Këpucari që u bë aktor i njohur…

Kultura

Këpucari që u bë aktor i njohur…

Nga: Gjon Neçaj Më: 21 gusht 2016 Në ora: 14:07
Gjelosh Mark Dedndreaj

Gjelosh Mark Dedndreaj ka lindur në fshatin Salcë, Nikaj Mertur,  në vitin 1942, por herët largohet nga vendlindja,për t’u vendosur me banim  në qytetin “Bajram Curri”. Ai njihej thjeshtë  me emrin Gjelosh Marku, banues ne lagjen "Partizani", ku ka punuar gjatë gjithë jetës së tij këpucar ,edhe pas vendosjes në Tiranë dhe daljes në pension.

Në fillimvitet e demokracisë ai u largua në Tiranë,si të gjithë bashkë krahinasit e tij pothuajse, për një jetë më të mirë .

Ka vdekur ende i  ri,në vitin 2004,në moshën 62 vjeçare.

Në mendjen e banorëve të qytetit "Bajram Curri", në vitet 70-të e 80-të të shekullit të kaluar, Gjeloshi kujtohet me respekt , jo vetëm  si mjeshtër në profesionin e tij të këpucarit në ndërmarrjen komunale, por si aktor  i talentuar, i cili ka luajtur në disa filma të  Kinostudios "Shqipëria e re".

Në  foton e vetme që  paraqitet, ai aktron  në  rolin e një personazhi kryesor në njërin prej filmave të viteve tetëdhjetë.

Për Gjeloshin flasin ende sot e kësaj dite me respekt jo vetëm punëtorët me të cilët ka punuar dekada, por edhe me njerëzit e thjeshtë, intelektualët, krijuesit dhe mbi të gjitha njerëzit e artit e të kulturës, njëri nga të cilët e më i respektuari ishte Gjelosh Mark Dedndreaj.
 
Ai ishte artist i lindur dhe mjeshtër i artit skenik.
 
Prej vdekjes së tij kanë kaluar 12 vjet  dhe 74 vjet nga lindja, por asnjë fjalë, asnjë titull apo medalje nuk është për të.
 
Madje askujt nuk i është kujtuar aktori i talentuar që dha shumë e s’mori asgjë.
 
Përveç të tjerave, ka interpretuar  në qytetin e tij, ”Bajram Curri”, rolin e Kopshtarit në dramën "Ne emër të lumturisë" të Ismail Hoxhës në vitin 1969 ,duke vijuar më pastaj me rolin e  kuestorit në dramën "Qielli i kuq" të Tefik Çaushit, Jonuz Brugës në dramën "Familja e peshkatarit" të Sulejman Pitarkës 1976, rolin e Brung Trolit në dramën "Përmbytja e madhe" e Kolë Jakovës 1977, Çel Krosi  në dramën "Fundi  i një bande" të Gjovalin Gjokës 1978, Bacën në dramën "Baca i Gjetajve" të Fadil Krajës 1979, Xha Banushin në dramën "Doktori pacient" të Ruzhdi Pulahës, Plakun e Urtë në dramën "Gjaku i Arbrit" të Fadil Krajës.

Ka luajtur në filmat "Rrugë të bardha","Shembja e idhujve" dhe "Nusja", në dokumentarin për fëmijë  kushtuar Bajram Currit,1982, në TVSH si dhe në dhjetra e dhjetra estrada  nga trupat  amatore të ndërmarrjeve të ndryshme të asaj periudhe dhe në pallatin te kulturës "Dardania", duke u duartrokitur ngrohtësisht.
 
E veçanta e aktorit Gjelosh Marku ishte se në rolet që ka luajtur, pothuajse në të gjitha ka luajtur në rolet kryesore,diçka e veçantë edhe për mjeshtrit e mëdhenj të skenës dhe ekranit.
 
Gjelosh Marku mban medaljen  "Naim  Frashëri"  dhënë nga Kuvendi Popullor në vitin 1979. Siç kujtojnë bashkëkohësit e tij,ai ka qënë  mbi të gjitha një qytetar dhe  njeri  jashtëzakonisht  i rrallë për shoqërinë e tij.
 
Ja se ç’shkruan kolegu dhe i miku i tij Azem Baliaj: “ Ne ditarin  tim ka mijëra shenime për të gjithë miqtë dhe kolegët  e mi të skenës të "ikur" e të gjallë, për të cilët do shkruaj diçka patjetër në të ardhmen,por Gjelosh Marku mbetet ajka e Tropojës i cili dha shumë dhe mori pak”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat