Diktatura mposhtet kur populli e mposht frikën

Kultura

Diktatura mposhtet kur populli e mposht frikën

Nga: Sadik Elshani Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 07:04
Ilustrim

Diktaturat e gëzojnë një jetëgjatësi, po aq sa edhe frika e popullit. Kur populli e mposht frikën, e mposht edhe diktaturën.
Sa më e butë toka, aq më thellë shkon lopata. Sa më shumë ta ulësh kurrizin, aq më rend të shkel i ligu.
Sa më frikacak e sa më i pasigurt diktatori, aq më e egër është diktatura.
Dikushat flasin me vepra, askusha bëjnë zhurmë me fjalë të kota si enët e zbrazëta.
Ai që e kritikon të vdekurin, kur ka patur mundësi ta bëjë këtë në të gjallë të tij, tregon se ai vetë është i  vdekur moralisht.
Trimat e vonuar tregojnë ligësinë e tyre.
Pas çdo Don Kishoti qëndron një Sanço Panço.
Çdo Don Kishot e ndien nevojën për një Sanço Panço.
Ngado që të shkosh, atdheun, vendlindjen gjithmonë merre me vete dhe mbaje thellë në zemër.
Mjeku t’i shëron plagët, arti ta shëron, fisnikëron shpirtin.
Te eturit për ujë, jepi ujë, ndërsa të eturit për pushtet kurrë mos i jep pushtet.
Më trego kur zgjohesh në mëngjes, të tregoj se a je i suksesshëm apo jo. Njerëzit e suksesshëm zakonisht zgjohen herët.
Kurrë mos ia fillo një pune të cilës nuk ia sheh fundin.
Njerëzit që kanë dështuar në jetë e me ambicje të sëmura, duhet mbajtur larg pushtetit, sepse ata kurrë nuk mund të bëhen pushtetarë të mirë, por vetëm sundimtarë të këqinj.
Edhe populli duarthatë ka fuqi, por dikush duhet t’i prijë atij.

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat