Anekdota popullore x-margaritarë të thesarit tonë folklorik

Kultura

Anekdota popullore x-margaritarë të thesarit tonë folklorik

Nga: Mehmet Halimi Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 00:26
Mehmet Halimi

Dr. Mehmet Rukiqi, tani është bërë emër i njohur dhe i shquar, jo vetëm si mbledhës, por edhe si studiues i folklorit shqiptar. Ai dallohet ndër anekdotistët më prodhimtarë në fushën e fokloristikës shqiptare. Ai e lëroi dhe e përpunoi, eksploroi dhe botoi deri më tani dhjetë vëllime me anekdota, që arrijnë shifrën mbi 5000 njësi anekdotike, e që në fondin e tij të pasur presin të botohen e të shohin dritën dhe po kaq njësi folklorike (anekdotike).

Këtë vëllim, në shenj përkujtimi të 90-vjetorit të shkuarjes në amshim, autori ia kushton intelektualit e mendimtarit, poetit e publicistit, mësuesit dhe heroit të popullit, drejtorit të parë të Normales së Elbasanit (1909), bashkëpunëtorit më të afërm të Ismail Qemalit – LUIGJ GURAKUQIT.

Autori këtë vëllim të anekdotave e ndërton dhe e organizon me një parathënie studimore, si çelës të veprës, duke ndarë vëllimin në fjalë në pesë kapituj: në rrethana familjare, rrethana ekonomiko-shoqërore, në elemente të kulturës popullore, në pikëpamje etike dhe pikëpamje filozofike. Kapituj këta në të cilët: Gjuha e anekdotës dallohet me rrjedhshmëri, maturi e elasticitet të fjalës. Me pak fjalë thuhet shumë. Stili i saj është lakonik popullor, me alegori, me metafora e simbole. Tregimtari, në raport me dëgjuesin, sikur i përmbahet parimit filozofik diogjenian: “S’ka nevojë që dëgjuesit tuaj t’ia jepni të gjitha fjalët saktësisht e plotësisht. I lejoni disa gjëra që ai vetë t’i konkludojë e t’i çojë më tej pavarësisht” (Parathënie, f. 8). Vëllimi në fjalë është pasuruar e konsultuar me literaturë burimore, me shkurtesa dhe me fjalorin e fjalëve të panjohura: turke, arabe, greke e sllave, me listën e tregimtarëve, personazheve, indeksin e emrave të vendeve, shënime për autorin dhe përmbajtja si tryezë e lëndës. Shtylla këto që e përbëjnë skeletin arkitetktonik të tërësisë së vëllimit në fjalë, që shënojnë vëllimin e dhjetë të anekdotave, nga njëra anë, kurse veprën e 24 në radhë, nga ana tjetër të këtij autori të frytshëm.

Veprën, vëllimin X, të cilin po e përurojmë sot, unë do ta kundrojë e ta trajtoj nga dy aspekte apo dy tipare kryesore të punës studimore të autorit dr. Mehmet Rukiqit.

E para, ndonëse fokloristi i zellshëm i pasionuar, mbledhësi e klasifikuesi dorëmbarë, nga njëra anë, por edhe studiuesi i spikatur i folklorit shqiptar, nga ana tjetër, megjithëse ka shkelur vitet e tetëdhjeta të moshës së tij, ai lë prapa vitet, sipas thënies së bukur jugore “vitet tutje, e ai tëhu” vazhdon të punojë e të botojë vëllime folklorike, kryesisht me anekdota si gjini e veçantë e më tërheqëse për autorin. Prof. Mehmet Rukiqi është njëri ndër folkloristët më prodhimtar shqiptarë, i cili me prurjet e veta të pasura, me botimin e vëllimit të X, po shënon rezultate të çmueshme e të lëvdueshme, duke mbajtur primatin rekord në lëmin e botimit të anekdotave. Si i këtillë dr. Mehmet Rukiqi, është njëri ndër, jo vetëm mbedhësit e seleksionuesit, sistemuesit e botuesit, por edhe studiuesit, i cili me përkushtim e mjeshtri ndjek e heton, zbulon e shënon dhe nga zgjojet e hojet e trojeve tona, si bleta punëtore, mbledh e zgjedh, dallon e veçon me pedantëri e dashuri nektarin e thesarit tonë të pasur anekdotik folkorik.

Dr. Mehmet Rukiqi gjithnjë e më tepër po dëshmohet si një folklorist i rryer e i vyer, në kohën kur mbi supet e tij po rëndojnë vitet e pleqërisë, ai me punën e vet kolosale në fushën e folklorit, po dëshmon e po shpalon energjinë e tij rinore e mjeshtërinë rutinore, duke nxjerr nga arsenali arkivor i fondit të vet të pasur të anekdotave të vjela si margaritarë të thesarit tonë folklorik qe një gjysmë shekulli e tëhu, ai arriti me sukses të prek majat piramidale, jo vetëm në aspektin sasior, por edhe cilësor të anekdotave shqiptare.

Kjo është njëra ndër cilësitë, përparësitë dhe epërsitë që dr. Mehmet Rukiqin e dallon dhe e shquan nga të gjithë kolegët e tij mbledhës dhe studiues, folkloristë të deritanishëm shqiptarë.

E dyta, tipar dhe karakteristikë dalluese e dr. Mehmet Rukiqit është se e veçon atë nga folkoristët tjerë shqiptarë, qoftë si mbledhës, qoftë si botues e studiues, është se dr. Mehmet Rukiqi ka lindur e është rritur, është edukuar e burrëruar në një truall të njohur për anekdota, në krahinën e Drenicës, e cila është e dalluar për mënyrën e bisedimit e komunikimit, për përdorimin e kultivimin e anekdotave. Pikërisht për këtë fakt, dr. Mehmet Rukiqi që në moshën e vegjëlisë – si fëmijë, duke ndejtur në odën e burrave, ai thithi e prthithi nektarin dhe ajkën e anekdotave dhe shijoi e përjetoi bukurinë e elokuencës oratorike të odave drenicare, i cili kur do të rritet e madhohet, do të selitet e vaditet gjithnjë me endrrën e dëshirës së madhe që në mesin e shkencave albanologjike do të studiojë folkloristikën shqiptare, kryesisht kureshtjen e tij të flakt dhe interesimin e shtuar do ta drejtojë e orientojë, do ta përqëndorjë e shfrytëzojë tërë energjinë në mbledhjen e sistemimin, në botimin e studimin e anekdotës, si gjini e veçantë folklorike, fillimisht asaj drenicare, e pastaj duke zgjeruar gamën e interesimit, rrezaton edhe të asaj mbarëshqiptare.

Dr. Mehmet Rukiqi ka një përparësi, sepse njohuritë e bukuritë e shprehjes figurative të anekdotave, siç thotë populli i ka me t’leme, që ai më vonë do t’i plotësojë e pasurojë gjatë gjithë jetës, tash si intelektual i shkolluar, si specialist e folklorist i anekdotës edhe me t’bleme, si faktor shtesë dhe i domosdoshëm jo vetëm praktik, por edhe teorik. Ndaj koordinimi, gërshetimi e kombinimi i së lemes dhe të blemes me sukses të plotë i tejkalon të gjitha vështirësitë e pengesat eventuale që autorit mund t’i dalin përpara. Sepse në të ekzistojnë dispozitat: dëshirë e vullnet, energji e vendosmëri për të arritur qëllimin e synimin e caktuar në një fushë përkatëse, në këtë rast të përqëndruar pikërisht në anekdotën, e cila me stiline saj të ngjeshur e të kondenzuar, me një tekst të dendur, të shkurt e të saktë, të pasur me figura shpreh madhështinë e bukurinë, filozofinë e mendjemprehtësinë e popullit tonë të robëruar ndër shekuj. Për dallim nga folkloristët tjerë, dr Mehmet Rukiqi nuk është vetëm një regjistrues e shënues, botues e studiues, por edhe transmetues e kultivues i pasionuar i anekdotave ndër ndeja burrash. Ai nuk i tregon kurrë ato pa shkas e pa kontekst të caktuar të komunikimit bisedor. Sepse ai don t’i veçojë e t’i dallojë, t’i çmojë e t’i vlerësojë më lartë nga vicat ndërkombëtar që tregohen në çdo rast e çast, vetëm për të krijuar atmosferë humoristike. Anekdotat  dr. Mehmet Rukiqi i tregon e ritregon në ndeja, në kontekst të caktuar të bisedave tematike, kur atyre u vie rasti e çasti, ai e fuqizon mendimin e vet, duke thënë fjalë me vend, fiton respekt e nderë në kuvend. Pra, edhe ky dimension është një tipar që e dallon folkloristin tonë të shquar, rekorderin e anekdotave shqiptare.

Do të jetë mëkat i madh dhe i pafalshëm i shoqërisë sonë, nëse nuk do të ketë mirëkuptim e gatishmëri që tërë fondin e anekdotave – thesar i çmueshëm e i pakompenzueshëm i folklorit shqiptar, nuuk e boton për të gjallë të autorit, që arrinë mbi 12 mijë njësi (anekdotike) folklorike e të konkurrojë me to në UNESCO si një monument kulturor njerëzor, që mbase dallohet ndër popujt më të pasur me anekdota në botë, të cilat me zhvillimin e hovshëm të globalizimit botëror po shkrihen e po treten si relikte të një qytetërimi të perënduar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat