Promovohen veprat e Hasan Dajakut, dramaturgut të profecisë tragjike

Kultura

Promovohen veprat e Hasan Dajakut, dramaturgut të profecisë tragjike

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 21:58
Foto nga promovimi

Po të ishte gjallë, shkrimtari, dramaturgu e prozatori Hasan Dajaku, këtë vit do të ishte 72 vjeçar, por ai ndërroi jetë në moshë të re, në pjekurinë e vitit 2001, kur i kishte 57 vjeç.

Vepra e tij jeton e do të jetojë përgjithmonë ndër breza, kjo falë punës dhe angazhimit të familjarëve të tij të cilët kësisoj mundësuan botimin e veprave dhe dorëshkrimeve të autorit.

Biblioteka Kombëtare "Pjetër Bogdani", ishte bërë vendi nikoqir ku do të promovohej kolana e veprave të dramaturgut, shkrimtarit Hasan Dajaku, si dhe ku do të prezantoheshin dorëshkrimet e tij. Përderisa njerëzit po mbushnin sallën, në ekranin e madh po shfaqej një promo. Të ftuar në panel ishin Erenestina Halili, Besim Rexhaj, Sabit Jaha dhe Faik Shkodra.

Kur salla u mbush e madje shumë nga të pranishmit qëndruan edhe në këmbë, fjalën e morri Erenestina Halili, studiuesja e veprës së dramaturgut tashmë të ndjerë nga Skenderaj, Hasan Dajaku.

Një fokus të veçantë Halili ia dha veprës “Bengëza në faqe”, poemë kjo e dramatizuar. Para se të botohej, me titull “Pranë Lapidarit” në 1978, vepra u dramatizua në Radio Prishtina me një kastë aktorësh elitë, me bazë muzikore të Jusuf Gervallës e regji të Atdhe Gashit.

Image

E veçanta e veprës së Dajakut është profecia, tha profesoresha e Dramës në Universitetin e Tiranës, Erenestina Halili, e cila tutje ceku se pak raste kemi njohur në letërsi, ku autori prind, parasheh, paralajmëron, se karakteri i përzgjedhur prej tij, biri ose bija, do ta ketë të njëjtin fat edhe në jetën reale, si fati i fiktionit letrar.

“Dramaturgu përzgjedhë personin kryesor dramatik, ndoshta për vokacion karakterial, birin e tij, Besim Dajakun, djalin me një bengëz në faqe, djalin që u rrit me frymën e lirisë së munguar, djalin e heroin e dramës- tragjedi të babait, djalin që vritet me një plumb në zemër, ashtu si Besimi në poemën dramatike”, tha në fjalën e saj Halili. Ajo tutje theksoi se rasti i paracaktimit të fatit, si prej krijimit antik me Olimp e Zeus, është i rrallë në letërsinë botërore dhe po kjo e bën poemën e dramatizuar “Bengëza në faqe”, edhe pse një tragjedi jetësore, një vlerë të shtuar të dramaturgjisë shqiptare, por edhe një monument letrar dramatik, për heroin e Kosovës së lirë.

Hasan Dajaku është autor edhe i disa veprave dramatike, të cilat janë realizuar nga ish-Radio Prishtina, të vlerësuara me çmime në atë kohë. E këto vepra dramatike u prezantuan përmes videove. Menjëherë pas fjalës së Erenestina Halilit, në ekran u shfaq Radiodrama “Pranë Lapidarit”, e cila u shoqërua nga duartrokitjet e shumta.

Tutje fjalën e mori Besim Rexhaj i cili tha që në veprën e shkrimtari Dajaku thuhet shumë. Por, Rexhaj kishte vendosur që të merrej vetëm me një pjesë të veprës së autorit, duke konsideruar se vepra e këtij autori është vepër e gjerë, shumëdimensionale dhe si e tillë sigurisht që i tejkalon kufijtë e një promovimi. Ai ishte marrë me një nga dramat e autorit Dajaku, duke e parë edhe si dramën kryesore, e ajo ishte “Njeriu që rrëfehej kur ishte vetëm”.

Image

“Me një gjuhë të stërholluar dhe me një ekspresivitet, Dajaku ka trajtuar çështjen e përhershme, universal të njeriut si individ. Është lufta midis të mirës dhe të keqes brenda njeriut si individ, lufta midis individit dhe tjetrit, si dhe mentalitetit, kodit zakonor i cili robëron dhe viktimizon individin, para së gjithash individin i cili bëhet rob i prangave vetjake dhe manipulimit të tjetrit”, është shprehur Besim Rexhaj.

Në vazhdimësi në ekran u shfaqën edhe Radiodramat, apo disa fragmente të shkëputura nga to. “Njeriu që rrëfehej kur ishte vetëm”, “Kallogjeri”, “Mjergull Mjergull” dhe “Fluturimi i Micakut”, pjesë këto të interpretuara nga aktorë të skenës sonë. 

Ndërsa botuesi i veprës së Hasan Dajakut, Sabit Jaha, tha që edhe pse nuk e ka njohur shkrimtarin nga afër, por nga ajo që ka lexuar ka kuptuar karakterin e tij dhe u shpreh i bindur që edhe po të ishte gjallë, Dajaku sot nuk do të ulej në karrigen që po qëndronte zbrazur. Ai ishte i një natyre të tillë çfarë e karakterizoj modestinë e tij, pjekurinë e tij në të gjitha zhanret letrare.

Duke mos dashur të përsëritej me kolegët parafolës, profesori Faik Shkodra, artikuloi vetëm disa nga aspektet e veprës së Dajakut, shkruan kultplus.

“Duke lexuar opusin artistik të Hasan Dajakut, arrijmë të kuptojmë botën e madhe shpirtërore të tij dhe e quaj për nder të flas me respektin më të madh për vlerat, meritat, guximin, përkushtimin dhe energjinë e madhe të tij”, ka thënë në fjalën e tij Shkodra.

Krejt për fund, fjalën e mori edhe djali i të ndjerit, Xhevat Dajaku, i cili falënderoi të pranishmit të cilët bënë që kjo mbrëmje ta ketë madhështinë e saj. Duke konsideruar që të pranishmit janë kureshtarë të kenë informacione për jetën, rrjedhojën, mundimet, hapësirat dhe situatat ku bëheshin këto shkrime, ai ndau disa gjëra me të pranishmit.

“Familja, i vetmi vend për të, ku merrte energji për të vënë në jetë idetë e tij, por prapë jetonte i acaruar se një ditë do t’i futej krijesa monster në këto hapësira. Kjo ia kallte shpirtin dhe e lodhte aq shumë, saqë nganjëherë ndalonte së shkruari. E diferencuan, e quajtën armik, e larguan nga puna, e fëmijëve të tij iu morr e drejta e shkollimit, vepra e tij u ndalua e tëra, por ai prapë nuk ndaloi së shkruari dhe iu kthye prapë shkollës në vitet e 90-ta”, tha Xhevat Dajaku, i cili me fjalët e tij emocionoi të gjithë të pranishmit që këtë fjalë e përcollën me duartrokitje të gjata.

Veprat e Hasan Dajakut u morën në duar nga të pranishmit të cilët me interesim shfletonin faqet e para të librit, ku dukej sikur po bisedonin me autorin Dajaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat