Në Gjakovë u mbajt tryezë shkencore kushtuar Aqif Blytës

Kultura

Në Gjakovë u mbajt tryezë shkencore kushtuar Aqif Blytës

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 14:15

Të shtunën (6 shkurt) në pallatin kulturës Asim Vokshi në Gjakovë është mbajtur tryezë shkencore me temën: Aqif Blyta dhe mbrojtja e Pazarit të Ri.

Ky aktivitet u organizua nga organizata “ Kosova për Sanxhakun” në bashkëpunim me shoqatën e intelektualëve “ Jakova” nga Gjakova. Aktiviteti poashtu u zhvillua edhe nën përkujdesjen e kryetares së komunës së Gjakovës, zonj. Mimoza Kusari- Lila.

Në tryezën shkencore pjesëmarrësit kanë paraqitur një kërkesë për presidenten e vendit,Atifete Jahjagën. Pjesëmarrësit kanë kërkuar që Aqif Blyta të nderohet me titullin Hero i Popullit.

Kërkesa është paraqitur me iniciativë të Ismet Azizit, kryetari i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, organizatë kjo që njëherit u kujdes edhe për organizimin e kësaj tryeze. Azizi, duke folur në lidhje me veprimtarinë patriotike të Aqif Blytës, arsyetoi kërkesën drejtuar presidentes:

“Qëllimi kryesor i takimit të sotshëm është që pikërisht sot nga ky tubim këtu, nga qytetarët e Gjakovës të dërgohet një kërkesë për kryetaren e shtetit, zonjën Atifete Jahjaga, që Aqif Blytën ta nderoj me urdhrin Hero të Popullit. Ky do të ishte kulminacioni i këtij tubimi”, tha Azizi.

Me këtë rast drejtori për kulturë në Gjakovë, Meriton Ferizi, në emër të kryetares Kusari-Lila, për Aqif Blytën ndau mirënjohjen “Post Mortum”. Ferizi, pos tjerash, deklaroi:

“Në emër të komunës së Gjakovës, sot të ndajmë edhe mirënjohje “Post Mortum” për Aqif Blytën me motivacionin – për vlerat e tij patriotike në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga trojet e veta të krahinës së Sanxhakut, si dhe për mbrojtjen e popullit të kësaj krahine nga gjenocidi i armikut”.

Përfaqësuesit e familjes Blyta, falënderuan kryetaren Kusari-Lila, Drejtoratin për Kulturë, shoqatën e intelektualëve “ Jakova”, sidomos organizatën “ Kosova për Sanxhakun” e cila bëri shumë dhe hapi edhe një dritare për ta njohur jetën dhe veprën e Aqif Blytës.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale dhe historianë të cilët vlerësuan lart kontributin dhe figurën patriotike të Aqif Blytës. Me kumtesa janë paraqitur: Ali Daci nga Rozhaja, Fazli Muriqi nga Rugova, Zahir Kastrati nga Polluzha , Admir Muratoviq nga Pazari i Ri, Alban Dobruna nga Gjakova, Ismet Azizi nga Gjilani dhe Masar Rizvanolli nga Gjakova. Ndërsa në pamundësi pjesmarrjeje, punimet e tyre i dërguan: Nexhmedin Spahiu, Mazllum Baraliu dhe Sulejman Aliqkoviq.

Në fund u zhvillua debat i hapur dhe i frytshëm me pjesëmarrës për figurën dhe veprimtarinë e Aqif Blytës. Vlen të theksohet se në kumtesën e tij Prof. Dr. Admir Muratoviq, i cili është drejtor i Institutit për Hulumtim të Krimeve ndaj popullatës së Sanxhakut, kryetar i Bashkësisë Kulturore të Sanxhakut dhe ligjërues në Universitetin Internacional të Novi Pazarit, pjesëmarrëseve ua bëri me dije se personaliteti i Aqif Blytës për Sanxhakun është sikurse ai i Adem Jasharit për Kosovën.

Organizatorët u zotuan se aktivitete të ngjashme për Sanxhakun do të organizohen edhe nëpër vendbanimet tjera.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat