Në Kosovë nisi java e gjuhës italiane

Kultura

Në Kosovë nisi java e gjuhës italiane

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 14:38
Foto

Ka filluar java e gjuhës italiane në Kosovë, me moton “Italishtja dhe krijimtaria: marka, tradita, moda dhe dizajni”.

Ambasada italiane në bashkëpunim me Fakultetin e Filologjisë, sot mbajtën një konferencë për media ku të pranishëm ishin ambasadori i Italisë në Kosovë Piero Cristoforo Sardi, dekanja e Fakultetit të Filologjisë Lindita Sejdiu-Rugova si dhe profesoresha e gjuhës italiane Emilia Conforti njëkohësisht edhe lektore në Universitetin e Prishtinës, e cila është arbëreshe nga Kalabria. 

Ambasadori i Italisë, Piero Cristoforo Sardi, tha se për shënimin e javës italiane në botë Kosova do mbaj ngjarje për dy javë dhe nisur nga sot do flitet për kulturën në kuptimin klasik me letërsinë dhe gjuhën italiane, njëkohësisht edhe për modën dhe dizajnin. Ai tha se do organizohet edhe një ekspozitë në qytetin e Pejës me punime nga artistë të Kosovës dhe atyre të Italisë si shembull dialogu mes kulturave të ndryshme përmes artit. Kjo ekspozitë do filloj të premten me 21 tetor dhe do të mbyllet me 3 nëntor. 

Piero Cristoforo Sardi: Për dy javë do të dëshmojmë shembujt e dialogut mes kulturave të ndryshme

 “Kjo konferencë do të inkuadrohet në javën e gjuhës dhe kulturës italiane...një organizim që këtu në Prishtinë zhvillohet në dy javë me evente të ndryshme...Për dy javë që do të mbahen evente të ndryshme dhe me qëllimin tonë ne duam të përfshijmë aspekte të ndryshme të kulturës italiane, duam të flasim për kulturën në kuptimin klasik me letërsinë dhe gjuhën italiane por edhe do të flasim edhe për modën dhe dizajnin. Do të organizojmë në Pejë një ekspozitë me veprat piktoreske të disa artistëve të ri të Kosovës, të kombësive të ndryshme që janë prezentë në Kosovë dhe të artistëve italianë të veri-lindjes pra të rajonit të Friulit dhe vendeve fqinje duke i inkuadruar si një nga shembujt e dialogut mes kulturave të ndryshme përmes artit”, tha Sardi.  

Rugova, tregoi se gjuha italiane në UP mësohet në cilësinë e gjuhës së huaj të parë apo të dytë, pra vetëm si lëndë zgjedhore sepse fakulteti nuk posedon degë të kësaj gjuhe sepse sipas saj Kosova nuk ka kuadro të specializuara, andaj edhe ajo kërkoi ndihmë nga ambasada italiane në sigurimin e një apo dy doktorë shkencash për të mundësuar formimin e kësaj dege.

Lindita Sejdiu-Rugova:  Italia të na siguroi doktorë shkencash që të punojnë me ne

“Italishtja si gjuhë e huaj në Universitetin e Prishtinës mësohet në cilësinë të gjuhës së huaj të parë ose të dytë të huaj dhe ofrohet krahas gjuhëve të tjera si gjermanishtja, anglishtja dhe frëngjishtja...në Kosovë nuk kemi kuadro të tilla të specializuara, për ne do të mjaftonte që shteti italian të na i siguronte një ose dy doktorë shkencash të gatshëm për të punuar me ne”, tha Rugova.

Profesoresha e gjuhës italiane, e cila është edhe lektore në UP dhe është arbëreshe nga Kalabria, Emilia Conforti tha se ardhja e saj në Kosovë është një mision dhe cilësoi përdorimin e gjuhës si mundësi e mirë për strategji komunikimi por edhe për industrinë e modës dhe dizajnit. Sipas saj, moda është fenomen social dhe simbol i elegancës.

Emilia Conforti: Ardhja ime në Kosovë është një mision...

 “Ardhja ime në Kosovë është një mision...përdorimi i gjuhës është i nevojshëm dhe ka mundësi për biznes për strategjitë e komunikimit dhe gjithashtu në industrinë e modës dhe dizajnit. Moda është një fenomen social dhe simbol i elegancës, ka një lidhje mes kreativitetit dhe gjuhës. Suksesi i modës italiane është fryt i një tradite të gjatë që ka shkuar bashkë me zhvillimin e shoqërisë. Sot qyteti i parë që mendojmë kur flasim për modën është Milano. Firence është edhe një qytet tjetër që ka të bëj më shumë me artizanate”, tha Conforti.

Ndërkohë, ambasadori Cristoforo Sardi shtroi një pyetje për profesorët dhe studentët, se a ekziston një vepër që në letërsinë e vendit ka pasur historikisht ndikimin e njëjtë si “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit.

Për këtë pyetje ai mori përgjigje nga njëri ndër profesorët e pranishëm, Agron Gashi, i cili tha se ne kemi një vepër që mund të themi se ngjason me ‘Komedinë Hyjnore’ dhe sipas tij ajo mund të jetë vetëm “Lahuta e Malcis”, nga Gjergj Fishta, sepse është një epope dhe në të ka përballje, mite, legjenda dhe është e ndërtuar nga tre lloje këngësh. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat