Sofra e një qyteti bujar

Kultura

Sofra e një qyteti bujar

Ramadan ÇEKA Nga Ramadan ÇEKA Më 7 janar 2017 Në ora: 17:06
Shoqëria Kulturore "Jehona e Shkodrës", shtron sofren tradicionale shkodrane

Dhjetori kishte veshur petkun shumë ngjyrësh e festave të fundvitit, i mbështetur dhe nga një kohë jashtëzakonisht e bukur, duke shërbyer kështu si një dekor gjigand piktoresk, për t'i dhënë kësaj sofre emrin e mikpritjes së Rozafës së lashtë, që shkodranët e gjithë brezave meritojnë ta kenë. 

Kështu pra, në këtë atmosferë u shtrua "Sofra Shkodrane" edhe këtë vit.

Kjo ngjarje rastisi të organizohej dhe të bëhej edhe më interesante si pjesë e një ngjarje tjetër të madhe, që qyteti i Shkodrës për tre netë me radhë përjetoi pas 27 vteve emocionet e festivalit të këngës qytetare "Luleborë".

Shoqëria Kulturore "Jehona e Shkodrës" në bashkëpunim me Radio Televizionin Shqiptar dhe Star Plus Televizion, organizoi spektaklin tradicional të fundvitit "Sofra Shkodrane", me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe humoristëve më të shquar shkodranë, ku mund të përmendim "Mjeshtërn e Madh" Bujar Qamili, këngëtarët Mukades Çanga, Adnan Bala, Rezarta Smaja, Klodiana Vata, Ketlin Pjalmi, Marjana Begu, Eranda Libohova, Ingrid Jushi, Blerina Gashi, shoqëruar nga grupi i valleve nën drejtimin e koreografit Aldo Nika, si dhe ata që i sollën gjallërinë dhe humorin e kësaj sofre, aktorët e skenës shkodrane, Gëzim Kruja "Mjeshtër i Madh", Zef Deda "Mjeshtër i Madh", Drande Xhai, Anton Krosaj, Muhamet Çekini, Rajmonda Marku, Eder Boshnjaku, Frik Selmani, si dhe të ftuar special parodistët e vlorës.

Pavarësisht nga vështirësitë që qyteti i Shkodrës ka përjetuar në këta vite trazicioni, ashtu si gjithë Shqipëria, ditë më të bukura dhe më optimiste kanë ardhur në vazhdim, pasi ky qytet në raste festash, sofrat gjithmonë i ka shtruar me bujarinë që e ka karakterizuar.

Kështu që mendoj se shtrimi këtë radhë i kësaj sofre bujare, e cila këtë vit festoi 15-vjetorin e saj, ka një veçori të lavdërueshme, sepse u shtrua në një lokal me një emër shumë domethënës "ORLANDO" me pronar z.Tomë Arra, domethënës, sepse ky ambient tregoi se është thellësisht pronë e qytetit të Shkodrës, por edhe një evokim i dashurisë së madhe që kanë të gjithë shqiptarët e emigruar, e në mënyrë të veçantë Diaspora jonë që na bën aq krenar.

Ashtu siç e kishin menduar organizatorët, ku natyrisht meritat i takojnë ideatorit prej 15 vitesh të këtij evenimenti z.Xhelal Halili, sofra shkodrane i mirëpriti miqt e saj ashtu siç i ka hije, me tingujt e këngëve të pavdekshme shkodrane.

Në atmosferen që krijoi me zërin e tij të mrekullueshëm "Mjeshtri i Madh" Bujar Qamili, u ngritën dollitë, pjesëmarrësit uruan njëri-tjetrin për një vit të mbarë, për begati e lumturi në familjet e gjithsecilit, duke sfiduar kështu edhe hallet që asnjëherë nuk mungojnë.

Salla u elektrizua, pjesëmarrësit u bënë krenar nga një lajm i mrekullueshëm që vinte nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë.

Me dekret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani, ikona dhe legjenda e këngës qytetare shkodrane, i pavdekshmi Bik Ndoja, u përjetësua me titullin e madh "Nderi i Kombit".

Sfondi muzikor me jaret e pavdekshme, me zërin e papërsëritshëm të këtij gjeniu jehuan në çdo kënd të sallës, përqafuan dhe përkëdhelën të gjithë tavolinat e shtruara në këtë mbrëmje dhe e kthyen këtë sofër në një dasëm të vërtetë shkodrane.

Gjithsecili këndonte, gjithsecili cakrronte goten, duke u ndjerë krenar për këtë figurë kaq të shquar, që gjatë gjithë jetës së tij ka qenë pjesë e gëzimeve të mëdha shpirtërore të çdo familjeje shkodrane.

Sofrat bujare nuk shtrohen kurrë vetëm me njerëzit e shtëpisë. Ata pikërisht pse janë bujare dhe mikëpritëse, në vendet e nderit kanë miqt. E këta nuk ishin pak. Kishin udhëtuar nga larg. Miq dhe artistë, kishin ardhur nga Kosova, nga Labëria, nga Mali i Zi, nga Maqedonia, Europa e deri nga Amerika e largët, për të çuar një dolli në sofren shkodrane, për t'i treguar Shkodër Loces se gjithmonë e kanë dashur dhe respektuar këtë qytet të mrekullueshëm, këtë qytetari që gjithmonë i ka dhënë Shqipërisë atë që ky vend i quajtur Atdhe ka pas nevojë: Kulturen, arsimin, artin, shkencën, sportin dhe gjithçka që i ka paraprirë zhvillimit.

Mbrëmja kaloi me një atmosferë jashtëzakonisht të gëzueshme.

Ritmet e muzikës, zërat e mrekullueshëm të këngëtarëve, numrat e përzgjedhur të humoristëve shkodranë, surprizat që sollën miqt nga Vlora, parodistët e mrekullueshëm Agroni, Meti dhe Afrimi, të cilët krijuan një atmosferë të tillë, ku akrepat e orës nuk kishin asnjë vlerë në lëvizjen e tyre.

Ky organizim, të rikthehemi edhe një herë, meritat kryesore i ka nga Shoqëria Kulturore "Jehona e Shkodrës", me producent z.Xhelal Halili, por gjithmonë në sofra edhe disa nga miqt kanë merita të veçanta, aq më shumë në sofrën shkodrane.

Azgan Haklaj "Mjeshtër i Madh", president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, ishte një ndër miqt më të nderuar, jo vetëm për lidhjet e tij me qytetin e Shkodrës, por në mënyrë të veçantë me lidhjet e tij me artistët e qytetit të Shkodrës.

Përshëndetja e tij në këtë sofër ishte njëkohësisht edhe dollia që e çoi për respektin që ka ky organizëm për Shkodren, qytetarët dhe artistët e saj. Por një dolli të veçantë e çoi për këtë qytet të mrekullueshëm edhe drejtori i përgjithshëm i këtij Unioni z.Minella Kureta "Mjeshtër i Madh".

Performanca e rapsodëve të mrekullueshëm vëllezërit Lleshi, të cilët kishin formuar një trio me deputetin aq simpatik Eduart Ndocaj, elektrizuan sallën me interpretimin e tyre që transmeton gjithmonë një folklor të pastër dhe një humor shumë të këndshëm.

Kaq të këndshëm e bëri sofren edhe humoristi "Mjeshtri i Madh" Zef Deda që kishte jo vetëm detyren e vështirë të regjisorit, por edhe atë që din ta bëjë më mirë, humorin e tij të pashtershëm.

Ngrohtësi kësaj sofre tradicionale i solli edhe moderatorja e talentuar Ketlin Pjalmi.

"Sofra Shkodrene" këtë natë nuk njohu limite kohe, por si një sofër e madhe bujare bashkoi rreth saj deri në orët e para të mëngjesit, të zotët e shtëpisë dhe miqt e ardhur nga gjithë trevat shqiptare dhe Diaspora, duke treguar kështu se është sofra e një shtëpie që festat gjithmonë i feston me vëllezër, miq dhe dashamirë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat