Poezi me fjalë të gurta, me porosi, urtake, mallëngjyese dhe fjalë intime

Kultura

Poezi me fjalë të gurta, me porosi, urtake, mallëngjyese dhe fjalë intime

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 17 janar 2017 Në ora: 21:00
Kopertina e librit

Libri ”333 Tercina”(Poezi trevargëshe), të autorit Shban Pllana, botoi “PROKULT- press”, Prishtinë 2016

poezia është ushqim shpirti

që lind kur poeti shoqërohet me vetminë

në çastet e ëndërrimit

Këto janë vargjet që hapin  librin më të ri të poetit Shaban Pllana që është një libër që përmban 333 tercina apo trevargëshe. Ndonëse Pllana edhe më par e ka shkruar një libër me tercina në të cilën ai ka përfshi 111 tercina kësaj radhe atë e ka zgjeruar në  333 sosh dhe i ka ndarë në pesë pjesë (Vargje me fjalë  të  gurta,Vargje me fjalë  porosie, Vargje me  fjalë urtake, Vargje me  fjalë   mallëngjyese, Vargje të  fjalës    intime).Edhe nga vetë poezitë dhe mesazhet që ai përcjell shihet ndikimi  nga thesari i porosive popullore ngase autori është mbledhës i pasionuar i krijimtarisë popullore  në Trevën e Llapit,ku deri më tani nga kjo lëmi ka botuar katër libra  me këngë popullore, lojëra popullore, anekdota popullore dhe fjalë të urta popullore.

Të arrish që me pak vargje të shprehësh gjithë atë që të zgjon frymëzimin është një dhunti shumë e madhe për një poet. Pak vargje thonë shumë,sepse poezia, edhe kur përbëhet nga dy apo një varg i vetëm, mund të prodhojë ndjenja dhe përshtypje.

atdheu është si guri i poshtëm i mullirit

nuk lëviz asnjëherë qëndron stoik

por pa të guri epërm që sillet s`bluan dot

Vëllimi me poezi i Shaban Pllanës  dallohet nga shumica e vëllimeve me vargje që po dalin në dritë jo vetëm për atë se janë  trevargëshe por që poezia e tij është një poezi tradicionale,me mesazhe popullore, por njëkohësisht janë të  çlirtra dhe moderne.  Poezitë janë koncize, të shkurtra që e arrijnë maksimumin e sintezës në krijime  trevargëshe me plot forcë shprehëse.

fjalët e plakut mbilli në kopshtin e shpirtit,

s`i dihet…

ndoshta do të nevojiten në jetë

Poeti llapjan Shaban Pllana ,ka zgjedhur një formë mjaft të vështirë komunikimi me lexuesin e vet nga se vetëm me një talent të rrallë  mund të japësh aq shumë nga vetja me tri vargje.

Edhe më herët nga studiues të ndryshëm është thënë se të  shkruash haiku do të thotë të vëzhgosh botën me një sy të kujdesshëm, tepër të fiksuar pas ngjarjes në momentin e kryqëzimit të vëmendjes me faktin.

Dashuria e poetit për t’u marrë me këtë formë të vjershërimit është më e hershme  ngase ai edhe më parë  ka botuar një përmbledhje me 111 poezi trevargëshe por që tash e ka zgjeruar në 333 sosh. Kjo është zgjedhja e tij më e preferuar si stil ku vjen në shprehje zbrazja e katarzës së tij me fuqinë plot meditacion.

Fjala,  që del nga goja e njeriut,

është një tis i hollë

prapa te cilit fshihet fytyra e vërtetë e folësit

Mendoj se vargjet e librit “333 Tercina” janë të rralla e emblematike dhe se kanë një formë elegante ku me pak fjalë ka thënë shumëçka.

mollës së Kuqe  karpatianët ia shijojnë frutat,

ne na kanë mbetur vetëm kujtimet për stërgjyshërit

të cilët pushonin nën hijen e saj

Për nga përmbajtja ashtu edhe si i ka nda poeti poezitë janë  me fjalë të gurta, me porosi, urtake,mallëngjyese dhe me fjalë intime. Ato  përkojnë me  atdheun, natyrën, dashurinë... e që janë  emocionet e poetit por që ka të bëjë me gjithçka që ka ndodh dhe po ndodhë në  jetën tonë. 

me fijet e flokut tënd të artë

m`i qep plagët e shpirtit,

ke mbetur për gjithnjë në ëndrrat e mia

 

 

 

Marrë në tërësi,libri “333 tercina”  i poetit Shaban Pllana,ka sjellë freski,begati, cilësi e krenari te lexuesi i cili me siguri do e pret këndshëm këtë libër të cilin e përfundon me këto vargje:

 

poeti është kopshtar metaforash

me penën e tij mbjell ato në kopshtin letrar

që t`i japë kënaqësi shpirtërore lexuesit

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat