Bjen kushtrimi që ngjallë jetën e harruat Anton Çettën

Kultura

Bjen kushtrimi që ngjallë jetën e harruat Anton Çettën

Nga: Nue Oroshi Më: 22 tetor 2016 Në ora: 10:40
Anton Çetta

Harrimi i qëllimshëm nuk ka vend për pëndim të mëvonshëm e as për gjetjen e arsyeve banale se e kemi pasur shumë vështirë në kohërat që kemi qeverisur Kosovën. Një harrim i qëllimshëm është duke iu bërë profesorit Anton Çetta. Profesorit i cili në prag te qëndreses së madhe shqiptare 1998-99 e bëri pajtimin kombëtar në të gjitha trevat shqiptare. Madje kjo harresë e qëllimshme i lëshon poshtë të gjitha zërat që flasin e shkruajnë se koalicioni në mesë të dy partive të mëdha të Kosovës PDK-LDK, nuk po funksionon. Jo, jo ky koalicion po funksionon si ora sarkisuf e Erdoganit sepse po punon me një program të plotë të orjentimit lindor.

Ka dy vjet që Instituti Albanologjik i Prishtinës në bashkpunim me familjen e atdhetarit Anton Çetta ka përgaditur një komplet më trembëdhjetë vepra që flitet e shkruhet për professor Anton Çettën  por edhe veprave të shkruara nga professor Anton Çetta.  Çdo libër i këtij vëllimi prej trembëdhjetë librash,  përbehët prej 300 - 500 faqe që për fondin e Ministrisë së Arsimit, dorën në zemër është një projekt shumë i vogël. Por në këtë Ministri ndërrohen Ministrat njëri pas tjetrit, që nga Rame Buja e deri tek ky i sotshmi Arsim Bajrami vazhdon e njëjta këngë, premtime por asgjë konkrete. Madje në këto momente më kujtohet ajo kënga popullore se shkoj njani e erdh tjetri gjithë ma i zi i riu se sa i vjetri.

Pasi që kjo Ministri udhëhiqet nga PDK , e ka deri dikund një arsye se professor Anton Çetta  ishte krahu i djathtë i presidentit Historik të Kosovës prof.dr.Ibrahim Rugova, dhe këtu mund të jetë ndonjë arsye se për çfarë ministri Arsim Bajrami e bllokon këtë projekt me vlera mjaftë të mëdha për ndriçimin e jetës dhe veprës të professor Anton Çetta . Por e njëjta valle luhet edhe në Ministrinë e Kulturës. Benjamini i LDK dhe ish asistenti i Sabri Hamitit, Kujtim Shala që tash është ministër i kulturës e vazhdon të njëjtën valle. Ai edhe përkundër premtimeve që iu bëri këshillit organizues që po punojnë në këtë drejtim për kompletimin e veprës së profesor Anton Çetta se do të ndihmon që me mjetet e Ministrisë së Kulturës të ndërtohet  shtatorja e profesor Anton Çetta por edhe këto premtime i ka marrë era ashtu siç premtonte Kujtimi i gjorë edhe herave tjera.

Në gjithë këtë harresë nuk është pa faj edhe skulptori i cili e ka të gatshme shtatorën e Profesor Anton Çettës. Ai kërkon një shumë të lartë. Por kjo punë është lehtësisht e zgjidhshme për faktin se kemi edhe shumë skulptorë tjerë të talentuar të cilët të njëjtën punë mundën me krye për gjysmën e çmimit që kërkon skulptori i cili tash e  ka të gatshëm shtatoren e profesor Anton Çetta.

Edhe këshilli organizativ për pajtimin e gjaqeve me në krye më Dr.don Lush Gjergjin, Mulla Xhevatin, Riza Krasniqin dhe Marjan Demaj kanë mbetur të hutuar dhe pa shtegdalje. Ata kanë pritur që dy ministritë përkatëse dhe të lartpëmendura do ta japin ndihmën e tyre që profesor Anton Çetta, jo të lartësohet se tash më ai është i lartësuar nga mbarë populli shqiptarë anë e kënd Trojeve Etnike Shqiptare.Por  ky është obligim Institucional nga ana e Institucioneve të Kosovës, që ata të kryejnë punën e tyre, që atij t‘i ipet vendi i merituar, për kontributin e veçantë në shërbim të kombit shqiptarë. Ajo që më bie ndërmend në këto momente deri sa shkruajë këta rreshta është fakti se ku mbetën gjithë ata studentë të profesor Anton Çetta, e që sot janë në krye të institucioneve të Kosovës, ku mbetën të gjithë ata pajtimtarë që e shoqëruan profesor Anton Çettën  dhe që sot kush më shumë e kush më pak janë në krye të institucioneve legjislative dhe egzekutive në Kosovë.

Profesor Anton Çetta botoi gjashtëmbëdhjetë libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968 profesor Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990, profesor Anton Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit. “Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. Me këtë akt atdhetarie profesor Anton Çetta kishte shpetuar nga vrasjet dhe hakmarrjet me mijera jetë. Dhe jo rastësisht rinia atdhetare i këndonte vargjet: ‘‘Bjen Kushtrimi që e ngjall jetën,prite prite Anton Çetën‘‘, por tash kjo këngë e ka marrë një kahje tjetër. Kosova po udhëhiqet nga forcat  politike që fatkeqësisht flasin për perëndimin dhe punojnë me lindjen. Këto forca politike tash nuk janë të interesuar që të ndriçojnë  kontributin kombëtar të profesor Antonit. Tashë në Kosovë ka ndryshuar kënga. Tash këndohet një këngë tjetër. E ajo është “Bjenë Kushtrimi që ngjallë jetën- e harruat Anton Çetten !”Unë në fund të këtij shkrimi do t‘iu them dy drejtusve të dy Ministrive të Kosovës turp iu qoftë.Ndërsa Atë Gjergj Fishta do të mallkonte edhe ma keq. Ai do t‘iu thoshte: “More të shkretë e more të mjerë, që iu ka marrë koka erë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat