Dritëroi në burgologjinë e Visar Zhitit

Kultura

Dritëroi në burgologjinë e Visar Zhitit

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 10:14
Dritëro Agolli

Në librat “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë”, të botuara para ca vitesh, që autori i tyre, Visar Zhiti, i quan me neologjizëm “burgologji”, ndër të tjera gjejmë dhe copëza rrëfimesh për shkrimtarin Dritëro Agolli e të tjerë, të cilat dëshmojnë, mbase më mirë se një intervistë sot, të vërteta dhe ndjesi, me realizëm dhe sinqeritet, të vendosura në kohën e tyre, që japin dhe një aspekt origjinal të vetin dhe spontan në diskutimet e shumta e kontraverse për Dritëroin, në ditët pas shuarjes së tij.

Po vendosim nëntituj të tjerë për t’u kuptuar më mirë gjatë rileximit të tanishëm të copëzave, të nxjerra nga librat e sipërpërmendur.

NË BIRUCË:

...Nuk duroheshin poezitë e dashurisë, pa një të dashur. Ishin si përqafimet e pardesysë. Naim Frashëri - si ato retë përmes hekurave. Larg. Ndërsa poetët e tanishëm, ata që shkruanin në Tiranë, dukej se nuk e kishin idenë e vuajtjes. Shpirtpërzënë. Përsëritja poezinë e Dritëro Agollit për nënën, Hatixhenë e urtë, ngaqë ishte dhe kushërirë me nënën time, dhe rënkoja së brendshmi... Më kishte marrë malli për jastëkun e saj. Mbahu, bre, mos ki dert, burgu për burra asht, do të më thoshin poetë nga Kosova. Shkreli. Podrimja. Vinca. Ç’kisha mundur të lexoja. Thërrisja në heshtje. Thirrja ishte si ndihma e shpejtë.

       *  *  *

       - Po kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli, ç’mendonte për ty? - u bë dinak hetuesi se mos nxirrte ndonjë gjë nga përzierja e inatit tim me dëshpërimin.

       - Ai e ka parë librin tim dhe e ka pëlqyer. Më dërgoi edhe një letër inkurajimi. (Mos po rrëfej si shumë? Kujdes!) Duke qenë poet komunist, atë duhet të besoni.

       - Ne e besojmë, por jo për ty. Dritëro Agolli s’të ka njohur... Vazhdojmë. Pse Xhevahir Spahiu donte të të botonte një cikël të dytë poetik brenda vitit në revistën “Nëntori”? Për ku po të niste? Në ballë, si veten? A nuk i ka mjaftuar kritika që udhëheqësi ynë       i dashur, shoku Enver Hoxha, i ka bërë? Dhe ty s’të mendoja kaq të gënjyeshëm, kalama. Po ku e di ti, mor i zi, se si bëhet përpara! Me ne flitet ndryshe, s’është redaksi këtu. Por edhe redaksitë janë tonat... Apo aq kuptoni ju, poetucët? - Hetuesi heshti. - Në të vërtetë, - shtoi pas pak, - autopsinë tënde, siç i thua ti aktekspertizës, e ka bërë një tjetër, miku yt… - përfundoi dhe buzëqeshi, ngaqë ia arriti të më çorodiste. - Ik! Ik!

       *  *  *

       - Por ty të kërkuan dhe për shkrimtar, renegat! - m’u vërsul prokurori, megjithëse në moshë, por e mbajti hetuesi: “Rrini, mos u shqetësoni ju, se e ndreq unë”. 

       Për se do ta kishte fjalën, kur thoshte se më kishin kërkuar për shkrimtar? Ëhë, ngaqë në gazetën “Mësuesi”, ku kishin dalë disa shkrime të miat e ishin pëlqyer, m’i botonte gruaja e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëroit, që punonte atje, kishin kërkuar të bëhesha gazetar. I plotësoja kushtet, kisha bërë 5 vjet mësues fshatrave.

       NJË TJETËR SHKRIMTAR NË BURG

.       ...i futi në një si tub të gjerë hekuri, të cilit tubisti i burgosur i saldoi kapakë... si i beson atij? - nuk më tradhton mua ai, se e di ç’e gjen, le që ngelet personazh negativ përjetë...  hapën një gropë dhe i futën në një vend sekret në minierë, nën dhé. Do të vinte t’i merrte kur të binte komunizmi. Fantastik, ë, me këtë besim të mrekullueshëm e të frikshëm njëherësh!

       Dhe iu kthye poezisë, me strofa të rregullta, me rima, me një thjeshtësi si të Dritëroit, mos ma kujto, më tha, kur po i lexoja dhe ato. Poezisë nuk i ruhej dhe aq shumë. Jo se janë më pak të rrezikshme, por kuptohen më pak. Na ndihmon dhe kjo, përsërita unë, këtu nuk na marrin shumë seriozisht.

       Edhe ato ndoshta i bëri rul dhe s’dihej ku i fshehu.

       RRËFIMI I NËNËS SË TË BURGOSURIT:

.- Po unë shkova atëherë, - vazhdoi nëna, - takova (N)Dritëronë - i vinte një “n” përpara emrit të kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ashtu si nga anët e saj, - i vajta në shtëpi, edhe djalit të kryeministrit, atij që shkruan, i shkova në punë, ndala dhe Ismail Kadarenë në rrugë…

Shtanga. Nuk e dija. Si do të ketë folur me ta kjo grua e urtë shtëpiake, e gjora, që s’lexon dot një libër vetë tani e megjithatë “Perëndesha ime e Mbrojtjes”, po, po, kështu kam thënë në poezinë që kisha bërë me mend në qeli dikur! E ka ajo tani, në gji, mbase Shpëtimi…

- Por para meje, - vazhdonte të tregonte nëna, - kishte ikur ai… me vrap, nga Lushnja në Tiranë, lajmëroi që ishe arrestuar, që të t’i hiqnin poezitë nga revista… ç’pati? - apo nga që shkruan edhe vetë, po ti mos u mërzit…

Dritëroi, Kadareja, djali i kryeministrit…

(vazhdon rrëfimi i Nënës)

Me të marrë haberin e keq se ma arrestuan djalin e vogël, thashë se luajta nga mendtë. E kisha andej larg, në Kukës, mësues maleve. Ç’heq tani, korba unë, o Zot, mos i lër të ma torturojnë, mbajua dorën! (I dridheshin buzët dhe zëri.) Thashë të hidhesha nga dritarja a te rrotat e makinave. Po i duhesha shtëpisë, fëmijëve, djalit në burg. Nuk na i ndanë burgjet, që u shofshin! As e dinim pse e arrestuan dhe as na rrëfenin. Nga t’ia mbanim? Lushnja bënte sikur s’dinte gjë, beqim s’dinin vërtet, veç erdhën dhe na kontrolluan ca civilë, i dija të komunales. I morën djalit 39 fletore e blloqe me vjersha e me kudiunë se ç’shkruante, e zeza! Qysh jam gjallë! Prandaj do të ma kenë zënë, thashë. Të iknim në Kukës, po ku? Në Degën e Punëve të Përbrendshme, kalli flamën si i thonë, po ata s’bëjnë pa urdhrin e Tiranës. Dridhesha si purtekë. Qaja. Kujtoja burgun e burrit, e njihte gjithë qyteti, i nderuar, e donin, shkruante dhe dilte në skenë, në teatër. Po ku pyesin këta, luftë klase ulërijnë, duan gjak. I ka mësuar ai sojzëzi, Stalini, që ia nxjerrtë kockat qeni! Plaçkat e tim shoqi, që m’i kthenin kur i çoja bukën, që s’ia jepnin, të poshtrit, gjë prej gjëje, i gjeja me thonj brenda, me dhëmbë të përgjakur, të shkulur me darë, siç e torturonin, m’i tha më vonë ç’hoqi, por u bëri ballë. Kunatin ma vranë, e hodhën shkallëve gjatë hetuesisë, arsimtar ishte, se ata të grupit të deputetëve do të lidheshin me të, thoshin. As varri s’i dihet. Atë që kisha si vëlla e si baba, që më rriti mua, jetimen, e pushkatuan. Prefekt në Gostivar e Tetovë kishte qenë. As varri s’i dihet as atij. Po varr është kudo. Tani më morën djalin. Pse? Pse? Korba unë! Vjersha bënte, s’bënte gjëra të liga. Dhe ika me një frymë në Tiranë… Po ai pse lajmëroi që t’ia hiqnin vjershat nga revista? Dhe mik, pse kështu është miku? Se, po t’i dilnin, mbase ia lehtësonin dënimin. A ia bënin më të rëndë, e ku i dihet?… Eh, desha t’u thosha shkrimtarëve që donte djali im, që kishin emër, që ai… E ç’t’u thosha, xhanëm? Ndritëronë e kam dhe kushëri, kryetar i shkrimtarëve është, i Partisë, me autoritet, i çqonjtur.

 I vete dreq e në shtëpi. Tek ai pallati në qendër, kubist a ç’i thonë, me arkitektin në burg. Trokëlliva në derë herët në mëngjes. Sikur ndjeva hapat e Hatixhesë, s’ëmës së Ndritëroit. Më pritën mirë, me pije e kafe. “Rri”, - më thanë. U qava hallë. Ndritëroi mezi fliste, s’e di a e dinte, po u trondit. “Nuk të futin kot në burg, - më tha, - marrin informata. - Shokët t’i zgjidhte. Vjershat ia kam lexuar, më kanë pëlqyer, po ashtu janë vjershat, si të duash, të mira, të këqija. Do të shkoj dhe te prokurori i përgjithshëm, do t’ia them…” “Dritëroi përpiqet, por s’ka ç’bën, - tha Sadija, e shoqja, kur mbetëm vetëm. - . Ja, unë kam një njeriun tim në burg, dhe ordiner, por s’e nxjerr dot… Ne ia dhamë dorën, por ai…” Cili? Ika e hutuar. Ma bëni hallall shqetësimin, u thashë. Të na vish, sa herë té duash, - më thanë, - ne ju duam.

Mora urbanin për në Kinostudio. Kisha Ilirianin me vete, se ku i gjeja dot unë. Tirana është bërë e madhe. Kërkova Bashkim Shehun, të birin e kryeministrit, shkrimtar në vërsën e djalit tim është, e donte im bir, pavarësisht se Mehmeti na kallte datën, na shoi me partinë. “Ai është”, - më thanë. Sa zbriti nga autobusi, e ndala. Ia thashë. I erdhi keq dhe u zbardh në fytyrë. “Atje ku ka hyrë tani ai, - vazhdoi, - unë s’bëj dot gjë. E kam të ndaluar, të pamundur. Po më pyetën, do të flas mirë, ashtu siç e kam njohur.” Dhe u ligështua në fytyrë. Më përqafoi. U vra i ati, vetë a e vranë, dhe e futën në burg, s’e di a është takuar me tim bir, i shkreti.

Shkova prapë në Tiranë, kërkoja Ismail Kadarenë. Më thanë kur vinte në atë kafenenë e shkrimtarëve, jo, klub a lidhje, se s’ia angllandis dot emrin, ku mblidhen dhe llafosin, dhe pinë kafe. E dija atë pallat, është martuar Mbreti aty.

Prita ca më lart, tek sheshi. U ngjita më lart. “Po vjen”, - më tha Iliriani, që e kisha në krah. E ndala vetë, ia thashë hallin. U ndie ngushtë. Më vuri dorën në sup. “Mbahu”, - më tha. “Ç’të mbahem, - i thashë, - dhe ku?” U kthye nga e shoqja. I tregoi për mua. Se si më vështroi ajo, me dëshpërim, si ca ikona. - “S’jam në gjendje ta ndihmoj dot, besomë, jam vetë keq e s’e di kush mund të bëjë tani, - po më thoshte ai. - E takove kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve? Unë s’mundem, se… - ah, ia mbaj mend fjalët, - kurajë, - dhe bëri duart kështu, - bëftë Zoti”, - më tha, më përqafoi edhe ai dhe u ndamë… Sa e donte djali im!

Përmes lotëve pashë nga statuja e madhe e Skënderbeut. T’i lutesha atij, ndoshta ishte më pak i ngurtë se njerëzit. Për se e mbante atë shpatë? Ngrita kokën nga qielli. Lëvizi. M’u rrotullua. Sa larg është Zoti nga ne, na ka harruar. Po s’i prishëm ne kishat dhe xhamitë, jo, por shteti i komunistëve, që u përmbystë e i zëntë nën vete! Zëvendësuan kishat dhe xhamitë me komitete partie dhe komitete ekzekutive dhe… na ekzekutojnë.

“E ndihmoftë Zoti!” - më kishte thënë Kadareja, mirë, mirë, po ku ta gjeja? E di që është i madh! Aty kemi shpresa, ai është ngushëllimi ynë, por këta s’e lënë as Zotin. S’kanë… Jeta është e shkurtër e këta ta shkurtojnë më shumë, por unë s’do të vdes, do t’i lë mënjanë sëmundjet dhe kusuret e mia, do të mbaj gjallë tim bir, çmosin do të bëj… dhe ai shkruan prapë në burg, fshehurazi. Ruama, o Zot! Atë dhe vjershat e tij.

PAS BURGUT... DERI NË PARLAMENT.

Ç’po lexon tani?

- Pak.

- Shkruan më? - Për fat nuk priti përgjigje, por vazhdoi të fliste. - Ti duhet të botosh, mjaft mbete i ndaluar. Këto punë i kemi ne në dorë, e di?

- E di, - thashë.

- Kush të pëlqen më shumë Dritëroi apo Kadareja? - u hodh ai që thirrej herë pas here “shef” me ndjesinë se po m’i gjente telat. - Edhe ne lexojmë ca, - shtoi, - por s’na lënë punët e shumta, armiq ka shumë, me gjithë punën e madhe edukuese që bën Partia, ata shtohen. E pe ç’ishte të jesh armik. Ti s’je më tani. Po s’më the, kë pëlqen më shumë Dritëronë apo Kadarenë?

- I lexoj të dy… me kënaqësi, - thashë.

       - Intelektualët tanë pëlqejnë Kadarenë më shumë, - vazhdoi ai, - këtë informacion kemi, edhe unë jam intelektual, për biokimi kam studiuar atje ku ke studiuar edhe ti, mësues kam qenë si ti, pastaj operativ në zonë dhe tani jam nënkryetar dege. Nevojat e atdheut. (Atje ku i bëhet nevoja atdheut, e ktheja unë shpesh me vete, kur e dëgjoja këtë slogan.) Mua vetë më pëlqen Dritëroi, është popullor, - po dëgjoja turbull llomotitjet e tij. Po sa do të zgjatë kjo? Do të doja të klithja: “Mjaft! Duaji sa të duash ata të dy! Thuajmëni ç’keni planifikuar, t’ju them ç’kam ndër mend; ju bëni tuajën, unë timen dhe…” - A vijnë njerëz në shtëpinë tënde? - ndërroi rrjedhën e bisedës shefi.

*  *  *

Kisha pasur dhe një letër nga Dritëroi, para se të më burgosnin, por nuk po e gjeja dot, ndoshta ma kishin marrë gjatë kontrollit në shtëpi, por shpresoja të mos më kishte humbur.

Më vinte çudi që më ishte përgjigjur, se i kisha shkruar si kryetar i shkrimtarëve për dëshpërimin tim në lidhje me poezitë. E lexoja shpesh atëherë, shkruar me dorë, me stilograf të trashë. Më jepte kurajë dhe më thoshte se vlerat nuk humbin, pavarësisht nga vështirësitë, që i kalon kushdo. Çdo libër i ri më emocionon si i pari, i kuptoj ndjenjat e tua, më shkruante, por bëj durim.

Emri, firma e tij, që më jepnin një si ngrohtësi. Por rashë më keq, fare në ferr dhe i humba të gjitha.

Fshehurazi prisja që porosia e tij në letër të ishte e vërtetë, më e vërtetë se ai si kryetar, porosi poeti. Po, unë jam komunist, thotë ai tani i zhgënjyer dhe i dëshpëruar. Pikërisht zhgënjimi i tij, ai dëshpërim janë më të çmuarat për poezinë. Përballë hipokrizive të tjera përreth, mashtrimeve dhe pabesive, ai, si i tërhequr disi, mbetej më njerëzor. Me mllefin e kundërshtarit. Por ai është poeti, i përsërita vetes, shiko ato që ka shkruar, në të pëlqefshin, kjo ka rëndësi, paçka se ndonjëherë i vërsulet edhe ai letërsisë që po del nga burgjet, e mo, i futën në burg ja ashtu…

- Si? - e pyeta, kur ai ishte deputet dhe unë punoja në Parlament, po pinim nga një gotë atje ku ka qenë selia e Fan Nolit. Edhe ai kishte bërë një revolucion allabolshevik, u pendua, iku, u vesh prift dhe më rëndësi i jepte të qenit përkthyes i Shekspirit sesa kryeministër-llëkut. Kjo prapashtesa turke “llëk” është e pazëvendësueshme në ca raste, - i thashë Dritëroit.

- Do të doja të kisha qenë burg, - m’u përgjigj ai i dëshpëruar. - Nuk më futnin.

- Jo të gjithë e meritojnë, - bëra shaka unë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat