Korrespondenca e Lasgushit Poradecit me Mitrush Kutelin - "Mesazhe qiellore"

Kultura

Korrespondenca e Lasgushit Poradecit me Mitrush Kutelin - "Mesazhe qiellore"

Nga: Sulejma Mehazi Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 12:25
Lasgush Poradeci

Folëm më lart për kritikën e poezisë së Lasgushit, le të kalojmë tash në anën tjetër të veprimit të poetit. Pse poeti ishte mjaft aktiv me poezitë e veta në shtypin e kohës, kurse mjaft pasiv ndaj atyre që e kritikonin, nënçmonin dhe e fyenin? Ndoshta me qëllim poeti nuk donte të hyjë në grupin e të cilëve në vend të intuitës, metafizikës dhe shpirtit artistik përdornin intelektin dhe arsyen shkencore, ndoshta nuk donte të rrezikojë të futet në kundërshtime; duke e ditur se intelekti dhe arsyeja shkencore nuk ka mundësi të mësojë dhe të dijë për intuitën, metafizikën dhe shpirtin e artistit, pasi njëra do të bëhej opozitë e tjetrës, kjo nuk do ta shpëtonte nga telashet, por përkundrazi do t’ ia shtonte ato.

Lasgush Poradeci e dinte dhe ishte i sigurt në vete, sikur të dëshironte të ndeshej, kjo do të qe një kërshëri e kot. I kishte vënë vetes detyrë për komunikime shpirtërore. Çdo të thotë komunikim shpirtëror? Do të thotë korrespondencë, kur e brendshmja komunikon dhe përputhet me të jashtmen me Pogradecin dhe liqerin, me të sipërmen-yjet dhe me të poshtmen-dherin. Korrespondencat shprehin edhe kundërshtitë, toka kundërpeshë ndaj qiellit, natyra kundërpeshë ndaj frymës, vdekja kundërpeshë ndaj jetës, llaftaria kundërpeshë ndaj dashurisë, helmi kundërpeshë ndaj gazit, malli kundërpeshë ndaj kujtimit, errësira kundërpeshë ndaj dritës etj.

Për këtë më së miri shprehet themeluesi i shkollës simboliste Sharl Bodler në vjershën ”Korrespondenca” që “do të mund të përkthehej: Lidhjet, Harmonitë, Përputhjet etj.” .

"Natyra është një tempull ku kolona të gjalla,

Lënë ngadonjëherë fjalë pa kuptim t’ u shpëtojnë;

Njeriu ndjen sy familjarë që ngultas e vështrojnë,

Kur kalon nëpër këto pyje simbolesh të rralla."

Korrespondenca*

Këtu vlen të përmendim korrespondencën e Lasgush Poradecit me Mitruah Kutelin ”…i dy njerëzve të mëdhenj, i dy kollosëve të kulturës shqiptare, që mes letrash kanë shpalosur pikëpamjet e tyre të veçanta, për jetën, kulturën, artin, atdheun që e deshën aq shumë...” . Dy dashamirë të artit letrar. Lasgushi i poezisë moderne, Mitrushi i prozës moderne, njëri i jetës së vetmuar, tjetri i jetës së vetmuar, njëri i dashuruar ndaj artit poetik dhe atdheut, tjetri i dashuruar ndaj artit prozaik dhe atdheut, njëri i jetës dhe korrespondencave qiellore, tjetri i jetës dhe korrespondencave qiellore, njëri i përjetshëm me poezinë e tij, tjetri i përjetshëm me prozën e tij. Pse këto korrespondenca ishin mesazhe qiellore, e jo të rëndomta e të thjeshta.

Sepse dhembjet e tyre jetësore në tokë i shëronin me anë të korrespondencave dhe mesazheve qiellore. Në botën e jashtme shihnin botën e brendshme dhe këta të dy gjenitë e letrave shqipe e dinin se brenda njeriut gjendet një kupë qielli, e dinin dhe e kuptonin se çka poshtë ka edhe lartë, çka lartë ka edhe poshtë. Si shembull do ta marrim një pjesë nga letra e parë e Lasgush Poradecit, dërguar Mitrush Kutelit më 7 Korrik 1928, Graz.

Poeti tregon vlerën e fillimit të korrespondencave, mënyrën dhe qëllimin e tyre: “po të dërgoj sot një mesazh qiellor, ashtu siç i-u k ënda shpirtrave t’ona të etuara për gjërra e vise më të mira se ato ku jemi shtrënguar të arratisemi tashi-për-tashi. O shok i dashur! Ardhi koha e nisjes së letërkëmbit t’onë! Le të fillojmë pra një muzikë të re: muzikën e poezisë dhe të ëndërrimit...Që të vazhdojë, dyke u ngritur me “mërmërim ujërash” ose “pëshpëritje prej kallminjsh”, harmoni e natës dhe e yjve të ndritur gjer në fund të jetës s’onë së përmidheshme” .

Harmonia e natës dhe e yjve, muzika e poezisë dhe e ëndërrimeve të duket se ekzistojnë në vet shpirtin e dy artistëve, të duket se sëmundjet që i kanë marrë nga jeta e tyre e përmidheshme mundohen ta shërojnë me ilaçin e ndodhur në qiej me yjet, duke u kënaqur me harmoninë e natës, yjve të ndritur.

Po ç’është simbolika e kësaj letre të parë? Simbolika e kësaj letre është se misioni i tyre do të jetë jo i lehtë dhe i thjeshtë po vizionare dhe mjaft i rëndë, me fjalorin e tyre muzikore- poetike që do të del nga qielli i brendshëm sepse botën dhe jetën e përmidheshme e njihte secili, sepse këta donin të njihnin dy botërat, njëra e errët e ulëta tokësorja qe jep dhembje dhe tjetra qjellorja e ndritur që jep shërim. Letrat e tyre do të jenë ”mi subjekte të larta...mi atë ushqim qiellor...nga i cili merr jetë për jetë  Drita që ndrit Shpirtin e universit për t’ i folur njeriut në mënyrë të përmidheshme dhe për ta drejtuar kësisoj nga rruga e qiejve të larta dyke e ndritur dhe përndritur me rezet e saja, të “mveshë” roben e bukur të nusërisë...të Poezisë!...me hap të rëndë, do t’i shtrohemi një pune më serioze: do të bisedojmë mi të fshehtat metafizike të krijimit artistik...“

Lasgush Poradeci i bën thirrje kolegut të tij, që për t’ i shëruar plagët dhe dhembjet e kësaj jete të përmidheshme duhet të orientohemi ndaj dritës qiellore që ndrit shpirtin tonë në mënyrë që të njihemi me burimet e lumturisë dhe kënaqësisë, por edhe për ta njohur dhe përballuar fatkeqësinë. Sepse e ndjenin veten si më fatkeq në këtë jetë të përmidheshme, sepse kudo që të shkonin e ndjenin veten të arratisur midis shqiptarëve dhe midis të huajve, sikurse thotë vet poeti” Ardhmë vonë ose shpejt? Kush e di...” . Në sytë e njerëzve të rëndomtë artistët janë të huaj të pakuptueshëm, sepse me krijimet e tyre janë fryt i prekjes së shpirtit me realitetin, shprehin pashprehshmërinë e kuptimit ndaj tyre, për shkak se poezia e pastër rrezaton me efektet bashkuese të një realiteti misterioz të cilën e quajmë poezi të pastër moderne. Arti në përgjithësi dhe poezia në veçanti kanë të bëjnë me të shenjtën....Për këtë shenjtëri flet vet poeti sipas letrës së 15.IV.1931 dërguar Mitrush Kutelit, duke thëne se ”...për Ne, ka vleftë Një gjë MPOSHTJA e mjerimit dyke VEPRUAR! Jo vetëm kaq: mposhtja e mjerimit dhe NGRITJA E VETËVETES S’ ONË lart-e më-lart! Lart-e-më-lart, gjer ne DRITA E PËRJETËSISË! Jo vetëm kaq: Ngritja e vetëvetes DHE E KOMBIT t’onë! Jo vetëm kaq. Ngritja e kombit DHE E BOTËS SË TËRË njëkohësisht! Kupton??? JA KY ËSHTË VEPËRIMI JONË!!... . Qoftë kur paraqitet si njohje ose si mosnjohje apo zbrazje e jetës a të dyja përnjëherësh, poezia në çdo mënyrë e ngrit njeriun mbi kauzalitetin njerëzor të tij, ajo bëhet veprimtari mbinjerëzore. Poezia është monolog i dendur, monolog i heshtur dhe është e vërteta e plotë vetëm për poetin dhe botën e tij; është veprimtari absurde dhe hulumtim i të pamundshmes dhe përpjekja e pashpresë për të kuptuar shkëndijën, psikën, esencën e jetës. Në këtë gjurmim, në këtë veprimtari të pamundshme, çdo poet është fillikat vetëm dhe secili shkon në rrugën e vet krijuese. Prandaj moskuptimi dhe protesta e publikut kundër poezisë së pakuptueshme është rezultat i mosnjohjes së vetë esencës së poezisë.

Rrugëtimi poetik i poetit, drejtimi me të cilin lëviz me idetë e tij është vetëdije e vullnetshme e të larguarit, të mërguarit prej njerëzve dhe prej kësaj toke të mallkuar, e zogut të rrëzuar prej plagosjes që për të qenë i huaj në botën ku jeton. Ky izolim dhe kjo arratisje nuk është tragjike për poetin, sepse i ndihmon gjatë krijimit të poezisë njëlloj sikurse Bodlerit që i ndihmon shpendi gjigant i detërave Albatros, për të krahasuar veten dhe artistët tjerë me këtë shpend ndjesinë e të ndryshmes dhe të tjetërsimit ndaj realitetit, në ndërgjegjësimin e rënies dhe dramës së moskuptimit. Këtë tjetërsim e shpreh Lasgush Poradeci po ashtu në letrën e 15.IV. 1931 dërguar Mitrush Kutelit. “ATA” i “dërmojnë ëndrat”, e “kryqëzojnë gjuhën”, e “përpijnë idealin”, e “nxijnë të arthmen” e kombit t’onë?? Po “NE”, o i shtrentë shok, “i ndërtojmë” ato ëndra, ne e “ringjallim” atë gjuhë, e “lindim” atë ideal, e “NDRITIM” atë të arthme të kombit...” .

Ç’është rëndësia primare e korrespondencave?

Rëndësia primare e korrespondencave është e yjsuar me lëvizje shpirtërore, e këto lëvizje manifestohen me krijimin e veprave të pakuptueshme artistike. Këtu duhet theksuar para së gjithash se vepra tërësisht të kuptueshme nuk ekzistojnë, sepse veprat artistike janë probleme të brendshme dhe të fshehta, si të këtilla ato mund vetëm të rrëfehen vetëm pjesërisht dhe kushtimisht i kuptueshëm dhe i destinuar për të tjerët. Ja se çfarë thotë poeti në lidhje të kuptimit të poezisë: “...Kritikët, ata “Profesorët”, “Akademikët”, përgjithësisht nuk e kuptojnë poezinë, se s’i njohin sekretet e saj që i di vetëm poeti...” . Për kritikët  vepra është objekt ose fenomen psikologjik, për krijuesit është vizion fare i brendshëm, i vënë në lëvizje nga pësimi dhe përjetimi. Nuk është rezultat i mendimit logjik, por bijë e pikëllimit dhe dhembjes. Kështu që kritika për poetin e errëson qasjen sesa e ndriçon. Që këto thënie të poetit e kanë kuptimin se poezitë e tij i kupton vetëm një njeri në botë, e jo kritika, dhe ky është vetëm ai që i krijon, e ai është vet poeti dhe është e vërteta e plotë vetëm për poetin dhe botën e tij të brendshme shpirtërore. Pra esenca e artit është përbrenda, në shpirt dhe zemër, jo në botën e jashtme sepse shpresa, pendimi, mllefi, malli, dashuria, turpi, përulja, dëshpërim, vdekja, përjetësia, nuk janë ngjarje, por janë përjetime. ”...Lirika qëndron shumë lart dhe shumë fellë, nuk shtrihet as gjërë as gjatë, ajo domethënë thjeshtësisht frymëzim. Një vepër, që ka frymëzim, që ka tronditje shpirtërore, është lirikë vetvetiu...” . Pasi arti i përket botës së brendshme të të vërtetave dhe jo botës së jashtme të fakteve, kjo pra, na mundëson për të dalluar artin e sinqertë dhe të pasinqertë, poezinë e frymëzuar dhe poezinë e pafrymëzuar, poezinë origjinale dhe joorigjinale, poezinë e bukur dhe të vjedhur apo të shëmtuar. Këtë dallim e kuptojmë sipas krijimit, sepse nga aspekti objektiv ai nuk ekziston, ose ekziston gjithnjë e më pak. “Artisti i vërtetë s’pyet, QË KU e nxjerr lëndën bruto të krijimeve të tija; ai pyet: A ka realizuar, prej asaj lënde bruto, një vepër OIGJINALE TË RE, TË FUQISHME, PLOT EKSPRESIVITET VETIJAK? Imitim-relevojnë eruditët!; KRIJIM I RI-RELEVON poeti! Krijim i ri, prej lëndës së vjetër...Asnjë, nga gjithë veprat artistike me jetë të përbotshme s’është origjinale; trupi i tyre është i huaj, vetëm shpirti s’ua disputon dot njeri” .

Kur nga arti mënjanojmë çdo gjë joqenësore e të rastit, kur i lakuriqësojmë gjer në esencën e tyre, do të gjejmë dëshirën, gjakimin ose qëllimin, me një fjalë lirinë si përmbajtje të tyre të fundit e autentike. Poezia dhe artet në përgjithësi janë mënyrë veprimi, jo mënyre mendimi, mënyre frymëzimi, jo mënyrë gjykimi. Për poezinë lirike përsëri shprehet jashtëzakonisht saktë, me një mendim antologjik estetik Lasgush Poradeci duke ua bërë me dije kritikës letrare se të kotë janë përpjekjet e tyre për komentimin, interpretimin, analizimin dhe kuptimin e veprës poetika. Kritika mund ta cilësojë formën, metrikën, retorikën e përsosur që kanë të bëjnë me rregulla stili tradicionale, por kurrë nuk do mund të përgjigjen për esencën e poezisë lirike ”...Esenca e poezisë lirike është muzika shpirtëror, dhe muzikën shpirtërore e bën toni shpirtëror, dhe tonin shpirtëror e bën drithma shpirtërore, lëkundja, tronditja shpirtërore- kurse tronditjen shpirtërore, domethënë, me një fjalë neologjie, emocionin shpirtëror e bën as më shumë e as më pak përveç se frymëzimi i brendshëm poetik i cili duket ndjehet dhe kuptohet prej vetiu dhe drejt-për-drejt në transfigurimin emocional të idesë ose ndjenjës ose pamjes aktuale të poetit...”. A e ka Fishta pra këtë cilësi primordiale të poezisë, muzikën e shpirtit, transfigurimin poetik, metafizikën e harmonisë së krijimit poetik e cila quhet lirizmë...” .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat