Ekrem Ajruli, strucokratët, arti për shëmtitë jetësore

Kultura

Ekrem Ajruli, strucokratët, arti për shëmtitë jetësore

Nga: Sulejman Mehazi Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 20:58
Sulejman Mehazi

Pas tetë librash poetike, Ekrem Ajruli, shfaqet për së pari herë para opinionit artdashës me një përmbledhje , skicash, tregimesh, novelëza, fabulash të mençura e të zgjuara artistikisht me titull karakteristik e ironik: “Strucokratët”, botuar “Arbëria Desing”, Tetovë, 2016. Dallimi i këtij libri “Strucokratët”, prej tetë librave të tjerë poetik është se në poezi, Ekremi Ajruli, vallëzon bukur me ndjenjat e frymëzimet poetike, kurse në këtë libër mbushur me satira, ironi, sarkazëm, anegdota e groteskë ec mjaft bukur pas pesonazheve, ku lexuesi ndeshet me mentalitete të ndryshme: “Plutokratësh”, “Rriqrash”, Pitigonësh, Kunjësh, të cilët gjatë kësaj periudhe 26 vjeçare të “ndritur”, si thotë autori ironikisht: “U përgëzoj për këto vepra epokale-Krenohemi me ju Plutokratë. Sepse Fushë-Gropën e Pollogut, nga Gostivari deri në hyrje të Shkupit e shndërruat në Gropë Fekale gjikante...”,( Plutokratë, fq.6.) Edhe pse libri më i ri “Stucokratët, i Ekrem Ajrulit nuk është i ndarë në pjesë sipas temave e motiveve, po autori me vetëdije e në mënyrë kronologjike i ka rënditur njëzetenëntë tregimet të lidhura e të strukura, njësoj si titulli i këtij libri ”Strucokratët”, personazhe që s’janë mësuar të bëjnë jetë të pavarur, por të strukur e të nënçmuar pas partive të Lidhjes Satanike të Demonëve, Partisë së Varganit të Matrapazëve Rezila Ogurzi dhe Partisë së Laperëve Mediokër, Partia Bandillët Deledash Interplanetar të Republikës “Oazave të rriqrave”, (Shoku T...Pelë të Zeza), fq. 109-125. Pra, tregimet mund t’i ndajme në:

-Sarkastike e ironike politike siç janë: “Plutokratë”, “Rriqra”, “Pitigoni”, “Shteti”, “Marrëveshja kornizë e leshit”, “Seanca parlamentare”, “Dorëbekuari”, “Baklavaja”, “Deputeti”, “Sene’ 47”. “Shokut T...Pelë të zezë”.

-Fabuliste:“Pata mendjelehtë”, “Rriqra”, “Trumcaku”, “Bretkosa e pazakontë”, “Hall i madh i yt- pa pasoja për mua, etj.

-Tregime humoristike e anegdota mençurie e urtësie: “Thumbimi”, “ Berberi dhe Zoti”, “Guximi”, “Kunji”,” “Ujku për ujkun s’është njeri”, “Katër zonjat”, “Vdekja e gomarit”, “Herdhet e dashit”, “Kujt i ngelin ato”, “Provimi”, “Mbill çiltërsi - korr respekt”, “Rrobat e palara”, “Dy miq”, “Ishulli i ndjenjave”,

Në grupin e parë me anë të ironisë dhe sarkazmës thumbon, plagos e shpotit rëndë partitë e deputetët e republikës Kukulele të cilët s’brengosen fare për popullin e ngratë, po për dashnoret e tyre. Thumbon rëndë partitë politike shqiptare në “Oazën e rriqve” siç shprehet autori,”kur për ortak politikë ke Lidhjen Satanike të Demonëve në Maqedoni, ose Varganin e Matrapazëve Rrugaçve Ogurzi që janë të lyer disa herë me dhjam deri” (Marrëveshja Kornizë e Leshit, fq. 45). Sidomos vlen të përmendet tregimi që më shumë anon kah novelëza “Shoku T..Pelë të zezë”, autori me anë të imagjinatës ëndërrimtare krijuese dialogon me Iblisin për rrjedhshmërinë e çështjeve politike në Jug të Ballkanit, tregimi ma përkujton “Komedinë hyjnore të Dante Aligierit. Kjo bisedë imagjinative, endërrimtare bëhet në mes djallit apo Iblisit dhe Ibrahim Nalet Lisit, i lindur në Dibër të madhe me vitin 666. Gjatë udhëtimit të Ibrahim Nalet Lisit me Iblisin, merr vesh se në “këtë shekull radhën e ka Jugu i Ballkanit të bëhet hi”, gjatë udhetimit metafizik takohet me Stalinin, pastaj gjatë udhetimit teposhtëze ferrit takohet me burrat e shteteve të pavarura ku këndohej kënga: “Jugoslavi e”dashur”/trëndafil mbi dhe/gjashtë petale pate/tani më s’i ke/ ishte kopsht i bukur/t’ujiste Vardari/lulet tua t’bukura/ i hëngri gomari”(Shoku T...Pelë të Zezë,fq.117.) Aty bisedohet për martesën e bijës së “Ma hatma Gandi, Endyra Gandi me Abdall Gamal-Naserin, një ndër burrat më të mëdhenj të Vendeve të (P)avarur”, Më pas ky rrugëtim ëndërrimtar shkon “ në drejtim të baballarëve të botës socialiste” në krye me Titon duke u përshëndetur para tij: “Proletarë të të gjitha vendeve, me soj e sorollop bashkohuni” biseda ironike e sarkastike me Titon për shkatërrimin e Jugoslavise së tij. Dhe vet titujt dhe personazhet e tregimeve janë qesharake: Plutokratë, Njerishkelës, Pata Mendjelehtë, Korbeci, Rriqra, Thumbimi, Pitigoni, Kunji, Marrëveshja kornizë e Leshit, Bretkosa e pazakonte, Herdhet e dashit, emrat: Mamuti, Dylberi, Lidhja Satanike e Demonëve në Maqedoni, Vargani i Matrapazëve Rrugaçve Ogurzi, Perandoria e Oazës së Paqës, Marrëveshja Kornizë e Horrit. Metasin Hajdari-Dollari, fshati Shpella e Arushës, Gajduri, Ganeci, Edini, Sedini,Ybreti, Saqypi, Saqypica.

Ekrem Ajruli në fund të disa tregime jep konkluza me anë të fjaleve të urta, si p.sh.: “Ah, patë mendjelehtë, vërtetë pisllëku të mundëson të ngjitesh lart, por nuk mund të të mbaj gjatë kohë në majë”,(Pata mendjelehtë, fq.13), “Edhe politikanët do të ishin njerëz, sikur të mos merreshin me politikë”,(Pitigoni, fq.31). “Po ashtu, edhe Zoti ekziston, vetëm se njerëzit nuk shkojnë tek Zoti”,(Berberi dhe Zoti, f.q.34. “Jeta i gllabëron ata që frikohen”,(Gyximi, f.q.40.”S’është armik secili që të mbulon në pisllëk/ nuk është mik, çdokush që të nxjerr nga pisllëku/Prandaj, kur je i zhytur në pisllëk, mbylle gojën”, (Trumcaku, f.q.54, etj.

Ekrem Ajruli këndshëm rrugëton drejt artit prozaik, ai është origjinal me tregimet e veta, kjo shihet qartë e hapur, të gjitha barcoletat e tij të shprehura para miqve i ka transformuar në tregime, fabula, e anegdota te bukura. Ekremi e zotëron mirë gjuhën shqipe, sintaksën dhe drejtshkrimin e saj, shkruan rrjedhshëm e me stilin e tij të njohur satirik, ironik e sarkastik. Autorit i dëshirojmë suksese të mëtejme artistike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat