Mjeranët e kritikës letrare…

Kultura

Mjeranët e kritikës letrare…

Nga: Alfons Grishaj Më: 16 mars 2017 Në ora: 14:36
Ilustrim

Postkomunizmi ka zbuluar dhe aq “shkrimtarë e poetë” sa, kombet e qytetëruara me tradita shekullore në letra, do na e kishin zili…!

 Për rrjedhojë edhe vlerësimi kritik është sëmurë. Kemi filluar t’u japim tituj si: “Penda e Artë” e “Penda e Argjendë” atyre që nuk kanë vlerë as për skrap bakri.

Shekulli XXI  ka promovuar me shumicë antivlerën se sa vlerën reale letrare. Një pjesë e “letrarëve”  të sotëm janë aq shterpë sa mendojnë se mund të fshihen pas një  diplome letërsie për të hyrë në artin e letrave. O, Zot! Ata ngatërrojnë publicistikën me fiksionin prozaik, poezinë klasike e quajnë poezi moderne.

Epigramet, varg të lirë, dramën e quajnë novelë, etj.,  etj… Shkrimet e tyre janë në nivelin e hartimeve të shkollave fillore, pa dashur t’ i hyjmë në hak fillores. Konfuzë në ide e në botkuptim estetik, shumë prej “kritikëve” nuk janë në gjendje të bëjnë një kritikë te mirëfilltë letrare, jo se nuk kanë dëshirë, por  sepse dijet e tyre janë të pamjaftueshme. Njohja e mirë e teorisë së letërsisë presupozon në rradhë të parë njohjen e termave (elementë) letrarë, si kusht për t’u orientuar më në thellësi në oqeanin e letrave. Dy ndër këto terma janë dhe Verisimilituda dhe Deus ex machina.

Njohësit e mirë të letërsisë nuk kanë nevojë për të hapur një “dyzinë fjalorësh” për termat e mësipërme të cilat janë standarte në letërsinë botërore e që ne shqiptarët i kemi huazuar pasi nuk kemi tradicion të gjatë në shkencën e letrave. Terminologjia letrare ashtu si dhe terminologjia mjekësore në mjekësi duhen të mësohen përmendësh nga studentët. Pa mësuar termat bazë nuk mund të bëhesh letrar apo mjek.

Njerëzit që nuk njohin të paktën një gjuhë të huaj e kanë shumë të vështirë për t’i kuptuar e shumë më  të vështirë për t’i shpjeguar. Boshllëku  dallohet menjëherë, kur përdoruesi  mundohet që t’i shpjegojë (në përkthim diletantësh) duke vendosur sinonimin e largët dhe jo kuptimin e saktë. Fatkeqësisht, kategoria e tillë nuk njeh as rregullat sintaksore dhe morfologjike të gjuhës, çfarë varfëron vlerën estetike letrare. Gjenialiteti letrar lind, nuk fitohet, porse dhe nëse fitohet, duhet derdhur shumë djersë për t’u ngritur në nivelin e kërkuar që vepra t’i qëndrojë kohës.

  Hubris apo egotismi, i zhvesh dhe prej asaj muze empirike që e quajmë “Krijimtari të brishtë” që nuk e ka jetëgjatësinë e një shkëndije zjarri. Me vjen të qesh dhe të qaj njëherësh kur i shoh se me sa zell shpërdajnë miopinë e tyre si letërsi apo kritikë të kualifikuar. Ndodh që degradimi arrin kulmin kur ndonjëri syresh rreket për të bërë kritikë të “kulluar” letrare, duke personalizuar subjektin, si bëri së fundmi, “letrari” Ramiz Gjini, i cili, doli nga tema dhe shkau në vulgaritet me fjalë e shprehje të rëndomta si “bishtuk”... Ai shkapërcen logjikisht  aty , ku pretendon të merret dhe me dekoratat  tona si janë marrë në vite etj. Ky tip ligjërimi nuk është as letrar e as kritik. Është tipik për një “oficer”  sigurimi…

Ndërsa për çmimin “Penda e Artë” dhuruar nga kushëriri i tij që ishte kryetar komisioni, s’ kam ç’ të them sepse vetë akti dëshmon më së miri, si një shfaqje tribalizmi, gjendjen e emancipimit të “elitës letrare shqiptare të sotme”. Sigurisht, nuk i fus të gjithë në një thes! Ai devijon  qellimin tim të sinqertë  në vertësinë e opinionit  të Ekerem Bardhes, lidhur me luften civile në shqipëri…Devijim ky,  i njohur prej kohesh që ka dalë nga  një sirtar i qelbur në Michigan! Skenar i stërnjohur që i ka dalur boja prej kohesh…

Por, le të kthehemi tek tema. Në shkrimin e tij “kritik”, Gjini pretendon se shkrimtarin Prifti, e ka mik, por në anën tjetër mundohet ta ngacmojë viganin si miza në bythë të buallit (në atë rast bualli nuk ka nevojë të kthejë kokën se i vret me bisht), duke theksuar se veprat e Naumit nuk janë të atij niveli dhe se unë gjoja paskam shkruar me superlativa për Naumin… Ai duhet të kthehet ta lexojë dhe njëherë shkrimin tim me optikë letrare. Gjithashtu, i sugjeroj që të lexojë shkrimin e tij para disa vitesh: “Sqarim për ikjen e Naum Priftit”… Aty tregohet sa fort e ka dashur Naumin..., miqësi nepërke!

 Në këtë kurth bien të gjithë mediokrit, të cilët grackojnë veten duke u bërë qesharakë. Dekonspirimi i qëllimit keqdashës e tërheq zvarrë arsyen kritike që griset e çirret rrugës. Maska e kontaminuar bie, duke shpërbërë sensin intelektual kritik. Dikur të parët tanë kanë thënë: “Fickla  vret veten me gojën e vet” si, dhe ashtu ndodh me mjeranët kritikë që nuk e dinë ku bie me shtëpi kritika letrare…

 Po i ndihmoj dhe njëherë “gjinët” dhe “gurët” e mocalit … me një shpjegim të thjeshtë pa hyrë në filozofi, sepse e di se u bie në “qafë”.

 Kritika letrare botërore ka shoqëruar zhvillimin e letërsisë, për një kohë të gjatë si opinion e më pas si shkencë. Si e tillë ajo imponon çështjen e metodës. Epoka moderne kritike ka njohur disa metoda, të cilat, më shumë se të kundërshtonin njëra-tjetrën kanë qenë të orientuara drejt pasurimit të mendimit kritik në tërësi. Por të gjitha metodat mbështeten në parimet bazë. Të gjitha i mëshojnë idesë se kritika ka për objekt të ndihmojë në ndriçimin e të panjohurave në procesin krijues, në identifikimin e stili të autorit, në njohjen e të dhënave biografike si çështje rrethanash etj. Me pak fjalë, për kritikën, rëndësi ka zbërthimi i artit të shkrimit. Tek ne nuk është shtruar ndonjëherë problemi i metodës kritike. Mendësia që ka lënë prapa realizmi socialist vazhdon të ushqejë atë traditë opinionesh subjektive. Analiza tekstore as që duket gjëkundi në shkrimet kritike, çka ndodh jo rrallë edhe me njerëzit e katedrave (departamenteve universitare) të letrave. Megjithatë tek këta të fundit, koncepti metodik nuk mungon. Mund të thuhet se të paktën dy metoda ushtrohen në shkrimet kritike të disa pedagogëve të letrave tona:

1-Kritika tradicionale, e cila e studion veprën letrare në raport të ngushtë me biografinë e autorit.

2-Kritika Sociologjike, e cila merret me kushtet e rrethanat shoqërore e historike, të cilat kanë ndikuar tek autori.

 Edhe qasja ime kritike mbështetet kryesisht në këto metoda, ndaj dhe besoj se në realizimin e portretit të personalitetit letrar të Naum Priftit, kam shkruar vetëm me objektivitet dhe me kompetencë profesionale, kurse oponenti im shkau në baltën që prodhoi vetë.

  E di që pas këtij shkrimi do të ketë sërish reagime mjerane. Sepse si çdo devijacion tjetër, kompleksi i mjerimit intelektual është i vështirë për t’u trajtuar dhe sindromat e pakuruara shndërrohen në sëmundje kronike.

Po e mbyll shkrimin me thënien brilante të Edith Wharton: “There are two ways of spreading light: to be the candle ( bishtuk) or mirror that reflects it.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat