Politika e jashtme e Kosovës në optikën e një ministri intelektual

Kultura

Politika e jashtme e Kosovës në optikën e një ministri intelektual

Nga: Prof. Dr. Agron F. Fico Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 15:08
“Ngritja e një shteti” nga Enver Hoxhaj)

Panteoni i diplomatëve të shquar të kombit shqiptar është plot e përplot. Ata në rrethana historike të ndryshme kanë mbrojtur dhe përfaqësuar idealet e shenjta të lirisë, pavarësisë dhe ekzistencën e kombit shqiptar.
 
Ishte një kënaqësi e veçantë intelektuale që më ra në dorë një libër i rrallë dhe krejt rastësisht. Ndërsa po rrija në hollin e hotelit tëri “me pesë yje” Piazza, në qendër të Tiranës, me mikun tim, Ramiz Doko, u duk në sallon një burrë me pamje fisnike dhe fytyrë të ëmbël, zoti Enver Hoxhaj, ministri i jashtëm i Kosovës. Papritur u ngrita në këmbë dhe pas përshëndetjes i thashë se “Komenti i juaj në emisionin e Top Channel me Sokol Ballën, ishte mbresëlënës dhe ishte në boshtin e një dialogu intelektual.”
 
Ndihmësi i tij, zoti Valon Berisha, pas pak më solli librin e zotit Hoxhaj “Ngritja e një shteti”, që sapo ishte përuruar në Tiranë.
 
E lexova me etje dhe me vëmendjen tashmë të kultivuar në botën e librave e vendosa të ndaj me lexuesit përshtypjet e mia, madje pa u shtrirë në “analiza” dhe “gjykime shabllone.”
 
Vite të tëra kam jetuar në Nju Jork dhe në gjirin e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, kam mundësuar që të organizojmë përurimin e mjaft librave që kanë pasur të bëjnë  me Kosovën – luftën dhe përpjekjet legjendare të popullit shqiptar të Kosovës kundër sundimit ushtarak, kolonialist serb gjer në çlirimin e saj dhe shpalljen e pavarësisë dhe vendosjen e rendit multi-etnik demokratik. Kam qenë recensuesi ose referuesi kryesor në përurimin e librave si: “Shqiptarët e Amerikës” të publicistit të njohur dhe botues i tanishëm i gazetës “Illyria” Vehbi Bajramit; “Ekspresi i Kosovës” i shkrimtarit dhe publicistit të Britanisë së Madhe James Pettifer; “Faleminderit Amerikë” e biznesmenit Shaqir Gashi; “Paqja e ftohtë” e Prof. Dr. Agim Zogajt; “Beteja për Kosovën 1389” e diplomates amerikane Prof. Anna Di Lellio; poema epike si dhe filmi “Ata nuk ishin vetëm” të regjisorit dhe artistit të shquar nga Struga, Xhevat Limani etj., si dhe muajin e kaluar botova një ese për librin “Dëshmi në kohë” të gazetarit-diplomat Luz Thaqi; e libra të tjerë, që formojnë peizazhin intelektual për një konceptim më të veçantë të librit “Ngritja e një shteti” të ministrit diplomat zotit Enver Hoxhaj.
 
Në këtë sfond njohjeje të prurjeve shkencore, intelektuale të elitës së Kosovës ka qenë edhe një ngjarje e shënuar, e shtrenjtë dhe e paharruar. Isha fatbardhë që u bëra mikpritësi në Qafë Thanë dhe shoqëruesi i shpurës së parë intelektuale nga Kosova në ditët e para të janarit 1958, të ftuar për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për nder të 500-vjetorit të përkujtimit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në gjirin e këtij delegacioni ishin: Prof. Idriz Ajeti, kryetar, prof. Anton Çeta, Mark Krasniqi, Syrja Popovci dhe Zef Mirdita. Me ta u bëra miq dhe me disa prej tyre pata edhe shkëmbime të botimeve dhe studimeve tona.
 
Libri i zotit Hoxhaj “Ngritja e një shteti” është një përpjekje e mundimshme, por e suksesshme për të paraqitur historinë dhe dinamikën e politikës së jashtëm të shtetit të Kosovës si një proces kompleks dhe plot sfida.
 
“Ky libër ka lindur nga rrethanat reale dhe dramatike të një shteti të ri në ngritje.” (F. 9) - shkruan autori.
 
Pa dyshim mund të thuhet se kjo politikë e jashtme lindi dhe u rrit bashkë me luftën çlirimtare kundër pushtuesit të egër e dinak serb, u ngjiz hap pas hapi në takime, ballafaqime dhe mbrojtje të pikëpamjeve atdhetare dhe demokratike.
 
Arkitektët e kësaj politike të jashtme ishin vetë shqiptarët trima të Kosovës, nga lindën dhe dolën edhe përfaqësuesit më dinjitozë të saj, ata që u bën dhe janë mendja, zemra dhe vullneti i një populli, që për lirinë dhe pavarësinë e vet ka bërë male me sakrifica dhe ka derdhur lumenj me gjak.
 
Libri rri në shtratin e një libri akademik dhe, krahas koncepteve teorike diplomatike, fakteve dhe materialeve të shumta, jep edhe vizionin e politikës së jashtme të Kosovës së re, si shtet i ri me një të ardhme të sigurt euro-atlantike.
 
Autori që në fjalinë e parë në “parathënie” na kumton objektin themelor të librit. Ai shkruan se “Libri... është një ftesë për një mendim strategjik mbi ecjen e Kosovës në politikën e saj të jashtme”. (F. 9)
 
Në dendësinë e një lënde të përzgjedhur për diplomacinë e Kosovës, profesori universitar dhe politikani i përkushtuar, zoti Enver Hoxhaj ka gërshetuar dy stile: atë të lektorit akademik, që spikat nga parashtrimet e koncepteve profesionale si “fuqi e zgjuar”, “fuqi e butë” “politika e dy niveleve” etj., kërkesa të metodikës universitare dhe e dyta, më e bollshme, lindjen, ngritjen e diplomacisë së shtetit të Kosovës në epokën e globalizmit dhe revolucionit kompjuterik.
 
“Gërshetimi i dimensioneve teorike dhe praktike - nënvizon autori - ka rezultuar në ndërtimin e një politike të jashtme të menduar mirë.” (F. 14)
 
Ministri i Jashtëm i Kosovës së re, Kosovës – shtet i pavarur dhe demokratik, Enver Hoxhaj, ka qenë dhe është dëshmitar dhe pjesëmarrës aktiv në ngjarjet më të shënuara në ngjizjen e politikës moderne të shtetit të Kosovës, që nga bisedimet në Vjene e gjer në takimet dhe marrëveshjet në Bruksel.
 
Në libër sillen mjaft të dhëna konkrete dhe fakte për këto ngjarje, që secila përcjell edhe ballafaqimet midis qëndrimeve të ndryshme.
 
Mjafton të përmendim temat e përfshira në libër për të rrokur tërësisht anatominë e koncepteve dhe ideve të autorit, i cili shpalos me gjuhën dhe stilin e një studiuesi të mirëfilltë të fushës që lëvron. Ja cilat janë këto tema:
 
Kosova dhe pozita ndërkombëtare; fuqia dhe shtetet e vogla; politika e jashtme si “lojë në dy nivele”; premisat intelektuale dhe vlerat; karakteri unik i politikës së jashtme; njohja ndërkombëtare; bota komplekse multilaterale; fqinjësia konstruktive; marrëdhëniet e vështira me Serbinë; rikthimi i vonshëm në Evropë; partnerët dhe kundërshtarët; drejt një mendimi strategjik; politika rajonale e Kosovës; e ardhmja euro-atlantike; dhe Kosova dhe e ardhmja në OKB.
 
Vend të gjerë në libër zë edhe sqarimi, ose më saktë përcaktimi shkencor i disa koncepteve ose termave që përdoren gjerësisht në literaturën diplomatike, si ai për kontekstin “ndërkombëtar”. Autori shkruan se ndërkombëtar, “ka të bëjë me shtrirjen e politikës së jashtme, me atë ku ndodh ajo... Për të treguar zgjerimin e saj përdoren edhe terma gjeometrikë, si sfera të ndikimit; rrathë koncentrikë, trekëndësha, si simbole të tjera. Sipas disa studiuesve, “ndërkombëtarja” ka dy dimensione - një horizontale dhe tjetra vertikale.” (F. 106). Autori na thotë se “De jure Shqipëria u njoh ndërkombëtarisht si një shtet i pavarur kur u pranua në Lidhjen e Kombeve, më 17 dhjetor 1920. (F. 112)
 
Është e kuptueshme që “marrëdhëniet e vështira me Serbinë” do të zinin një vend të veçantë në librin “Ngritja e një shteti”, të zotit Enver Hoxhaj, madje do të shtriheshin gati në të gjithë kapitujt e tjerë të librit sa herë që ai u referohet aspekteve të ndryshme të këtyre e marrëdhënieve, marrëdhënieve e Kosovës me Serbinë.
 
Shqiptarët nuk e kanë pranuar kurrë copëtimin e padrejtë të territoreve të tyre nga traktati emër-keq i Londrës (1913) që gjysmën e Shqipërisë ia jepte Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Shqiptarët kanë luftuar, kanë bërë sakrifica të pazakonta dhe kanë derdhur lumenj me gjak për trojet e tyre, në një hark kohor tepër të gjatë.
 
Në rrethana të reja ndërkombëtare, në krijimin e forcave të reja politike, më 1999 populli i Kosovës dërrmoi pushtuesin serb dhe fitoi lirinë e dëshiruar.
 
Është me të vërtetë në kufijtë e legjendës dhe gati e padëgjuar - shkruan gazetari i njohur anglez J. Pettifer - qëndresa e shqiptarëve që “Luftonin në radhët e UÇK-së dhe përpiqeshin t’i nxirrnin plumbat nga krahët dhe kofshët me lugë, pasi nuk kishin pajisje mjekësore. (James Pettifer: Ekpresi i Kosovës”, f. 71.)
 
Në tërësinë e tyre, marrëdhëniet, zigzaget dhe pengesat e ngritura nga Serbia nuk do të arrijnë të ndalin dot përparimin historik të shtetit të ri të Kosovës në ecjen e sigurt drejt bashkimit me Europën dhe komunitetin ndërkombëtar, përfshirë edhe anëtarësimin në OKB.
 
Në kapitullin 8, “Fqinjësia konstruktive”, piketën “Trekëndëshat rajonalë të bashkëpunimit”, në faqe 172-174 dhe paragrafin e parë të faqes 175, zoti Hoxhaj ia kushton marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë. Ai shkruan: “Në trekëndëshin e parë të fqinjësisë konstruktive, Kosova e sheh Shqipërinë partnerin më të natyrshëm, për shkaqe historike, kulturore dhe politike. Në të njëjtën kohë edhe për shkaqe të njëjta, Shqipëria është partneri më strategjik për Kosovën në krahasim me çdo shtet tjetër të rajonit.” (F. 172)
 
Autori shtjellon shkurt historikun e këtyre marrëdhënieve, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Në planin politik, një çast kyç në krijimin e një baze të re të bashkëpunimit ndërshtetëror ka qenë “Protokollit i Bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë” (mars 2013), por, shton autori, kapitulli me të vërtetë i ri i bashkëpunimit në mes dy vendeve u hap në Prizren, në janar 2014, ku u mbajt mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë. U miratua deklarata e partneritetit strategjik nga dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Edi Rama.
 
Madje, mendoj se analiza dhe vizioni i autorit për perspektivën e bashkëpunimit dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pavarësisht nga rreziku i keqkuptimit nga kundërshtarët e shqiptarëve, është mbresëlënës dhe parimor. Në kapitullin 8 – “Politika rajonale e Kosovës”, zoti Hoxhaj parashtron dy skenarët e mundshëm të këtij bashkimi.
 
Në vitin 2009 botova librin “Rilindja e Shqipërisë etnike” në të cilin kam shtjelluar gjerë gjithë perspektivën historike dhe kontekstin politik të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, edhe si ëndërr dhe dëshirë, edhe si një e drejta e tyre historike. Bashkimi i dy Gjermanive, që i dha fund edhe Luftës së ftohtë, ishte me rëndësi të pazakontë, si për popullin gjerman, edhe për Europën dhe të gjithë botën. Kështu do të ndodhte edhe me bashkimin e shqiptarëve, që do të sillte qëndrueshmëri në Europën Juglindore dhe do të shtonte mundësitë e bashkëpunimit rajonal, sepse dihet që shqiptarët janë miqësorë, paqësorë dhe mbartës të një civilizimi të lashtë.
 
Më duket me interes të veçantë të shtoj se, diplomacia e Shqipërisë, në të gjitha kohët, çështjen e fatit të Kosovës, të popullit të saj, e ka pasur të shtrenjtë dhe parimore.
 
Në vitin 1936 ish-ministri i Jashtëm i mbretërisë të Shqipërisë, Rauf Fico, u caktua ambasador me qendër në Beograd, por mbulonte edhe disa shtete të Europës, duke përfshirë edhe Gjermaninë.
 
Në Beograd, gjithë vëmendja e Raut Ficos ishte fati i shqiptarëve, që ishin nën regjimin e egër serb. Ai, shpesh dhe nën një vëzhgim të rreptë të policisë sekrete serbe, dilte nëpër Kosovë dhe shikonte se si reforma agrare e ndërmarrë nga qeveria shoviniste e Beogradit po i zhvishte fshatarët shqiptarë nga pronësia e tokës dhe i hapte udhë shtegtimit të detyrueshëm. Në këto vite janë të shumta raportet që Ministri Rauf Fico i dërgonte mbretit për gjendjen e vështirë dhe shumë të vështirë të shqiptarëve të Kosovës.
 
Çështja e Kosovës dhe e fatit të popullit shqiptar të Kosovës ishte dhe mbeti kryesore, parësore në veprimtarinë diplomatike të Rauf Ficos Para paraqitjes së letrave kredenciale Kancelarit të Gjermanisë, në variantin e parë të këtyre letrave, ambasadori Fico shprehte me shkathtësi edhe dëshirën që të bisedonte edhe për Kosovën. Ministri i jashtëm gjerman e kishte gjetur jo të përshtatshme.
 
Megjithatë, në takimin direkt me Kancelarin, ambasadori, me statusin e një diplomati me përvojë të gjerë, gjeti mënyrën e zgjuar që të fliste edhe për fatin e Kosovës.
 
Fakti që foli gjermanisht dhe sjellja e qëndrimi diplomatik klasik bënë përshtypje befasuese.
Kur mbaroi takimi, Kancelari i tha Ministrit të vet të Jashtëm se “Shqipëria qenka vend i burrave, përderisa ka dërguar këtu këtë burrë.”
 
Përbën një vlerë të rëndësishme dhe të veçantë fakti që Ministri Hoxhaj i kushton një analizë të gjerë dhe mjaft të dukshme kontributit të diplomacisë amerikane, si faktor parësor në fitoren e popullit shqiptar Kosovës në luftën kundër sundimit serb dhe në lindjen, ngritjen dhe forcimin e shtetit të ri demokratik të Kosovës. Presidenti Bill Klintoni, Sekretarja e Shtetit Madlenë Ollbrajt dhe një varg diplomatësh të karrierës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bënë mbrojtës dhe garantë të dëshirës dhe vullnetit të popullit kosovar për liri.
 
Presidenti Bush, ndërsa ishte për vizitë në Tanzani, shpalli i pari botërisht njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Këto qëndrime të mençura politike dhe diplomatike të udhëheqjes amerikane i hapën udhë procesit të krijimit, njëherazi dhe të mbrojtjes të shteti të ri të Kosovës në arenën botërore.
 
Po le të lexojmë se çfarë na thotë vetë autori: “Nga malet e Ballkanit, Kosova e sheh para së gjithash Amerikën në botë” (f. 247)  dhe se “Historikisht, në Kosovë, kishte pasur çdo herë një simpati për Amerikën dhe konsiderohej si forca kryesore e botës perëndimore”. (F. 257)
 
Madje, autori ndalet më gjerë tek kapitulli XIV - “E ardhmja euro-atlantike” (Partneriteti strategjik me SHBA-në dhe siguria e Kosovës) ku nënvizon idenë se “Partneriteti me Amerikën është me rëndësi edhe për një fushë tjetër jetike - sigurinë. Pikërisht në këtë sektor partneriteti bëhet edhe më i mirëfilltë, meqë të dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta.” (F. 353)
 
Libri “Ngritja e një shteti” me autor Ministrin e Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj meriton studime dhe ese më të mëdha dhe, natyrisht, më të thelluara, që kapërcejnë caqet e këtij shkrimi.
 
Libri “Ngritje e një shteti” i ka të gjitha cilësitë e një libri të mirëfilltë shkencor, por edhe të lehtë për publikun e gjerë. Ndofta e veçanta më kryesore është aparati shkencor, i pasur dhe i ngjeshur me informacion; me 15 kapituj, në 434 faqe, i pajisur me 634 zëra, referenca, e me bibliografi në gjuhët më aktive të rruzullit tokësor, anglisht, gjermanisht, frëngjisht etj. Madje këto referenca, zëra bibliografikë, shpesh janë mjaft të hollësishme, mbushur me të dhëna shteruese për çështjen që u referohet, në gati një faqe të tërë. Ja ndonjë shembull: f. 403/ 173, 405/ 199, 407/ 221, “Për Zvicrën dhe sjelljen e saj”.
 
Është për t’u përgëzuar autori për seriozitetin, vëmendjen që ka treguar për gjuhën shqipe, gjuhën e standardit kombëtar, që e bën leximin të këndshëm dhe të lehtë për të depërtuar në konceptet dhe ligjet e diplomacisë.
 
Ky është një libër realist, libër i vërtetë, se me statusin e intelektualit, autori mban qëndrime dhe përgjegjësi për ngjarjet dhe sfidat që ka hasur dhe has politika e jashtme e Kosovës, në të cilat ai ka qenë herë autor dhe herë aktor.
 
Libri pasuron bibliotekën shqiptare, se ky është libër i shkencës diplomatike, që është aq i nevojshme për diplomatët e karrierës; por njëherazi edhe një libër kulture me plot të dhëna historike, politike, gjeografike, ekonomike, demografike etj.
 
“Ngritja e një shteti”, libri i Enver Hoxhajt, edhe pse flet për të shkuarën nga koha e sotme, na jep mesazhe bindëse për të ardhmen e ndritur të Kosovës dhe politikës së saj të jashtme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat