Trashëgimia në rrezik: A po kërkohet dorëheqja e Kumbaros?!

Kultura

Trashëgimia në rrezik: A po kërkohet dorëheqja e Kumbaros?!

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 14:52
Ilustrim

Trashëgimia në rrezik! Kjo është deklarata që ka lëshuar dje Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë në një takim në bilancin e aktivitetit të saj denoncues, pas gjashtë viteve themelim. Ministria e Kulturës nuk dërgon as të vetmin specialist në këtë takim, ndërsa në daljet publike Kumbaro i ka injoruar vazhdimisht “qëndrimet” e Forumit, e këta të fundit hezitojnë t’i kërkojnë dorëheqjen dhe pse lexohen nën rreshta për shkak të ndërhyrjeve flagrante në restaurime, gjendjen e tyre të rënduar, si dhe kundër idesë për dhënien me koncesion të monumenteve

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i ka injoruar si zë, jo pak herë, ndërsa Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë dje ka ripërsëritur listën me denoncimet e bëra në vite, duke dhënë edhe një bilanc të aktivitet të saj në gjashtë vite krijimi. Në fakt, Forumi është një grupim njerëzish vullnetarë që siç thanë e duan kulturën, që kanë ndjeshmëri, që kanë ndërtuar kauza, por deri tani vetëm në kontekste politike dhe shumë pak profesionale. Kjo për shkak se në përbërjen e tyre, ashtu siç u pa edhe dje në takimin e tyre, mungojnë specialistë të fushave, arkeologë, restauratorë, specialistë monumentesh…etj. Në mesin e tyre dje erdhën vetëm arkeologia Etleva Nallbani, e cila ndali në restaurimet skandaloze që iu bëhen monumenteve, si dhe specialistja Lida Miraj, kjo e fundit duke tërhequr vëmendjen pikërisht për vaktësinë e pjesëmarrjes së profesionistëve.

Pikërisht kjo ka bërë që aktiviteti i tyre denoncues të mos ketë forcën e duhur, edhe pse gazetarët që i shërbejnë këtij forumi dhe ata të pavarur kanë shkuar në të njëjtën linjë: denoncime flagrante të ndërhyrjeve restauruese. Por vetëm kaq. Arroganca e pushtetit si duket ka mbetur më e fortë, pasi në të dyja rastet mungojnë zërat e specialistëve. Vetëm rasti i sitit arkeologjik të Komanit është unik, ku kauza e ngritur pothuaj krejt personale nga arkeologia Etleva Nallbani, duke marrë mbështetjen e gjerë të të gjithë medias, po ashtu dhe angazhimin e Forumit bëri që të kthehej mbrapsht projekti për të vënë shtyllat elektrike mbi zonën e mbrojtur. Çështja e shkatërrimit të monumenteve nuk është gjë e re prej 25 vitesh, po ashtu dhe rastet denoncuese sidomos në media ka qenë e vazhdueshme. Por, si dhe me prezencën e sotme të Forumit, “vullneti” politik për t’i rrënuar ka qenë i njëjtë dhe pothuaj i pakthyeshëm. Kumbaro në daljet publike ka “lavdëruar” punët e ministrisë në monumente, por në fakt e kundërta është shfaqur në terren. Në të shumtën e rasteve janë të njëjtat monumente e site që vuajnë shkatërrimin dhe rrënimin dhe asgjë nuk është bërë mbi to, rastet e kundërta janë minimale. Gjirokastra vazhdon të jetë një qytet i riskuar nga shembjet, edhe pse është në UNESCO. Duke qenë një zonë e pabanuar dhe vendalinjtë të pamundur për t’i mbajtur, shteti arrin vetëm të ndërtojë projekte të izoluara, pa pasur strategji shpëtimi për gjithë zonën. Këto në fakt arrihen me programe politike, me vullnete të qeverive. Në ministrinë aktuale të kulturës deri tani nuk është propozuar një strategji e tillë, çliruese për banorët dhe turizmin. Si në këtë rast, por edhe në shqyrtimet politike të tjera, si Lezha, Butrinti, hotel Dajti, Piramida, stadiumi apo ideja për dhënien me koncesion të monumenteve, pothuaj janë të dështuara sepse dikasteri më i lartë i kulturës ka vetëm një specialist të kësaj fushe. Të tjerët bëjnë punë letrash.

Kështu e shpjegon edhe Forumi kur deklaron se monumentet vuajnë për nivelin e punës profesionale dhe asaj shkencore, për mënyrën arrogante të vendimmarrjes, si dhe të mungesës së transparencës. “Ajo që ne presim është një ndryshim vizioni, është një dialog, është një ulje e arrogancës. Gjithmonë përjetojmë qeveri që e kanë datën e fillimit të punës nga data zero. Ne kërkojmë që të mos bëhen më krahasime me të kaluarën, por të bëhen me atë ku ne duhet të ndodhemi. Ne mendojmë që nuk jemi në pikën ku duhet të ndodheshim. Jo vetëm në trashëgimi në shumë fusha të tjera, por ne prekim çështjen e trashëgimisë sepse jemi një organizëm që na dhemb trashëgimia dhe është ky fokusi që na mbledh në tryezë sot”, tha një nga përfaqësuesit e Forumit, arkitekti Arben Biçoku.

Ndërsa ndalesa ka qenë te restaurimet. Biçoku tha se këto janë kthyer në çështje tenderësh, ku restaurimi i monumenteve lë për të dëshiruar. Në fakt në këtë përmbajtje, Forumi është treguar i ndjeshëm në mbledhjen e statuseve në rrjetet sociale, si dhe në mbështetje të reagimeve të ndryshme për të denoncuar situatën e përkeqësuar.

Rastet janë: Varri i Kol Idromenos, lyerja e kullës së sahatit të Tiranës, apo restaurimet e mureve të Sinagogës së Sarandës.

Me logon e krijuar dje, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë ka deklaruar dje se situatën në monumente e shohin në gjendje të rënduar, se trashëgimia është në rrezik. Nuk është pak të deklarohet kjo situatë, aq sa për të kërkuar dorëheqjen e një ministri, si në një rast tjetër të përvojës që ka pasur Forumi. Por Biçoku e ka “mohuar” se janë për dorëheqje, edhe pse lëshojnë një deklaratë për SOS.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat