Shkrimtari që tregoi “si mbijetuan shqiptarët”, s’është më midis nesh

Kultura

Shkrimtari që tregoi “si mbijetuan shqiptarët”, s’është më midis nesh

Nga: Sinan Kamberaj Më: 7 mars 2017 Në ora: 08:09
Një foto e vitit 1970. Anëtarë të Redaksisë së Gazetês "Bota e Re", bashkë me anëtarë të SHKA të Studentëve "Ramiz Sadiku". Arif Demolli (i treti në këmbë, nga e djathta)

Dje u nda nga jeta Arif Demolli, shkrimtari, i cili arriti t'i kthente në humor me shumë sukses situatat dramatike jetësore, përmes magjisë së artit të vet letrar.

Jam me fat që e kam njohur në auditorët e Fakultetit Filozofik të Prishtinës, në Vitin 1971. Që atëherë e shtuam miqësinë, si kolegë, gazetarë në Gazetën e Studentëve "Bota e Re"; tri vjet më vonë, po ashtu bashkë - në Televizionin e Prishtinës, për ta ruajtur miqësinë, edhe në situatat dramatike të jetë së tij, deri sot, kur e dha frymën e fundit.

Për gati pesë dekada, me Arifin i kemi përjetuar dhe pjesëtuar bashkarisht gëzimet jo të pakta familjare, ashtu sikurse edhe hidhërimet mjaft të shpeshta që di t'i sjell jeta, sidomos ato që u "parashkruhen" njerëzve jo konformistë, siç ishte Arif Demolli.

Arifi ka qenë një intelektual i rrallë, në plotë kuptimin e fjalës, - një gazetar e redaktor i guximshëm, një shkrimtar prodhimtar - poet e prozator; romancier, eseist, autor tekstesh muzikore, autor librash shkollorë dhe, mbi të gjitha, ai ishte një mjeshtër i prozës së shkurtër satirike dhe i poezisë humoristike. Me një fjalë, Arifi ishte një krijues i gjithanshëm që na la trashëgim dhjetëra vepra që zënë një vend nderi në fondin e artit letrar shqiptar.

Arif Demolli ishte një i dënuar politik, i cili i vuajti dy vjet burg, siç iu tha, si kundërshtar i regjimit 1981/82. Qe akuzuar se ishte tallur me qeverinë dhe se kjo shihej nga provat që i kishin parë të gjalla zyrtarët e shtetit në një ditar privat të tij, që i ishte gjetur gjatë një bastisjeje policore të shtëpisë familjare në Kolovicë të Prishtinës.

Më pastaj, shtatë vjet të tjera, Arifi mbeti pa punë (!).

Ndoshta nuk është rasti të thuhet, por nuk mund të përmbahem pa e thënë se turpi duhet të bie mbi atë që e spiunoi, mbi urdhërdhënësin, hetuesin, prokurorin e gjyqtarin, serbë a shqiptarë qofshin ata, që e arrestuan dhe e dënuan Arifin, që u përpoqën t'ia prishnin jetën, ashtu si dhe mbi ata që s'e lanë të punonte, mbas vuajtjes së dënimit.

Ata që ia mohuan këtë të drejtë themelore, pra të drejtën e punës (shqiptarë ishin), do të duhej ta dinin se Arifi i kishte katër fëmijë që duhej rritur e ngritur. Fëmijët, megjithatë, do të rriteshin e do të ngriteshin, ndonëse me shumë mundime ... Ata u rritën me dinjitet, me përkujdesjen e Gjyshit Rizë, sa ishte Arifi në burg, dhe Nënës Nergize, gjatë gjithë kohës, gjatë vuajtjes së burgut dhe më pas.

Sot, kur tashmë janë bërë të zotët e vetës, Anila, Mimoza, Ylli dhe Dodona, të gjithë me studime të mbaruara, duhet të jenë krenarë për Babën e tyre, Arifin.

Me Arifin krenohen edhe miqtë e shokët e tij të shumtë.

Arifi e ka përballuar dënimin me burg. Arifit ia kanë ndaluar të botonte për shtatë vjet, por s'kanë mundur t'ia ndalojnë të shkruante!

Ai shkruane pa u lodhur. "Po shkruaj për vete", thoshte shpesh, deri në vitin 1990, pa shpresë se do t'i botonte në të gjallë.

Arifi e dinte si mbijetohet, sepse e dinte "Si mbijetuan shqiptarët". Ai e dinte si dukej qyteti me sytë e një artisti, sepse i shihte më mirë se të tjerët "Ballkonet e një qyteze".

Secili e ka fëmijërinë dhe djalërinë e vet; edhe Arifi e kishte të vetën. Por, "Fëmijëria, djalëria ...  " e Arifit ishte tjetër, është artistike, është kryevepra e tij.

U gëzuam vjet që Ministria e Kulturës e Kosovës e nderoi me  Çmimin Kombëtar "Azem Shkreli" për Krijimtari Jetësore Letrare, për Vitin 2015.

Ajo e nderoi Arifin, por edhe vetvetën.

Për fat të keq, që sot, artdashësit do ta kenë mangut një krijues të mirëfilltë të letërsisë. Por, duhet ta pranojmë me keqardhje se fëmijët sot janë humbësit më të mëdhenj. Atyre do t'u mungojë shkrimtari Arif, autori i dhjetëra veprave për fëmijë, vepra me shumë vlerë. Atyre do t'u këputet vargu i librave të reja të Arifit në raftet e bibliotekave shkollore e familjare.

Arifin do ta kujtojnë të gjithë ata që e kanë njohur! Do ta kujtojnë, sepse, Arif Demolli, ashtu siç shpërthente në gaz, duke qeshur me zemër për një barcoletë të rrëfyer nga tjetri, pikëllohej për një pipth dardhe të shartuar, që s'e nxirrte sythin në kopshtin e tij në Kolovicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat