70-vjetori i martirizimit të avokatit Muzafer Pipa

Kultura

70-vjetori i martirizimit të avokatit Muzafer Pipa

Nga: Frank Shkreli Më: 29 shtator 2016 Në ora: 15:31
Frank Shkreli

”Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-“teneqexhi”, (ishte fjala për Koçi Xoxen), e për prokuror një ish-“kafexhi”, (e kishte fjalën për Bedri Spahiun), të munden sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?",

Kështu është shprehur Avokat Muzafer Pipa më 22 mars të vitit 1946, drejtuar trupit që gjykonte, ndër të tjerë, At Gjon Shllakun, At Gjon Faustin, At Daniel Dajanin, përfshirë studentët Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Lulashi, Fran Miraka, dhe Qerim Sadiku, të cilët u dënuan me pushkatim nga trupi gjykues në Shkodër.  Në këtë gjyq, ku Avokat Muzafer Pipa shërbente si avokat mbrojtës i tyre, ai, sipas dëshmitarëve, me të vërtetë pat treguar një guxim  dhe trimëri të paparë, por edhe altruizmin njerëzor, në mbrojtje të klerikëve katolikë.  Megjithse ai nuk kishte ndonjë lidhje me jezuitët, françeskanët, ose me klerikë të tjerë, Muzafer Pipa u shty nga guximi, ndershmëria, nga heroizmi dhe ndjenja e drejtësisë për të afërmin -- si avokat besnik që ishte ndaj profesionit të tij   -- për t’u ardhur në ndihmë klerikëve të pafajshëm. 

Ndërgjegja e tij nuk e lejonte të rrinte duar kryq përball padrejtsishë të tilla, madje megjithse ishte i vetdijshëm se një mbrojtje e tillë e klerikëve katolikë nga ana e tij, mund të çonte edhe në dënimin e tij me vdekje, gjë që më në fund edhe ndodhi më 30-shtator, 1946.  Vëllai i Muzaferit, Profesor Arshi Pipa më ka thënë se avokati mbrojtës i klerit katolik, Muzaferi e bëri këtë punë krejtësisht në baza vullnetare, pa u marrë asnjë lek të akuzuarve për shërbimet e tij.  Për më tepër, ai e bëri këtë detyrë me pasion dhe me bindjen më të madhe, duke dhënë prova të pa-diskutueshme dhe duke bërë një mbrojtje të jashtzakonshme me fakte se akuzat shpifëse të gjyqeve komuniste kundër klerikëve shqiptarë ishin fals.

Disa muaj pas këtij gjyqi dhe pas pushkatimit të klerikëve katolikë të lartë përmendur, autoritetet komuniste e arrestojnë edhe Muzafer Pipën duke i mohuar atij të drejtat e tija bazë, si avokat dhe si qytetar.  Ai u torturua nga autoritetet komuniste me një hakmarrje të egër për kurajon dhe vendosmërinë e tij civile dhe profesionale që ai tregoi në mbrojtje të të drejtave të klerikëve katolikë shqiptarë.

Profesor Arshi Pipa shënon në “Librin e Burgut” se, “Im vëlla, Muzafer Pipa, avokat, qe arrestue në Shtatuer, 1946 dhe mbasi u torturue deri në vdekje, u nxuer dhe u vra me nji batare automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës, kinse kishte dashtë t’ikte”.   Arshi Pipa, në “Librin e Burgut” shënon gjithashtu se vrasjen e vëllait të tij Muzaferit ia kishin mbajtur të fshehtë dhe se e kishte mësuar vetëm gjatë procesit të dytë kundër tij, në Prokurorinë e Durrësit.  Në “Elegjinë Vëllaznore”, kushtuar vëllait Muzafer, në lidhje me këtë deshpërim të thellë, poeti shprehet se:

“Ma thonte zemra e ngrata

Se jeta t’kishte lanë

Edhe pse shokët e miqtë

Nuk dojshin me ma thanë”.

Fatkeqsisht, Muzafer Pipa si shumë intelektualë patriotë shqiptarë të kohës së tij e pësoi jo vetëm nga komunizmi por edhe nga fashizmi.  Me okupimin e Shqipërisë nga Italia, Muzafer Pipa, së bashku me shumë studentë të tjerë shqiptarë dërgohet në kampe përqëndrimi në Itali, ndërkohë që lirohet pas dy vjetësh dhe i jepet mundësia të vazhdonte studimet që përfunduan me diplomimin e tij në universitetin e famshëm të drejtësisë në Padua.  Profesor Arshi Pipa, në lidhje me vuajtjet dhe mundimet e të vëllait gjatë kësaj periudhe mundimesh për mbarë familjen Pipa, ka shënuar se, “Im vëlla pat qenë burgosë nga auktoritetet fashiste italiane në ishullin Ventottene, afër Gaeta-s, më 1940 dhe ma vonë qe internue në kampin nazist të Prishtinës, më 1944”, duke u shprehur në poemën Elegjia Vëllaznore, kushtuar vëllait të vrarë se:

“Ti vuejtje, ti rreziqe

Durove simbas stinës

Nga ishulli i Ventottenës

Ndër telat e Prishtinës”  

Në fund të vitit 1944, Muzafer Pipa lirohet nga kampi nazist i përqendrimit në Prishtinë dhe këthehet në Tiranë për të ushtruar detyrën e avokatit.  Megjith aftësitë dhe edukatën e tij si avokat i diplomuar në Itali, Muzafer Pipa refuzon t’i bashkohej regjimit komunist të posa vendosur në Tiranë, pasi kishte venë re qyshë heret shkeljen brutale të të drejtave bazë të shqiptarëve nga regjimi i ri komunist i Enver Hoxhës.

Në vitin 2008 Shkodra e tij i akordoi titullin "Qytetar Nderi". Ndërkohë që ish-Presidenti i Shqipërisë Topi e ka dekoruar Muzafer Pipën me Urdhrin, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”.

Në kujtim të vëllait të martirizuar nga regjimi komunist, megjithse poeti nuk dinte për veten e tij nëse do të dilte i gjallë nga burgjet komuniste të  të asaj që ai e ka cilësuar si “kohës së robnisë”, i betohet vëllait të vet  të vrarë, Muzaferit se:

“Kur ndofta nga mizori

Po përgatitet ura,

Për mue këtë herë, e kanga

E mbramë asht kjo që thura.

Me gjakun tand deshmori

Vulosi sot nji be

Përbuzi komunizmin

E truhem për atdhe.”

Avokati Muzafer Pipa sakrifikoi jetën e vet me dinjitet dhe ndershmëri, duke luftuar për kauzën e drejtësisë dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut për bashkadhetarët e tij, pa marrë parsyshë përkatësinë e tyre fetare dhe as dallimeve të tjera. 

Prandaj, është me vend që në këtë 70-vjetor të martirizimit të Avokatit Muzafer Pipa – këtij, “Armiku të shtypjes e bir besnik i Atdheut” -- jo vetëm katolikët, por mbarë kombi shqiptar ta kujtojë me nderim dhe respekt ketë hero të kombit, me shpresën që gjaku i tij të mos jetë derdhur më kot dhe që shembulli i altruizmit të tij human, guximi, trimëria dhe vendosmëria e tij si shqiptar dhe si jurist, në mbrojtje të drejtësisë për bashkombasit e vet para xhelatëve sllavo-komunistë, të frymëzojë brezat e rinjë të shqiptarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat