Nuk vdes kënga dhe ideali i rapsodit! ...

Kultura

Nuk vdes kënga dhe ideali i rapsodit! ...

Nga: Ajete Zogaj Më: 23 nëntor 2016 Në ora: 14:27
Muhamet Selman Bashota

Muhamet Bashota u lind në Bubavec të Malishevës më 3 qershor 1937  në një familje bujare, me tradita atdhetare e liridashëse. Ishte djali i vetëm i atdhetarit e rapsodit Selman Bashota, vëllau i 3 motrave. Babai i tij Selmani ishte një atdhetar i devotshëm e personalitet i respektuar për kohën e tij, kurse nëna e tij Aza një grua fisnike nga Likovci i Drenicës, ishte bijë e familjes së Istref Hotit apo siç njihej në popull Istref Sheqa, komandant i Batalionit të IV të Brigadës së Shaban Palluzhës.  Lindja e Muhametit djalit të vetëm të Selman Bashotës ishte gëzim i madh jo vetëm për familjen por dhe farefisin Bashota.

Jeta e rëndë nën okupimin serb

Fëmijëria e Muhamet Bashotës ishte padyshim si e të gjithë fëmijëve të tjerë kosovarë në ato vite dhe rrethana të rënda jetese nën pushtimin serb.. Muhamet Bashota u rrit në një familje ku brumosej tradita e besës e mikpritjes, e nderit dhe e fjalës. Kulla e babait të tij Selman Bashota, ishte kulla që strehoj atdhetarë të kohës: Istref Hotin me shokë, rapsod e atdhetar nga të gjitha trojet shqiptare. Ishte kullë që lidhte Dukagjinin me Drenicën, Llapin e Gollakun, ngase, ishin të vëllazëruar me familjen e atdhetarit  Ramë Sadiku nga Mazniku i Dushkajës ( babai i rapsodit të ndjerë  Bajrush Doda).

Motoja jetësore e Selman Bashotës ishte:  ku do që të shkosh ndërtoje nga një shtëpi, dhe ruaje traditën e vatanin. Kjo moto jetësore e babait të tij,  e përcolli Muhamet Bashotën gjatë gjithë jetës. Ku do që shkoi krijoi miq e shokë, në të gjitha trevat shqiptare.

Që i ri, u bë krah i familjes, kurse u rrit me këngën e babait për Kosovën, me vuajtjet e popullit shqiptar...me vrullin e luftës për liri të përcjella me këngët e telat e çiftelisë.

Një kohë punoj në plantacionin e vreshtarisë  së vishnjave në OP “Mirusha”.

Një jetë e tërë me këngën

Këngën e filloi që herët me babanë e tij Selman Bashota, për ta vazhduar deri para dy vitesh, kur sëmundja e dërmoi keq e ia ndërpreu këngën... Kështu pra, rapsodi i njohur Muhamet  Bashota, i kaloi me këngë të gjitha vitet e jetës së tij,  duke përjetuar për këto vite batica e zbatica të ndryshme që sjell jeta, gëzimet e shumta që kishte përjetuar me sharki në dorë në Dukagjin, Malësi të Gjilanit, Llap e Gollak, Llapushë e Drenicë, por edhe në festivale të shumta. 

Rrjeshtohet në stafin e parë të gjeneratës së rapsodëve popullorë e që përbëhet nga emrat e shquar të folklorit duke filluar nga: Salih e Feriz Krasniqi, Riza Bllaca,  Dervish Shaqa, Demush Neziri, Tahir Drenica, Sefë Mleqani, e Osman Sefë Mleçani,  Qamili i vogël, Ali Krasniqin e Halil Bytyqin,  e shumë e shumë rapsodë të tjerë të folklorit burimor shqiptar. Thuhej se në atë fshat ku këndonte Muhamet Bashota në dasmë, lajmi përhapej shumë shpejt, adhurues të këngës së tij ishin të shumë.Zëri i këngës së Muhamet Bashotës, ishte zëri i kushtrimit, zëri i historisë sonë i përcjellur me tingujt e çiftelisë, ai ishte bërë tingëllimë e fuqishme e kohës, zë që i   jepte fuqi luftëtarit në istikame me këngën “ Oj Kosovë oj bukuroshe” e motivonte ushtarin e UÇK-së të lufte për Kosovën.                                                

Në raportuarin e tij muzikor kultivoj këngë nga motivet më të ndryshme si: këngë historike, këngë të kaçakëve e këngë trimërie, përmes së cilave lartësohej qëndresa dhe lufta heroike e popullit shqiptar ndër shekuj.  Ndër këngët e tij më të dashura ishin :  Kënga për Azem Bejtën,  Amet Shtimen, Asllan Begun, Lidhjen e Prizrenit,  Haxhi Zekën, Mic Sokolin e Smajl Hysenin, Ymer Prizrenin , Qorr Ilazin, Kamer Lloshin, e shumë e shumë  këngë të tjera  që te masat popullore zgjonin ndjenjat e dashurisë.

 Me këngën atdhetare, Muhameti edukoj djemtë dhe vajzat e tij.

E gjithë familja Bashota  asnjëherë nuk iu gjunjëzua pushtetit, por i qëndroi përballë duke mos u përkulur kurrë!

  Djali i tij Fadili u keqtrajtua e maltretua në ish armatën jugosllave si “anti-jugosllav” e “ armik” i shtetit. Djali i tij Haziri në Gjermani, u angazhua në lëvizjet për t’i ndihmuar luftës në Kosovë, kurse Beqiri e Naimi ishin ushtarë të dalluar në UÇK. Por, jeta në Kosovë ishte shumë e vështirë. Ishin vite të vështira të represionit dhe dhunës së egër serbe ndaj popullatës shqiptare.

Zëri i këngës së Muhamet Bashotës, ishte zëri i kushtrimit, zëri i historisë sonë i përcjellur me tingujt e çiftelisë

Kështu që, këtyre torturave nuk u shpëtoi as rapsodi Muhamet Bashota i cili nuk shihej në sy të mirë nga organet  policore  të cilat i kërkuan shumë herë të hiqte dorë nga kënga, sidomos ajo patriotike.                                                                                                               

Muhamet Bashota,  kjo legjendë e folklorit shqiptar, gjatë gjithë jetës së vetë  i qëndroi  besnik folklorit burimor autoktonë.

 Këngëtari i mirënjohur i muzikës folklorike, Muhamet  Bashota  ndërroi jetë më tetëmbëdhjetë nëntor të këtij viti pas një sëmundje të rëndë, duke lënë pas vetes shumë këngë që do të mbesin për herë në kujtesën e brezave që do të vijnë. Këngët dhe zëri i tij do të dëgjohen përherë në të gjitha trojet shqiptare. Vdekja e artistit është vetëm vdekje fizike, sepse Ai vdiq për të  mos vdekur kurrë...Gjithmonë do të jetojë kënga e zëri i tij, kushtrimi i këngëve të tij si jehonë e kohës.. Rrezet e diellit e shoqëruan deri në banesën e fundit, sikur donin t’i thoni:

“Edhe kënga jote do të rrezatojë gjithnjë, ashtu si rrezet e diellit, në historinë e folklorit burimor shqiptar”...Qindra e mijëra njerëz ia mësymë fshatit Bubavec për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Ai, do të kujtohet përgjithmonë nga ne, do të jetojmë me këngën e  tij, mirësinë, bujarinë e fisnikërinë të cilën e kultivojë gjatë gjithë jetës.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për TË!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat