësve”, se kur sjell ndër mend talentet e reja të Akademisë, i kujtohet kënga e bilbilave të Skraparit dhe mbushet plot me emocione. Po ashtu me emocione për mikun e tij, mbushet edhe prof. Dr. Abdyl Sinani, një emër i njohur për rolin e tij për Industrinë ushqimore në Shqipëri.

Respekti i veçantë

Do t’i kishim mbetur borxhli këtij shkrimi, po sikur të mos e përmendim ndihmën e çmueshme të Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Pavarur të Gazetarëve të Shqipërisë, publicist e shkrimtar, djalë i Lefter Çipa, që me dashamirësinë më të madhe krijoi lidhje takimi të delegacionit nga Lugina me shkrimtarët Xhevahir Spahiu dhe Besnik Mustafaj.

Po ashtu një tjetër falënderim shkon për Aleksandrin, për takimin e aranzhuar me rektorin e Universitetit Hëna e plotë Bedër,  profesor doktor Ferdinand Gjana, i cili me kënaqë pranoi që emisioni edukativo-arsimor i Akademisë “Stoa”, të zhvillohet në bibliotekën e këtij universiteti.

Pas bisedës që rrodhi lidhur me gjendjen e kulturës dhe arsimit shqip në Luginë të Preshevës dhe studentëve nga trojet, të cilët ndjekin studimet në Shqipëri, rektori Ferdinandi nga dashuria dhe respekti për miqtë nga Lugina, ua dhuroi nga një Album me fotografi të vjetra të Tiranës.

Ky rrugëtim i dijes dhe kulturës u përmbyll me shumë surpriza dhe përqafime, duke shprehur gatishmëri, që në të ardhmen të shpeshtohen takimet e shqiptarëve “Këndej e matanë Drinit, siç thoshte shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, sa ishte gjallë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat