Policët më futën në bagazh të "Nivës"

Kultura

Policët më futën në bagazh të "Nivës"

Nga: Mr. Skender R. Hoxha Më: 22 korrik 2016 Në ora: 13:58
Autori i këtij shkrimi gjatë bisedës me Sadri Sadikaj, nga Ratishi i Epër

Nëpër zona të ndryshme të Kosovës ka njerëz që, që në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, janë kyçur në Lëvizje.. dhe kanë kontribuar, por qoftë për shkak të modestisë së tyre, qoftë për mungesën e kontakteve të gazetarëve me ta, kontributi i tyre ka mbetur i papublikuar në medie të ndryshme dhe i panjohur sa duhet. Në mesin e të tillëve është edhe Sadri Sadikaj (1952) nga fshati Ratishë i Epër i Dushkajës, komuna e Deçanit.

Kur në një ditë korriku isha në fshat, ia beha edhe në shtëpi tek Sadriu, i cili me priti me atë bujarinë tradicionale, ashtu si ka ditur dikur dera e tyre, dera e Sadikbeqirve të Ratishës. Pas pak, ia tregova qëllimin e shkuarjes sime aty, që për gazetën “Bota sot” t’na bëjë një përshkrim të asaj që kishte bërë edhe ai për Luftën e Lavdishme të UÇKsë. Kërkesën time Sadriu e pranoi me dëshirë dhe pa hezituar ia filloi rrëfimit të tij:

“Nga viti 1991 kam qenë në kontakte me Zenun Idrizin e Strellcit të Epër, i cili kishte lidhje me Sali Çekajn dhe Grupin e Vokshit, ku kanë qenë të dënuar 17 veta. Unë, ua kam bartur armatimin me makinën time “Mercedes” nga një shtëpi në Strellcin e Ulët, një shtëpi njëkatëshe, me tulla, e pameremetuar. Ajo shtëpi ishte afër një lluge me verra. Prej këtu, armatimin ua ç0jsha te Ura e Trravës së Junikut. Pas pesë – gjashtë ditësh, me atë armatim janë sulmuar shtëpitë e kolonëve në Baballoç. Ato janë gjuajtur me “Minahedhësa”, ku, përveç tri shtëpive u shkatërrua edhe një eskavator me të cilin punonin në ndërtimin e shtëpive.

Image
Autori i këtij shkrimi gjatë bisedës me Sadri Sadikaj, nga Ratishi i Epër

Familja jonë gjithmonë ka qenë në mospajtim me regjimet e pushtuesit. Për këtë, vazhdimisht kemi qenë të maltretuar e të persekutuar, të marrë në biseda informative nga organet e tyre. Më kujtohet një rast i rëndë kur erdhën e më morën në shtëpinë time dy inspektorë të policisë dhe më çuan në Deçan. Ishte data 24 shkurt 1994. Gjatë rrugës, kur kemi arritur në Irzniq (Rrezare), më kanë futur në stacion të policisë. Aty ma konfiskuan makinën “Mercedes” dhe më thanë se “Nuk e kemi punën e makinës, por me ty kemi punë të tjera” dhe më kanë futur në bagazhin e “Nivës” së tyre, ku edhe më maltretuan fizikisht. Pastaj ma kanë hapur derën e bagazhit të “Nivës”, ku ishin 6 - 7 policë e unë në bagazh të saj.

Kur kemi shkuar në oborr të stacionit të policisë në Deçan, ma kanë hapur derën dhe aty, në stacion, prapë më kanë maltretuar. Aty, më kujtohet kur njëfarë Zoran Niketiçi, kolon i fshatit Dashinoc, më tha: “A ti je ai, a?”. Unë i thashë: - S’di për kë po thua? Ai më tha: “Këqyrem në sy!” Kështu më tha dy herë, e unë nuk e kam këqyr. Kur më tha së treti, e kam këqyr në sy, ndërsa ai m’u afrua dhe më ka qëlluar me ballë në ballë timin. Unë as që jam lëkundur. Ky, Niketiçi, ishte postkomandant në polici të Deçanit. Niketiçi ishte bashkë me Vulë Mirsiqin (malazez, kolon në Dashinoc të Dushkajës), i cili ishte kryeshef i policisë në Deçan. Këta i thanë portirit: “Nja 10 minuta mos e leni me dalë (për mua) se e kemi një bisedë me të dhe vijmë dhe e marrim!.”

Image
Kryepersonazhi i këtij shkrimi: Sadri Sadikaj (1952)

Kur është ardhur njëfarë Zekë Llutovaci, i cili më kishte marrë në shtëpi dhe më kishte rrahur e maltretuar, m’u afrua e ma qiti dorën rreth qafe dhe më tha: “Unë e kam pas urdhërin me ba ndryshe me ty, por më ka ardhur keq, veç ti, që je marrë me armatim, duhet më më kallxu mua se ku e keni atë armatim, kah po e çoni … Se, ma mirë të bjen, në daq me shpëtue i gjallë!?”

… Ishte koha kur kjo polici e kishin likuiduar drejtorin e shkollës fillore të Strellcit.Në këtë rast, pas gjitha tyre maltretimeve dhe përsekutimeve, më urdhëruan që të paraqitem të pasnesërmen. Jam paraqitur katër herë me radhë, çdo të dytën ditë, në polici. Aty më rrahnin dhe maltretonin. Sidomos, më shtrinin përtoke e më rrahnin shuplakave të këmbëve.”

Kur Sadriu mbaroi rrëfimin e tij për ato përjetime të këqija, tregoi edhe për aktivitete të tjera në Shtabin e fshatit gjatë Luftës së UÇK-së, unë, nga kureshtja, iu drejtova: - E tash, çfarë është statusi yt dhe i djalit tënd, i cili gjithashtu ka qenë i angazhuar në luftë, Sadriu thotë: - “Po, unë dhe biri im Shabani, kemi statusin e veteranit të luft UÇK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat