Rama: Fondet arkeologjike të muzeve, plot me dëshmi të kohës kur Ciceroni shëtiti në tokën shqiptare

Kultura

Rama: Fondet arkeologjike të muzeve, plot me dëshmi të kohës kur Ciceroni shëtiti në tokën shqiptare

Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 21:10
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama në një postim në rubrikën e tij Amarcord ka shkruar mbi Ciceronin, i cili vdiq më 7 dhjetor të vitit 43, p.e.s.

Rama shkruan se fondet arkeologjike të muzeve shqiptare janë plot me dëshmi të kohës kur i madhi Ciceron shëtiti në tokën shqiptare dhe përmes programit të Rilindjes, këta muze kanë hyrë në një proces ripërtëritjeje tërësore pas vitesh të tëra braktisje e pluhurosje.

“AMARCORD

Magjistrati, filozofi dhe eruditi i madh romak, Ciceroni, shprehja e të cilit “Për të qenë të lirë, lipset të jesh skllav i ligjit”, është lajmotiv për çdo qytetar të mirë, i mbylli sytë më 7 dhjetor të vitit 43, p.e.s.

Ai është nga të parët njerëz të mëdhenj të historisë që duket se i ka rënë tokës sonë kryq e tërthor, prej Durrësit ku mërgoi një farë kohe për t’i shpëtuar presionit të Çezarit dhe ku skllavi i tij, Dionisi, përfitoi nga rasti t’i lërë shëndenë, deri poshtë përgjatë rrugës për të mbërritur në kampin e Pompeut në Farsalë, në Greqi.

Në fjalimin e 11 të Filipikeve kundër Mark Antonit, Ciceroni përmend Bylisin, Amantian, Epirin dhe Ilirinë. Apolloninë, prej ku vjen busti i mrekullueshëm i një magjistrati të shek. III p.e.s., në këtë foto dhe që sot gjendet në Muzeun Historik Kombëtar, ai e cilëson si “magna urbs et gravis”, qytet të madh e të rëndësishëm.

Fondet arkeologjike të muzeve tanë janë plot me dëshmi të kohës kur i madhi Ciceron shëtiti në tokën shqiptare dhe përmes programit tonë të Rilindjes, këta muze kanë hyrë në një proces ripërtëritjeje tërësore pas vitesh të tëra braktisje e pluhurosje”, shkruan Kryeministri Rama. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat