Shkup, prezantohet krijimtaria e shkrimtarëve shqiptarë e përkthyer në maqedonisht

Kultura

Shkup, prezantohet krijimtaria e shkrimtarëve shqiptarë e përkthyer në maqedonisht

Më: 12 tetor 2016 Në ora: 23:17
Ilustrim

Biblioteka Popullore dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” – Shkup i ka prezantuar lexuesit në Maqedoni veprat letrare të autorëve shqiptarë të Maqedonisë të përkthyera në maqedonisht dhe anglisht. Siç tha organizatori theksi është vënë në letërsinë më të rëndësishme poetike, prozaike dhe dramatike nga letrarët më të njohur, që ti sjellë lexuesit maqedonas nga afër letërsinë shqiptare në Maqedoni.

Drejtori Progamor i Bibliotekës, Jovica Tasevski-Eternijan, tha se institucioni i tij në ditët e kaluara ka bërë një sërë promovimesh të botimeve me qëllim të afrimit të lexuesit me librin dhe në këtë drejtim është edhe publikimi i letërsisë shqiptare në maqedonisht.

“Filluam me prezantimin e një letërsie të largët, atë kineze dhe përfundojmë me një letërsi e cila krijohet në shtetin tonë megjithatë e panjohur për ne. Fatmirësisht vitin e kaluar u realizua një projekt kapital i cili do të ndihmojë në njohjen nga afër të letërsisë shiptare në Maqedoni”, tha Eternijan për të shtuar se bëhet fjalë për vepra nga projekti “135 vëllime të letërsisë së Maqedonisë”.

Dekani i Fakultetit Filologjik në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fatmir Sulejmani, i cili mbajti një ekspoze mbi fillet e shkrimit dhe letërsisë shqiptare në përgjithësi, tha se fatkeqësisht letërsia shqiptare nuk është shumë e njohur te lexuesi maqedonas.

“Është fatkeqësi që është përkthyer shumë pak letërsia shqipe dhe kjo që kemi përpara është një fluskë e vogël që krijojnë shqiptarët. Sa më parë të bëhet diçka ndryshe, të përkthehet letërsia shqipe, aq më mirë do të jetë për vendin tonë, sepse vetëm përmes kulturës mund të luftojmë paragjykimet dhe të dalim nga kjo llokë në të cilën gjendemi për arsye qesharake”, tha Sulejmani.

Veprat e përkthyera në maqedonisht janë: Tregime të Zgjedhura, Kritika Letrare, Paç ditën e mbarë (zgjedhje poezish për fëmijë), Zgjedhjet e Jetës (përmbledhje tregimesh për fëmijë), Bota Sillet Rreth Jugut nga Agim Vinca, Don Kishoti te Shqiptarët nga Ali Aliu, Klithma e Ikarit nga Adem Gajtani, Pahintikë në Ëndërr nga Xhabir Ahmeti, Droja e Kadiut nga Rexhep Zllatku, Vitet e Urithit nga Kim Mehmeti, Alga e Dalë nga Deti e Nehas Sopaj, Koha e Dhive nga Luan Starova, Shqetësimi në Djep nga Abdylazis Islami, dhe Hamleti me Plis të Zi nga Resul Shabani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat