Britania e Madhe vazhdon ta mbështesë fuqishëm Kosovën

Kultura

Britania e Madhe vazhdon ta mbështesë fuqishëm Kosovën

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 korrik 2016 Në ora: 16:00
Pamje nga takimi

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti po vazhdon vizitën e tij në Britaninë e Madhe ku është takuar me shefin e Deskut për Kosovë në Ministrinë e Punëve të Jashtme britanike, Graham Styles me të cilët ka biseduar për një varg çështjes me rëndësi.

Zëvendësministri Hoti ka shprehur falënderimet e tij për përkrahjen që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e saj të shtetndërtimit.

Gjithashtu, ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që sidomos nëpërmjet kulturës, të dy shtetet të forcojnë edhe më shumë lidhjet e tyre.

Po ashtu, zëvendësministri ka propozuar një sërë nismash për bashkëpunim në fushën e trashëgimisë kulturore,  teatrit, baletit, operës etj. 

Ndërkaq, shef i Deskut për Kosovë në MPJ-në britanike, Graham Styles ka theksuar se Britania e Madhe do vazhdojë të jetë një përkrahëse e fuqishme e Kosovës dhe e gatshme për të bashkëpunuar në çdo kohë.

Po ashtu, ai ka thënë  se edhe pas vendimit të Britanisë së Madhe për dalje nga Bashkimi Evropian, kjo  nuk do te ketë impakt negativ në marrëdhëniet mes dy shteteve tona.

Më tutje, Styles ka veçuar se Kosova ka një pasuri të madhe të trashëgimisë kulturore andaj është shumë e rëndësishme që fokusi të jetë në këtë fushë.

Më tepër, Hoti dhe Styles kanë biseduar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe  janë pajtuar se duhet të bëhet një punë edhe më e madhe bashkërisht, që Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate.

Temë e diskutimit për të dy bashkëbiseduesit ishin edhe për çështje tjera me rëndësi siç është dialogu, sundimi i rendit dhe ligjit, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë Serbi.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat