7 viktima të famshme të Listës së Zezë të Hollywoodit

Kultura

7 viktima të famshme të Listës së Zezë të Hollywoodit

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 08:20
“Paniku i Kuq”. Si u përndoqën për shkak të bindjeve të majta, yjet e mëdhenj të kinemasë, nga Orson Welles tek Charlie Chaplin, nw Amerikën e viteve pesëdhjetë

Në vitet e mbushur me paranojë, pas Luftës së Dytë Botërore, FBI dhe Komisioni i Veprimtarive Joamerikane në Kongresin e SHBA u përpoqën që të eleminojnë komunistët e dyshuar në industrinë amerikane të argëtimit. Hetimet e tyre shpesh herë fokusoheshin në aktorë dhe skenaristë të Hollywoodit, por ata vinin në shënjestër edhe shkrimtarë e muzikantë, shumë prej të cilëve u futën në listën e zezë të industrisë, pasi refuzuan që të japin emra, apo të flisnin për prirjet e tyre politike. Që nga një skenarist fitues i Oscar-it, deri tek një shkrimtar romanesh me detektivë, ja faktet për shtatë artistë, karrierat e të cilëve u përmbysën prej Panikut të Kuq, të viteve 1940 dhe 1950.

Dalton Trumbo

Epoka e zezë nisi në vitin 1947, kur skenaristi i famshëm Dalton Trumbo dhe disa regjisorë të tjerë të njohur si “Dhjetëshja e Hollywoodit” u thirrën para Komitetit të Aktiviteteve Joamerikane në Kongres dhe atyre iu bë një pyetje tashmë e famshme: “A jeni tani, apo keni qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste?” Trumbo kishte qenë me të vërtetë anëtar i partisë dikur, por ashtu si pjesa tjetër e dhjetëshes, ai refuzoi të përgjigjet dhe madje vuri në dyshim edhe legjitimitetin e komisionit në dëshminë e tij. Si rezultat i kësaj, ai u akuzua për shpërfillje të Kongresit, u fut në listën e zezë nga studiot e Hollywoodit dhe u dënua me një vit burgim, në një burg federal.

ImageDalton Trumbo

Pas lirimit të tij, Trumbo u detyrua që të shkruante me pseudonime dhe të shiste skenarë në tregun e zi. Ai shkroi fshehurazi disa skenarë klasikë gjatë viteve 1950, duke përfshirë “I çmendur pas armës” dhe “I guximshmi”, dhe vepra e tij madje fitoi dy Oscar-ë, ndonëse ai nuk mundi të tërhiqte asnjërin prej tyre. Trumbo shpëtoi më në fund nga lista e zezë në vitin 1960, pasi regjisori Otto Preminger dhe aktori Kirk Douglas njoftuan se ai do të merrte meritat e skenarëve për filmat “Eksodi” dhe “Spartaku”. Ai më vonë rifilloi karrierën e tij në Hollywood, por vetëm në vitin 2011, shoqata e skenaristëve të Amerikës më në fund i njohu autorësinë dhe meritën për skenarin e filmit “Pushime romane”, që kish fituar Oscar në vitin 1953.

Pete Seeger

Pete Seeger është i njohur si një anëtar themelues i The Weavers, por ai ishte gjithashtu një radikal politik, që kish qenë anëtar në Partinë Komuniste në rininë e tij. Në vitet 1940 dhe 1950, kantautori u hetua nga FBI dhe më pas u fut në listën e zezë, pasi emri i tij u shfaq në “kanalet e Kuqe”, një pamflet me ndikim që rendiste të dyshuarit si komunistë në industrinë e argëtimit. Seeger ishte ndaluar që të shfaqej në në televizion, dhe The Weavers u ndanë në vitin 1952, pasi humbën kontratën për të regjistruar në studio.

ImagePete Seeger

Tre vjet më vonë, Seeger u thirr për të dëshmuar para Komisionit. Ndërsa nuk pranoi të shfrytëzojë të drejtën që i jepte Amendamenti i Pestë, për të mos dëshmuar kundër vetes, ai njoftoi se nuk do të përgjigjej për çdo pyetje mbi shoqëritë e tij, bindjet filozofike ose fetare apo bindjet politike, apo se si kishte votuar në çdo zgjedhje, ose ndonjë nga këto çështje private. “Unë mendoj se këto janë pyetje shumë të papërshtatshme për çdo amerikan”, tha ai. Mosbindja e Seegerit bëri që t’i ngarkohen 10 akuza për shpërfillje të Kongresit dhe ai u dënua me një vit burg. Aktakuza u hodh poshtë më vonë, por ai mbeti në listën e zezë të televizionit, deri në vitin 1968.

Orson Welles

Në të njëjtën kohë që regjisori, shkrimtari dhe aktori Orson Welles po sillte në ekrane filma dhe programe radiofonike që përbënin risi të mëdha për kohën, ai ishte gjithashtu nën hetim nga FBI-ja, si një komunist i mundshëm. Welles ishte në shënjestër pjesërisht për shkak të qëndrimeve të tij politike progresiste, por dyshimet u shfaqën vetëm pas daljes së filmit të tij klasik në vitin 1941, “Citizen Kane”, personazhi kryesor i të cilit shërbeu si një referencë e mbuluar jo mirë, e manjatit anti-komunist të lajmeve William Randolph Hearst.

ImageOrson Welles

“Provat para nesh çojnë në mënyrë të pashmangshme, në përfundimin se filmi ‘Citizen Kane’ nuk është asgjë më shumë, se një zgjatje e fushatës së shpifjeve të Partisë Komuniste, kundër një prej kundërshtarëve të saj më të efektshëm dhe të fortë në Shtetet e Bashkuara”, shkruhej në një raport të FBI-së. Ndërsa Byroja nuk gjeti prova se Welles ishte vetë anëtar i Partisë Komuniste, ajo gjithësesi e shtoi atë në indeksin e saj të njerëzve që besohej se ishin kërcënim për sigurinë kombëtare. Emri i tij më vonë do të dilte në pamfletin “Kanalet e kuqe”, por tashmë Welles kishte nisur një periudhë të gjatë mërgimi në Evropë.

Lena Horne

Gjatë vitit 1940, pamja dhe zëri i bukur i Lena Hornes, e bën atë një prej yjeve të parë afrikano-amerikanë të skenës dhe ekranit. Ajo sërish ngrihej kundër racizmit institucional, megjithatë, dhe zhgënjimet e fortë e shtynë që t’u bashkohej një sërë grupesh aktiviste, shumë prej të cilëve ishin të populluara nga radikalët politikë dhe komunistët. Edhe pse vetë nuk u bë kurrë një anëtare e partisë, Horne u shpall fajtore nga shoqata dhe u fut në listën e zezë, pasi emri i saj u shfaq në “Kanalet e Kuqe” në vitin 1950. Në pamundësi për të punuar në televizion apo film, ajo kaloi vitet e ardhshme duke punuar në një klub nate dhe në kabare si këngëtare.

ImageLena Horne

Ajo gjithashtu luftoi për të pastruar emrin e saj, duke hedhur poshtë publikisht komunizmin dhe duke ndërmarrë një fushatë shkrimi letrash në adresë të gazetarëve të njohur dhe figurave të ekranit. Plani funksionoi: Reputacioni i Hornes u rehabilituar ngadalë, dhe nga fundi i viteve 1950 ajo nisi të shfaqej sërish në shfaqje të ndryshme televizive. Pavarësisht pranisë në listën e zezë, ajo mbeti një aktiviste politike dhe më vonë mori pjesë në protestat për të drejtat civile, gjatë viteve 1960.

Charlie Chaplin

Edhe pse kurrë nuk ishte një anëtar i Partisë Komuniste, ikona e filmit pa zë, Charlie Chaplin tërhoqi zemërimin e qeverisë për filmat e tij subversivë dhe mbështetjen e kauzave të majta politike. Krijuesi i “Little Tramp” ironizonte në mënyrë therëse shoqërinë kapitaliste dhe industriale me filma të tillë si “Modern Times”, “The Great Dictator” dhe “Monsieur Verdoux”. Ai u denoncua si një simpatizant komunist pasi dhuroi para për fondin e mbrojtjes për Dalton Trumbon dhe Dhjetëshen e Hollivudit. FBI, ndërkohë, përpiloi një dosje për Chaplinin, e cila ishte mbi 2000 faqe e gjatë. Tensionet shpërthyen në vitin 1952, kur Chaplinit – me kombësi britanike – iu mohua viza e rifutjes në Shtetet e Bashkuara, pas një udhëtim jashtë vendit.

ImageCharlie Chaplin

Pasi i thanë se do të duhej të dëshmonte për “vlerat morale” të tij, para se të mund të rimerrte vizën, aktori-regjisor ndërpreu lidhjet me Amerikën dhe kaloi pjesën tjetër të karrierës së tij në Evropë. Përveç një udhëtimi në vitin 1972 për të marrë një Oscar nderi, Chaplini nuk vuri më këmbë në Shtetet e Bashkuara.

Lee Grant

Në vitin 1951, vetëm disa javë pas daljes së filmit të saj të parë në Hollivud, “Detective Story”, aktorja Lee Grant kritikoi hetimet e Komisionit të Kongresit, në një fjalim në funeralin e aktorit të përfshirë në listën e zezë, J. Edward Bromberg. Ndërsa Grant nuk kish qenë aktive në politikë si komuniste, vërejtjet e saj në dukje dashamirëse u bënë shpejt publike, duke i siguruar një vend në listën e zezë të industrisë kinematografike.

ImageLee Grant

Ajo u thirr më vonë para Komisionit dhe iu kërkua të tregojë me gisht burrin e saj si komunist, por Grant thirri në ndihmë Amendamentin e Pestë dhe refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të komitetit. Me përjashtim të roleve dytësore, Grant praktikisht u ndalua të shfaqet në filma dhe televizion për 12 vitet e ardhshme. Pas heqjes së emrit të saj nga lista e zezë në vitet 1960, ajo bëri një kthim të famshëm në ekranin e madh dhe mori tre kandidime të ndryshme për Oscar, duke fituar një herë në vitin 1975, me filmin “Shampo”.

Dashiell Hammett

Njeriu i cili ndihmoi në krijimin e letërsisë së “të fortëve, me libra si “Fajkoi malltez” dhe “Burri i hollë”, ishte gjithashtu një anti-fashist dhe anëtar i deklaruar i Partisë Komuniste. Në vitin 1951, ndërsa shërbente si një administrues i besuar i Kongresit të majtë të të Drejtave Civile, Hammett u thirr në gjykatën federale dhe iu kërkua që të dëshmonte për kontribuesit në fondin e grupit. Kur ai thirri në ndihmë Amendamentin e Pestë dhe refuzoi të japë emrat, u shall fajtor për shpërfillje të Gjykatës dhe u dënua me gjashtë muaj burg.

ImageDashiell Hammett

Dy vjet më vonë, ai u thirr para Nënkomitetit të Përhershëm të Senatit me kryetar Joseph McCarthyn, dhe u mor në pyetje për lidhjet e tij me komunizmin, por përsëri refuzoi të bashkëpunojë. Tashmë, Hammett kish zënë vend në listën e zezë  tëindustrinë së argëtimit. Kopjet e librave të tij u hoqën për disa kohë edhe nga bibliotekat në disa shtete. Pas një ataku në zemër në vitin 1955, ai u tërhoq nga bota letrare dhe jetoi i tërhequr, deri kur vdiq në vitin 1961. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat