Ministria e Kulturës nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me komunën e Vitisë

Kultura

Ministria e Kulturës nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me komunën e Vitisë

Më: 13 janar 2017 Në ora: 13:59
Ministri Kujtim Shala dhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti

Në kuadër të investimeve kapitale të Ministrisë së Kulturës për këtë vit, në përmirësimin e infrastrukturës kulturore në Kosovë, sot, në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi me komunën e Vitisë.

Qëllimi i këtij Memorandumi është mbështetja financiare për realizimin e projektit kapital “Renovimi i Shtëpisë së Kulturës në Viti”. Ky projekt do të ketë mbështetjen financiare nga MKRS-ja në vlerë prej rreth 310 mijë eurove.

Ndërsa, Komuna e Vitisë merr përsipër të investojë 15 mijë euro në renovimin e shtëpisë së kulturës, investim i cili do të realizohet në vitin 2017.

Ministri Kujtim Shala, me këtë rast, tha se ky investim do të shërbejë që komuniteti artistik dhe dashamirët e kulturës në Viti të kenë një hapësirë moderne në shfrytëzim për interesat dhe në të mirë të qytetarëve. 

Gjithashtu, Shala u shpreh se, ministria përmes përkrahjes financiare të projekteve të ndryshme kapitale në fushën e kulturës nëpër komunat e Kosovës, po mundohet që të krijojë kushte sa më të volitshme për artistët, që ata të prezantojnë krijimet e tyre.

Ndërkaq, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, e falënderoi ministrin Shala, për përkrahjen që ministria po jep për Vitinë, dhe u shpreh se me këtë investim, shtëpia e kulturës në Viti do të ketë një pamje të re dhe do të shërbejë për aktivitetet e shumta kulturore që organizohen në komunën e Vitisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat