Njeriu me respekt te malet

Kultura

Njeriu me respekt te malet

Nga: Albert HABAZAJ Më: 25 tetor 2016 Në ora: 10:25
Gori Bare

Gori Bare është lindur më 25 dhjetor 1937 (si urim për Krishtlindjen) në familjen e Lepa dhe Koli Bares, në Drizë të Fierit. Të premten e 27 marsit 2015 Gori mbylli sytë dhe prehet pranë nënës së tij, pranë njerëzve të tij të dashur, atdhetarë e të ditur, pranë kushëririt të tij, përkthyesit të talentuar Lili Bare. E la amanet. Familja ia plotësoi.

Prindërit e Gorit ishin Koli dhe Lepa, familjarë të thjeshtë, të ndershëm, me traditë në bujqësi, të njohur dhe si artizanë të mirë. Nga martesa e xha Kolit me teto Lepën erdhën në jetë tre djem e dy vajza dhe kronologjikisht: Sokrati, Naunka, Gori, Vita dhe Margariti. Të tre vëllezërit dhe dy motrat u rritën me ndjenjën e dashurisë për jetën. Të pesë shkonin shumë mirë me njëri - tjetrin, në mëhallë, në lagje e në shoqëri. Ata ishin pasuria më e madhe e atij çifti myzeqar, që sakrifikuan si ata për lumturimin e jetës së fëmijëve që lindën.

Gori u martua më 16 nëntor 1966 me Katerina Kokën. Tina është lindur në Skelë, (Vlorë) më 3 janar 1951 nga prindërit Pinellopi e Nako Koka. Nako Koka, me origjinë nga Vunoi, nuk ishte thjesht një mësues, ai kishte statusin e lartë të normalistit të Elbasnit dhe u bë dritan diturie, që shpërndau rreze drite edhe te vocërrakët e etur për dije në malësitë e Tërbaçit plak. Nako Koka nuk mburrej, por ishte krenar për gjakun e ndritur të yllit të pashuar Zaho Koka, Heroit të Popullit. Me Tërbaçin Vunoi qenë dy shtëpi me një portë dhe mësues Nako këndonte me tërbaçiotët këngën: “Batalonet bëjnë fjalë/ lule Zaho, lule djalë!”…

Gori e mori me dashuri Tinën, mësuesen e përkushtuar të shkollës fillore, edukatoren e bukur dhe fisnike. Martesa e Gorit me Tinën i dhuroi jetës dy bukurosha, një vajzë dhe një djalë. Më 25 qershor 1969 u lindi vajza, Klementina, e cila mbaroi Universitetin e Tiranës dhe u bë mjeke. Më 5 shkurt 1973 u lindi djali Andon, i cili u bë ndihmës mjek. Të dy fëmijët janë të martuar dhe kanë krijuar famijet e tyre, si pemë të shëndetshme me rrënjë thella, trung të fortë, degë të gjelbra e gjethe çdo stinë … Gori, një jetë të tërë, gëzoi të tjerët, por për vete s’gëzoi. Gori Bare mund të quhet ndryshe sakrificë për të tjerët, për mirëqenien e njerëzve në fushë dhe në mal. Ai ishte flamurtar i prodhimit dhe i përparimit, i njohur e i respektuar në gjithë rrethin e Vlorës.

“Gori Koli Bare, diplomuar në Universitetin e Kamzës, agronom. Ka shërbyer agronom në Orikum - Pashaliman, si kryetar i kooperativës bujqësore Vranisht - Tërbaç, sekretar i Komitetit në rrethin e Vlorës për ekonominë e shëndetësinë deri sa doli në pension. Kudo u dallua si agronom i përsosur, organizator dhe drejtues i zoti. Njeri korrekt dhe kërkimar ndaj detyrës. Vranisht-Tërbaçi dhe mbarë Vlora e kujtojnë dhe sot e kësaj dite që shkriu jetën në punë të palodhur”.

Kaq shkruhet në librin e studiuesit Thimo (Themi) Bare, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në librin e tij “Historia e Fisit Bare”, Tiranë, 2005, f. 174, asnjë fjalë më tepër. Nga njerëz të mirë, vitalë e me dinjitet si studiuesi i njohur Thimo Bare, mos prit të shkruajnë më tepër për vete, se ata janë të thjeshtë në madhështinë e tyre. Por, se kush ka qenë Gori Bare (i dritëroftë kujtimi) ik e pyet Vlorë, në Orikum e Mekat, në Topallti e Myzeqe, në Dukat…edhe në Tërbaç e Vranisht, atje sipër, tek malet, në vende dhe kohë të vështira; ku respekti s’kapet kollaj, ku respekti s’matet dot.

Gjurmët e tij janë lule të bukura e të dobishme prodhimi që çelën në Mekat, feksën në Bramyshnjë e Lis të Zi të Tërbaçit, në Horë të Vranishtit, nuk u vyshkën se qe kopështar e lulishtar i dashuruar me punën, korrekt e parimor, si ai.

Për njerëzit e afërt të personazhit për të cilin po shkruajmë dhe për lexuesin, gjykoj të sqaroj se besimi është element sipërfaqësor për shqiptarët, ndërsa ndërgjegjia kombëtare është ajo që i bashkon. Kështu mendova kur m’u kërkua ky libër.

E kështu, me ndihmën e Katerinës dhe orientimet e Lanës, mblodhëm kujtimet e shumta për triumfatorin mbi vështrirësitë e punës në malësi, për buzagazin e përjetshëm Gori, i seleksionuam, i klasifikuam dhe personazhi i monografisë po ngjizej, bulëzonte e po konturohej për t’u ravijëzuar.

Ishin familjarët, të afërmit, shokët e miqtë e shumtë të kontributeve të larta për prodhimin, rendimentin e cilësinë, sakrifikuesit idealistë si ai, ata që donin të vinin, secili nga një lule të freskët e të veçantë respekti me fjalë nderimi e shkronja shpirti për modelin e njeriut të prodhimit e të punës në terren Gori Baren dritëror.

Të shkruash për njerëz, që mbartin vlera njerëzore në kalvarin e jetës së tyre, natyrisht, kur e ndien për detyrim, është më e lehtë se të shkruash për njeriun tënd të afërt.

Liljana Lako Gjika, drejtoresha historike e Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj të qytetit të Vlorës, (sot në pension) e emocionuar shprehet: “Ke shumë dëshirë të thuash e të shkruash shumë, për ato që të thotë zemra, si unë për vëllain tim të dashur Gorin, por të bëhet një ngërç, që të frenon, për t’i hedhur në letër. Me Gorin kisha lidhje gjaku, sepse babai i Tij, Koli, ishte dajua im i dashur, vëllai i nënës sime të shtrenjtë Dhoksi. Por, nuk ishte e tërë kjo, pasi Ai më vlerësonte për aftësitë e mia që kisha për punën, ashtu siç i kishte edhe Gori vet. Kjo e bënte që të më donte shumë së bashku me Katerinën, pasi unë i ngjaja shumë Atij.

Gori ynë i dashur, u lind, u rrit, u edukua e shkollua, nga dy prindër të ndershëm e të mençur, të cilët i treguan rrugën e drejtë. Por Gori vet me zotësi udhëtoi nëpër këtë rrugëtim të jetës, me shumë mençuri, durim e këmbëngulje. Gori kishte një natyrë dinamike, por mbi të gjitha ishte një njeri me karakter të qendrueshëm, besnik i idealeve të Tij, me ide e shpirt demokratik. Ishte sa i thjeshtë e zemërgjerë, aq i dashur e i respektuar me të gjithë. Gori Bare përbën një jetë me vlera të larta njerëzore, qytetare, intelektuale dhe atdhetare. Duke u hedhur edhe në krahët e bardhë të kujtimeve të miqve të tij më të afërt, si Zeqir Ribaj, Vitri Zyka, Ejup Mita, Kastriot Rrapaj, Luan Muhameti, Tofik Deda, Simo Petromilo, Qebir Demiraj, Llambi Prifti, Merko Vangjeli, Leko Gjoleka, Iljas Gjoleka, Syrja Sherifi, Bejo Xhaferi e Muhamet Tartari, në këtë libër homazh, thërrimet e dritës i mblidha me magnetin e shpirtit, sepse e meriton nderimin deri në paharrim Gori Bare, njeriu me respekt te malet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat