Themelohet Parku Arkeologjik “Ulpiana”

Kultura

Themelohet Parku Arkeologjik “Ulpiana”

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 16:34
Foto

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar rregulloren për themelim dhe administrim, nëpërmjet së cilës themelohet Parku Arkeologjik “Ulpiana” dhe përcaktohen mekanizmat për administrimin e tij.

Ky është parku i parë arkeologjik i themeluar ndonjëherë në Kosovë dhe, si i tillë, paraqet vlerë të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Sipas komunikatës së MKRS-së, Parku Arkeologjik “Ulpiana” ka status të mbrojtjes së përhershme dhe është një nga lokalitet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

MKRS thotë se rregullorja i rregullon çështjet e menaxhimit të këtij parku dhe shumë aspekte që lidhen me të.

Ministri Kujtim Shala u shpreh se Parku Arkeologjik “Ulpiana” themelohet për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë arkeologjike, se ai është në funksion të njohjes, promovimit dhe afirmimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, me shenja nga më të hershme të identitetit tonë.

Parku Arkeologjik “Ulpiana“ shtrihet në komunën e Graçanicës, zona kadastrale Graçanicë, ka perimetër 161.10 Ha dhe zonë rrethuese 96.23 Ha. Ky park është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës dhe është nën administrimin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Departamentit të Trashëgimisë Kulturore. Themelimi i Parkut Arkeologjik “Ulpiana” ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë arkeologjike të tij, si dhe krijimin e kushteve më të mira të shfrytëzimit për qëllime shkencore, sociale, ekonomike dhe turistike”, thuhet në komunikatë.

Parku Arkeologjik “Ulpiana” do të promovohet me një ceremoni solemne më 27 tetor, me fillim në ora 11:00 dhe i pranishëm do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat