Lavdia dhe rehatia e bibliotekës së re të Prishtinës

Kultura

Lavdia dhe rehatia e bibliotekës së re të Prishtinës

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 18:46
Bibloteka

Përveç hapësirave tepër bujare prej disa mijëra metrash katrorë, arkitekturës moderne dhe infrastrukturës së përsosur, biblioteka e re e Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, përfaqëson edhe një nga përvojat më të rehatshme dhe të sofistikuara që ofron kryeqyteti i Kosovës.

Në heshtjen absolute të një syprine të bardhë, të pamat në imagjinatën e syrit, një djalë qëndron me kokën ulur mbi një tryezë të madhe. Pas tij në prapavijë, pak të rinj të tjerë qëndrojnë të palëvizshëm në ndenjëset e tyre.

Ky veçim i secilit e bën edhe më të ndjeshme një farë pezullie hermetike në bibliotekën e re të Prishtinës, ku vetëm fërkimi letrës kur ndërrohet faqja arrin të shkaktojë një farë gërvishtjeje të imtë në akustikën e sallave dhe shkallëve që spiralojnë nga kati përdhes e dy më sipër.

Ata pak punonjës të pranishëm, si murgj të pagjasë që kanë bërë betimin e heshtjes, i shërbejnë dijes publike duke ndihmuar e udhëzuar qytetarët më shumë me një gjuhë universale shenjash sesa duke folur.

Ndërkaq dhjetëra lexues, kryesisht të rinj të shpërndarë nëpër tre katet e Bibliotekës së Komunës së Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, janë praktikisht të padukshëm në sipërfaqen e stërmadhe në përdorim, e cila kombinuar me infrastrukturën e fjalës së fundit, do t’i bënte hapësirat e leximit të Bibliotekës Kombëtare të Tiranës – sa për të dhënë një shembull – të dukeshin si të një librarie rrethinash.

E përkthyer në numra, biblioteka e re ka një sipërfaqe prej 5,800 metrash katrorë, 250 ulëse për lexuesit, ndërsa komuna ka ndarë një shumë prej 50 mijë eurosh në vit për blerje titujsh të rinj që t’i shtohen fondit të saj ekzistues.

Edhe pse ndërtesa e saj në lagjen Dardania është akull e re, biblioteka e qytetit ka rreth 70 vjet në funksion, dikur e vendosur në një hapësirë shumë më të vogël në zonën e njohur si Qafa, në Prishtinë, ku edhe pse e pajisur me një fond të mirë librash e botimesh të tjera periodike, ofronte hapësirë të kufizuar për lexuesit e kryeqytetit.

Ndërtesa e re ka një konstrukt modern që i bën karshillëk një blloku banimi përballë saj, të vjetruar, të lartë, në ngjyrë të gjelbër, i cili mishëron një pjesëz të muzgut të arkitekturës urbane jugosllave në Prishtinë.

“Jemi me fat që është ndërtu një objekt kaq modern për bibliotekën sepse në të kaluarën kemi pasur shumë vështirësi sa i përket hapësirave dhe sallave të leximit”, thotë Fatime Mehmetaj, shefe e bibliotekës.

Kjo bisedë bëhet pas dhurimit të arkivit të gazetave të Lëvizjes Vetëvendosje. Njoftimi për media përmendte edhe libra, por vetëm pak sosh qëndrojnë mbi një tryezë të improvizuar, ndërsa arkivi i gazetave është vërtet i plotë, i lidhur në kapakë të trashë sipas botimeve dhe periudhave.

Ndër librat e dhuruar nuk spikat asnjë titull veçanërisht i njohur, por kjo nuk e përjashton mundësinë që krahas teksteve teknike dhe raporteve të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, aty të kishte edhe letërsi ‘të pavarur’.

Për shembull, binin në sy rreth gjashtë libra të ndryshëm të autorit Hysni Gashi, kryesisht me karakter patriotik dhe që me gjasa përbënin veprën e tij të plotë. Asnjë nga të pranishmit nuk e njihnin shkrimtarin në fjalë, por të gjithë u pajtuan që pa e lexuar nuk jepnin dot vlerësime./kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat