Nderim qytetar për profesor Gani Demir Ratkocerin

Kultura

Nderim qytetar për profesor Gani Demir Ratkocerin

Nga: Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C Më: 17 prill 2017 Në ora: 07:06
Agron F. Fico

Profesor Gani Demir Ratkocerin e gjen lehtë në dy adresa mjaft të njohura në kryeqytet: në bibliotekën kombëtare ose në Arkivin Qendror të Shtetit. Shkrimet e shumta: studime shkencore, ese, artikuj të ndryshëm dhe mbi të gjitha një duzinë librash shkencorë-historikë shpjegojnë edhe arsyen pse profesor Ganiun mund ta gjesh e takosh në ato institucione kulturore.

I lindur dhe i rritur në komunën e Lipjanës të Kosovës së bukur, Kosovës së trimave dhe trimëreshave, Kosovës së luftërave të pareshtura kundër pushtuesve turq osmanë dhe për gati 100 vjet edhe kundër okupatorëve serbë, Gani Demir Ratkoceri u formua si luftëtar i çështjes shqiptare kosovare, me përpjekje e mundime të shumta.

Në vitet e bukura të studimeve në fakultetin gjuhës shqipe dhe të letërsisë, në vitet 1953-1957, me Ganiun ishim shok dhe u bëmë miq në vitet e më vonshme. Gani Demir Ratkoceri shquhej për fisnikëri, për maturi dhe si student shquhej për zell në ndjekjen e leksioneve.

Nga librat e botuara mësova se Ganiu krahas mësimit kishte filluar dhe hedhur hapat e para për të ndriçuar ngjarje dhe personalitete të shquara nga Kosova në gjirin e lëvizjes kombëtare shqiptare, që fatkeqësisht ishin lënë në harresë, ose ishin shtrembëruar e keqtrajtuar roli dhe prurjet e tyre, siç ishte rasti i Hasan Prishtinës.

Studenti i vitit të parë për gjuhë-letërsi, në vitin 1953 do t’i thoshte profesorit të historisë se “Nuk jam dakord me ju si e mbyllët leksionin. Sot nuk jam në gjendje t’jua argumentoj me dokumente, por ndoshta do të vijë një ditë që këtë do ta bëj…” (Gani Demir Ratkoceri - “Mësues i Popullit”: Një jetë veprimtarie kombëtare për Kosovën dhe Shqipërinë, 2016, f. 387.)

Ky hap i parë dhe i mbarë skicoi tiparet kryesore të Gani Demir Ratkocerit si student-studiues dhe aktivist i përkushtuar i çështjes kosovare. Mori guximin qytetar dhe i shkroi Kryeministrit të asaj kohe, që shkurtazi i kërkohej:

1. Të rinjve kosovarë të grumbulluar në kampe filtrimi, pa përjashtim, t’u krijohet mundësi për vazhdimin e studimeve të larta në universitet në degët që dëshirojnë; të tjerëve t’u jepet punë e shtëpi.

2. Instituti i Historisë ta ripunojë historinë kombëtare në përgjithësi..., sidomos ngjarjet madhore si Lidhja e Prizrenit, Kryengritjet e mëdha në Kosovë 1908 e vijim deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në tekstet e historisë për të gjitha nivelet e shkollave, udhëheqësit e kryengritjeve të mëdha janë trajtuar si tradhtarë. Ata të rehabilitohen sipas ndihmesës që kanë dhënë. (Vep. cit., f. 387-388).

Kërkesa të tjera, në letrën e dërguar, ishin për trajtimin e temave nga Kosova në veprat letrare, në shtypin e përditshëm e gjer në transmetimin në radio-Tiranën i këngëve popullore edhe nga Kosova.

Ganiu entuziast, i palodhur dhe me përkushtim atdhetar në mendje e zemër u bë organizatori dhe frymëzuesi i mjaft takimeve, tubimeve intelektuale për diskutimin dhe popullarizimin e historisë dhe figurave të shquara të lëvizjes atdhetare të Kosovës.

Veprimtaria studimore, aktiviteti atdhetar për Kosovën dhe Shqipërinë e Gani Demir Ratkocerit zhvilloheshin në një kohë tepër të vështirë, kur diktatura totalitariste ndiqte me egërsi dhe persekutonte çdo person dhe ide përparimtare.

Më 1978 Ganiu arrestohet si “irredentist” e dënohet me 9 vjet burgim me akuzën “për agjitacion dhe propagandë”. Në dokumentin zyrtar të pafajësisë më 1984 shkruhet se “Goditja e tij është bërë me urdhër të UDB-së” (Vep. cit., f. 399).

Me kërkime të gjithanshme të burimeve historike, dokumenteve të arkivave dhe me gjerësinë e temave që autori trajton del se ai ka punuar e vepruar si një institucion më vete. Ai me punën e pareshtur e të vazhdueshme arriti të botojë vepra, punime shkencore monografi për figurat kombëtare si: Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Bajram Curri, Skënderbeu etj.

Studiuesi i njohur Gani Demir Ratkoceri ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj dhe ese nga historia jonë e re, por edhe vepra, që disa prej tyre po përmend: “Kryengritja shqiptare më 1912” (Tiranë, 1997); “Idriz Seferi dhe Lëvizja Kombëtare në Kosovën Juglindore” (Tiranë, 2000); “Kujtime-ballafaqime me jetën” (Tiranë, 2000); “Adem Selimi (Gllavica” (Tiranë, 2004) etj.

Vepra më e njohur dhe e shoqëruar me komente dhe vlerësime të shumta nga lexuesit e veçanërisht intelektualë të njohur është monografia “Prof. Ahmet Gashi, rilindësi i fundit”.

“Ky libër i kushtohet njërit prej themelueseve të arsimit kombëtar shqiptar, njërit nga mësuesit më të njohur të shkencës së gjeografisë shqiptare dhe domosdo i kushtohet njërit prej atdhetarëve më të flaktë shqiptarë, i cili përmbi 70-vjet ia kushtoi jetën e vet përparimit, bashkimit dhe ndërtimit të kombit shqiptar. Ky shqiptar i madh, për të cilin është shkruar ky libër, është profesor Ahmet Gashi”. (Vep. cit., f. 33)

Autori i librit, Gani Demir Ratkoceri, ka një meritë të veçantë se përveç dashurisë së pamasë që ka për profesor Ahmet Gashin ka bërë një punë të pazakontë në grumbullimin e dokumenteve të arkivave, materiale të botuara, madje edhe të kujtimeve të bashkëkohësve dhe nxënësve të profesor Gashit. Me këtë ditar materialesh dhe me fakte të panumërta, autori, zoti Gani, ka hartuar një vepër shkencore të shkruar me mjeshtëri dhe profesionalizëm të lartë.

Në këtë libër, figura e profesor Ahmet Gashit jepet e gjithanshme, sikurse ka qenë në të vërtetë. Që në moshën e re ai lidhet me lëvizjen kombëtare për t’i shpëtuar robërisë turke, qysh i ri ai ndien dhe sheh peshën e pushtimeve të trojeve shqiptare nga shovinistët ballkanas serbë e grekë.

Profesor Ahmet Gashi ishte dhe u bë përkrahës i zjarrtë i ngjarjeve të mëdha kombëtare: Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nga shtetari i madh Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës.

Veprimtaria politike, pedagogjike dhe shkencore e profesor Gashit gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë plotësisht në dobi të kombit shqiptar.

Veprimtaria e gjithanshme dhe e shtrirë në një hark kohor tepër të gjatë e profesorit të nderuar Ahmet Gashi nuk mund të përmblidhet në kornizën e këtij shkrimi, por vetëm synon të ritheksojë disa nga kulmet e kontributeve dhe vlerave pedagogjike-shkencore dhe mbi të gjitha atdhetare.

Prof. Dr. Fehmi Rexhepi e karakterizon profesor Ahmet Gashin si “personaliteti që kontribuoi në tri periudha të historisë sonë: në periudhën e Rilindjes, në periudhën pas Pavarësisë dhe në atë të pas Luftës së Dytë Botërore. Ai është autor i shumë teksteve mësimorë të gjeografisë, autor i hartës etnike të Shqipërisë, hartës më komplete, më të saktë e më të pranueshme deri sot...” (Vep. cit. f. 27)

Është origjinal, madhështor dhe tingëllon bukur dhe fuqishëm mendimi për Shqipërinë etnike i Profesor Ahmet Gashit, i skalitur në vetëm tetë fjalë të gjuhës shqipe naimjane, - “Shqipëri quhet vendi ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë”. (Vep. cit., f. 26)

Ndërsa studiuesi i njohur dhe autori i librit, profesor Gani Demir Ratkoceri, e ka gdhendur emrin dhe veprën e Ahmet Gashi me togfjalëshin diellor “Rilindësi i Fundit”.

Profesor Gani Demir Ratkoceri ka zhvilluar një veprimtari kërkuese, studiuese botuese të pandërprerë gjer në ditët e sotme. Në prag të pesëdhjetë vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Ganiu botoi shumë artikuj monografikë shkencorë në shtypin e kohës për Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin, Ismail Qemalin dhe mjaft figura të tjera atdhetare.

Ndërsa më 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, botoi librin me titull “100 vjet Pavarësi”.

Libri i fundit është “Një jetë veprimtari kombëtare për Kosovën dhe Shqipërinë” (2016), një monografi autobiografike për jetën dhe veprimtarinë e gjerë atdhetare, shkencore e publike të Profesor Gani Demir Ratkoceri.

Meriton një vëmendje të veçantë edhe profili profesional i zotit Gani si arsimtar i përkushtuar, që ka shërbyer e punuar në Kosovë, Berat, Tiranë, Mirditë. Ky përkushtim në edukimin e brezave të tërë, nderimi për sakrificat dhe punën e pamasë e mësuesit Gani Demir Ratkoceri ndrit në titullin e bukur që mban, “Mësues i Popullit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat