Forma dhe përmbajtja në veprën artistike

Kultura

Forma dhe përmbajtja në veprën artistike

Nga: Bislim Aliu Më: 20 mars 2017 Në ora: 09:36
Bislim Aliu

Kur debatohet për formën dhe përmbajtjen dhe marrëdhëniet e tyre në raportet artistike dhe estetike, që duhet t’i kenë në mes vete; gjithnjë harrohet se në esencë, ato shprehin unitetin e këtyre shprehjeve. Kuptohet, vepra që në vete, ngërthen vetëm formën ose vetëm përmbajtjen, ajo vepër, në vete nuk do ta ketë, atë porosinë artistike, që vepra e mirëfilltë duhet ta ketë.

Nëse arti, nuk e zgjon atë ndjesinë shpirtërore; ai art në vete, nuk do ta ketë formën dhe as përmbajtjen e shprehur në veprën e krijuar. Zatën, për formën dhe përmbajtjen, nëpër manifestime, kongrese dhe, besa, edhe nëpr kuluare,  është biseduar dhe po bisedohet vazhdimisht edhe tani, për qëndrimin e tyre në veprën artistike.

Disa krijues, shpeshherë po shprehen, se këto dy kategori , duhet të ndahen njëra prej tjetrës. E, disa të tjerë, mendojnë pak më ndryshe; duke i cilësuar si të bashkuara dhe në lidhmëri njëra me tjetrën. Megjithatë, disa të tjerë, hasen në dilemma; si t’i qasemi krijimtarisë në veprën artistike dhe cilës prej këtyre shprehjeve duhet t’ju jepet më tepër  rëndësi; formës apo përmbajtjes.

Edhe forma, por edhe përmbajtja, në veprën artistike, duhet ta kenë idilin e vet përmbajtësor. Dhe, në këtë përmbajtësi shprehimore, disa krijues edhe mund t’i dallojmë: në krijues që i japin më tepër rëndësi formës dhe disa të tjerë që i japin rëndësi përmbajtjes. “Në artin figurative shfaqen dy pika antagoniste diametralisht të kundërta: Njëra palë trajton formën e tjetra përmbajtjen, si e quajnë ata fabulën, duke harruar në këtë mënyrë esencën, pra raportet estetike që janë edhe porosia e vet veprës artistike. Pa raporte harmonike estetike, s’mund të flasë as forma e përsosur, as përmbajtja konvencionale, ngase asnjëra nuk përmbajnë asencën e estetikës, artin shpirtëror, porosinë artistike”. (N.M.).

Uniteti i formës dhe i përmbajtjes në veprën artistike

Sa herë që debatohet për formën dhe për përmbajtjen, por edhe marrëdhëniet e tyre, në raportet estetike, që duhet të kenë në mes vete; gjithnjë harrohet, se në esencë, ato shprehin unitetin e këtyre shprehjeve. Andaj, uniteti  i tyre dhe domethënia e shprehur në veprën artistike, medoemos, do t’na fisnikrojë shpirtin dhe mendjen, dhe, në anën tjetër, do të jemi bashkudhëtarë të denjë në zbërthimin e domethënies artistike.

Ky komunikim artistik dhe estetik, i shprehur në veprën artistike,  doemos duhet të jetë komunikim shpirtëror, për ta kuptuar veprën në mënyrë universale. Zatën, në këtë kontekst, vepra që në vete e ka këtë universalitet; ajo, sigurisht, do të frymojë lirshëm dhe do të jetë, më e kuptueshme për shikuesin, ose për lexuesin. Mendoj, se vetëm ky bashkim i shprehur, do ta funksionalizojë veprën, e cila do të ketë domethënie dhe shprehje të lartë artistike.

Dhe, mu për këtë shpërfaqje të lartë ndiesore, mund të themi se arti shpirtëror, është  një fshehtësi e lartë, por edhe një brengë e fshehur, e cila vazhdimisht, e ngacmon krijuesin. Dhe, të gjithë ata krijues (shikues), që artin nuk e konsiderojnë, si domosdoshmëri shpirtërore, e cila e fisnikron mendjen, ata, pra, asnjëherë nuk do ta gjejnë atë thelbësorën dhe artistikën në veprën e krijuar.

Gjithsesi, gjendja shpirtërore e krijuesit, luan rol primar në krijimtari

Pa dyshim, gjendja shpirtërore e krijuesit, luan rol primar në shpërfaqjen e ndiesimit dhe në realizimin e veprës artistike. Këtë shpërfaqje idealizuese, gjithnjë krijuesi i mirëfilltë duhet ta ketë. Në anën tjetër , për realizimin e kësaj gjendjeje, në veprën artistike, kërkohet materializim artistik, e cila do të bëhej, me anë të materjes, ngjyrës, drurit, gurit; e që do të shprehej, me anë të mjeteve artistike, figurative, siç janë; vija, forma, ritmi, faktura, kompozicioni…

Në këtë kontekst të shpërfaqjes, secila kohë i ka pasur shenjat e veta karakteristike, kuptohet, të tjera shenja ishin të periudhës së Klasicizmit. Romantizmit, Barokut, Rokokosë, Renesancës, dhe, krejtësisht të tjera ka arti modern.

Eshtë krejtësisht e kuptueshme, se arti shpirtëror origjinal, asnjëherë nuk do të krijohet pa talent, vetmohim dhe pa sacrificë. Pra, ky art i lartë shprehës do të krijohet, kur gjendja shpirtërore e ngacmon dhe e detyron krijuesin që të krijojë.

Në fund, mendoj, se në çdo formë në krijimtarinë artistike, gjithsesi ndihen pulsimet edhe të përmbajtjes. Dhe, për këte, do të thoshim; përmbajtja është pasojë e formës së idealizuar. Andaj, vetëm uniteti i formës dhe i përmbajtjes, do t’na shpie gjer te vepra artistike, që gjithnjë do të peshonte, si një vepër e idealizuar, e formësuar dhe me një përmbajtje të lartë sensuale. Për këtë fuzionim të lartë të shpërfaqjes përmbajtësore do t’i  përmendim veprat; “Elegji për Kosovën” e Tahir Emrës, “Autobiografia” e Xhevdet Xhafës, “Medaljonet e Prizrenit” të Engjëll Berishës, “Hamalli” i Musli

Mulliqit e ndonjë tjetër. Këto vepra e kanë shkallën më të lartë të kreativitetit shpirtëror dhe përmbajtësor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat