Ndërtesat e diktaturës në një konkurs fotografik

Kultura

Ndërtesat e diktaturës në një konkurs fotografik

Më: 14 shkurt 2013 Në ora: 00:35

Monumente, ndërtesa, objekte industriale, që mbajnë vulën e viteve të diktaturës, të cilat sot kanë ndërruar destinacion apo janë lënë në mëshirë të fatit, do të bëhen objekt i një konkursi fotografik. Projekti europian ATRIUM – Arkitektura e Regjimeve Totalitare e Shekullit XX në Menaxhimin Urban, që financohet nga Bashkimi Europian dhe pjesë e të cilit është edhe Bashkia e Tiranës, shpall konkursin ndërkombëtar të fotografisë dhe videos me temë mbi trashëgiminë arkitekturore të regjimeve totalitare. Partnerët e ATRIUM-it nga 11 vende të Europës Juglindore ftojnë fotografët dhe cilindo tjetër të fotografojë apo të prodhojë video të monumenteve, ndërtesave, uzinave, fabrikave, objekteve politike dhe propagandistike të periudhës së fashizmit dhe komunizmit, që janë ende në funksion apo janë braktisur dhe t’i paraqesin në konkurs. Të gjitha punimet e përzgjedhura do të jenë pjesë e një ekspozite të quajtur “Totally Lost”, e cila do të organizohet nga Spazi Indecisi, organizata koordinuese e konkursit, në qershor 2013, në një godinë të arkitekturës Totalitare në Forli të Italisë. Fotografitë dhe videot do të botohen në katalogun e ekspozitës, i cili do t’u jepet të gjithë fotografëve dhe prodhuesve të përzgjedhur të videove. Afati i fundit për të dërguar fotot apo videot është 21 marsi 2013.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat