Darka per të varfërin

Kultura

Darka per të varfërin

Nga: Tahir Bezhani Më: 12 tetor 2016 Në ora: 00:18
Tahir Bezhani

Pranvera kishte shpërndarë gjelbërimin  gjithandej natyrës pafund. Kaltërsia e gjethimit te maleve, blerimi i fushës ,jepte një pamje të këndshme ditëve të këtij muaj,i cili njihet për gufimin e dashurisë në zemrat rinore. Maji përherë sjellë hare,lumturi në të gjitha shtresat njerëzore. Me gjithë bukurinë e tij,shpesh ndodhë të jetë monoton nga të reshurat e tepërta dhe të ftohtit e theksuar. Kështu ngjau edhe këtë vit,nuk dilej pa veshje të trasha.

Një të hëne maji, Fisniku ishte zgjuar më herët se rëndomë,ani se  i shtyrë në moshë. Pasi piu kafenë e mëngjesit me bashkëshorten,shpejt u vesh dhe u ngrit në këmbë për të dalë nga shtëpia. Duke e shikuar  bashkëshortin habitshëm,ngase që kur ishte në punë aq  herët, nuk kishte dalë nga shtëpia,me një zë të ulët e pyeti: -Fisnik ,ku shkon kaq herët?- Në qytet Buçe.

-Më sjell atë qesen që mbështolla mbrëmë darken,ja, aty ne raftin e  kuzhinës. Buçja menjëherë bëri shërbimin e kërkuar dhe nuk i shtroi asnjë pyetje tjetër ngase,tani e kishte të çartë se Fisniku,sa herë që kishte  për darkë ushqime  të tilla,i mbështjellë  për t’ua dhënë të nesërmen të varfërve nëpër qytet.

Pasi përcjelli bashkëshortin,Buçja mbylli derën dhe vazhdoi me punët e rëndomta të shtëpisë,përgatitjen e fëmijëve për në shkollë e punë të tjera. Fisniku kishte dalë në rrugë ,në drejtim të qendrës së qytetit. Qendra e qytetit ishte më se 15 minuta larg vendbanimit. Ecte këmbë,me njërën dorë  në xhep,ndërsa më tjetrën,mbante fitilin e duhanit,të cilin e thithte rrëmbimthi në atë freski të hershme . Në llanë  dore, që kishte futur në xhep,i sillej anash nga  ecja dhe flladi i atij mëngjesi, një qese najloni në të cilën kishte futur ushqimin mbështjellë në fole.

-Ku ngutesh kaq herët o Fisnik,e pyesnin disa kalimtarë të njohshëm? Të ka marrë malli të dalësh herët sikur kur ishte në punë ,apo?- plotësohej pyetja nga një miku që nuk e kishte parë që disa muaj. –Jo,jo!- dola të eci,të thithi pakës ajër të freskë të kësaj pranvere,punën e kam harruar,kaluan shumë vite...,ia ktheu Fisniku dhe vazhdoi rrugën drejt qendrës së qytetit.

Kafenetë kishin filluar të mbusheshin me mysafirët e hershëm,me ata që zakonisht pinë kafetë e mëngjesit kafiterive të qytetit,ose ata të cilët vijnë herët nga fshatrat për të  mbaruar ndonjë punë personale në entet zyrtare .

Fisniku, tani kishte mbërri në qendër të qytetit. Lëvizjet e njerëzve ishin shpeshtuar. Edhe përshëndetjet me fytyra të njohura  njerëzish në lëvizje ishin të shpeshta,por jo edhe ndaljet.

Nga ana e kundërt e rrugës dëgjoi një zë: “mirëmëngjesi o Fisnik”! Duke shikuar gjithandej, gjeti nga i erdhi përshëndetja dhe me ngritje dore,i shkëmbyen përshëndetjet,nga se ishin miq të vjetër. E kaloi të njëjtën  rrugë tre herë,deri të komuna dhe nuk e takoi nënën me dy fëmijët që dilte çdo ditë për kafshore buke. U kthye deri në qendër sërish,u sajua në një  kënd,afër një kioske,nxjerri fitilin e duhanit nga pakoja dhe e  ndezi me çakmakun e tij të kaltër. Tymi i shkonte vërdallë kokës,sikur të kishte ndezur diçka të qëllimtë. Ai tym ia shoqëronte mendimet që bluanin situatën e rëndë të kohës së pasluftës. Varfëria ishte bërë pjesë e një mase të gjerë. Gëzimi për lirinë ishte prezent në zemrat e secilit,shpirti nuk gjente rehatinë e duhur....

Në drejtim të Fisnikut vinte një mik i kahershëm,me të cilin kishte pasur miqësi shumë të mirë që moti. Ia zgjaten duart njeri tjetrit dhe u përshëndetën ngrohtësisht.

-Ka kohë që nuk të kam parë,po si je o Fisnik Begu?-e pyeti Agimi plot  respekt. – Ja,mirë ore miku im,po kalojnë ditët,pleqëria po troket herë në derë e herë në dritare,bëhem se nuk e dëgjoj....Filluan të qeshen të dytë dhe shkëmbyen disa shpoti si dikur...

-Hë,po sot ç’të qiti këtyre rrugëve,pyeti Agimi? –Mu në këtë rrugë,shpesh takoi një të varfër,është një nënë me dy fëmijë,një nënë e lodhur nga skamje me dy bukuroshë që ia ka falë Zoti. Shpesh ia sjell disa ushqime nga shtëpia. Nuk e di historinë e varfërisë së sajë,por shumë më prekë sa herë e shohë kësaj rruge,shtoj Fisniku.

-Paslufta ka mbushur rrugët. Janë bërë shumë ore mik!-foli Agimi.... Po,më vjen keq! Çfarë të bëjmë,kemi një obligim moral,njerëzorë,etik e shoqërorë,t’i ndihmojmë dorës së zgjatur,ajo do ndihmë përkohësisht,jo lëmoshë të përhershme. Nuk i len Zoti gjithë jetën me duar të zgjatura. Kur t’i rriten fëmija kësaj gruaje,nuk do e shohim këtyre rrugëve- mbylli bisedën Fisniku. Agimi,e uroj me fjalët,”të paftë Zoti edhe ty,qofsh i nderuar për jetë e mot”,dhe u ndanë duke u përqafuar mes veti.

Fisniku hodhi shikimin gjithandej rrugës ku e takonte përherë atë varfanjaken me dy fëmijët,e cila zakonisht rrinte vetëm në një vend,në kënd ku nuk pengonte lëvizjet e qytetarëve. Ja,po vjen,foli me vete. Fisniku eci drejt sajë. E përshëndeti,ndërsa fëmijët e strukur nga freskia e mëngjesit,i ledhatoj me dorën fisnike të një prindi. Atyre u buzëqeshi fytyra,u ndien si dy zogj të mbrojtur nga dora përkëdhelëse e një njeriu me shpirt të mbushur fisnikëri.

-Ja,mere këtë qese,ke do ushqime për  fëmijë. I kam ndarë për ty nga darka që pata mbrëmë me familjen time. Ju bëftë mire,t’u rritshin fëmija,paq shëndet e fat të mbarë në jetë!E uroj Fisniku varfanjaken dhe mori të shkoi në drejtim të shtëpisë së tij.

Nëna me dy carrokët e vegjël,si dy dritat e syve,e uroi gjatë njeriun e mëshirës së Zotit,Fisnikun,duke u shprehur me fjalët:”-të bekoftë Perëndia! Kurrë të keqe mos paq në familjen tende!....” Pastaj,ajo,iu drejtua të vegjëlve të saj me fjalët: “ u ka thënë nëna se do rriteni,sepse ka njerëz kjo botë që kanë zemër,kanë shpirt dhe ndihmojnë fukaranë. Por ju,dritat e syve të mi,kur të rriteni,mos harroni mirësitë e të tjerëve.....”

Një ditë e gjatë pranverore,me joshjet e saja gjelbëruese,po mbyllej ngadalë me ikjen e rrezeve të diellit,diku pas majës së Shkëlzenit. Dy fëmijët me nënën e tyre, kapur për duarsh,shkuan në kasollen e tyre të lodhur. Kur nata shtriu pushtetin natyrshëm mbi sipërfaqen e sajë, nëna  e lodhur  rrugëve të qytetit,shtrini trupin e dërmuar,duke mbështetur në ngrohtësinë e gjirit, dy shpresat e jetës,dy fëmijët e saj,të cilët tani ishin tretur në ëndrrat e tyre të bukura,me shpresë për një ditë të re,një jetë më të lumtur.

Ndërsa Fisniku,iu rrëfente fëmijëve të tij ngjarjen e ditës,ua tregonte historinë e jetës....

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat