Simon Rrota, peizazhist i përkryer

Kultura

Simon Rrota, peizazhist i përkryer

Nga: Bislim Aliu Më: 17 prill 2017 Në ora: 10:54
Bislim Aliu

Pa dyshim, piktori Simon Rrota, bënë pjesë në grupin e piktorëve që me devotshmëri  e përkrahën realizmin në Shqipëri. Atë, zatën, e përkrahu me dinjitet të plotë dhe vijimisht u angazhua për zhvillimin e këtij drejtimi. Dhe, nëse i analizojmë këto tema realiste të këtij piktori, do të vërejmë idilin e lartë të shprehjes përmbajtësore. Veprat e tij, gjithsesi janë plotë dritë dhe rrëfejnë jetën e përditshme. Ato në vete, kanë realizmin e thuktë dhe, mbase, tejet rrëfimtar. Zatën, fillimi i shekullit XX-të në Shqipëri konsiderohet konsolidim i pikturës laike realiste. Dhe, kjo sigurisht, lidhet me dy emra të rëndësishëm të kësaj periudhe, Kol Idromeno dhe Simon Rrota.

Piktori Rrota, lindi në Shkodër më 1887 në një familje të mesme qytetare. Në fillim i ati donte ta bënte tregëtar dhe ishte nxënës i piktorit Kol Idromeno. Ai te ky piktor edhe i mori mësimet e para për pikturë. Pas një kohe ai arratiset në Itali dhe i vijon mësimet në Akademinë e Breras. Akademinë e kreu në vitin 1915. Më pas kthehet në atëdhe, fillimisht punon si fotograf, e më pastaj edhe si skenograf i grupeve amatore në Shkodër. Jeta ishte jashtëzakonisht e vështirë, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë.

Në vitin 1922, emrohet pedagog në gjimnazin e Shodrës. Aty punoi një kohë të gjatë.

Piktori Rrota aktivitetin e vet të mirëfilltë e tregoi edhe në shumë shoqëri patriotike në Shkodër, si; Shoqëria “Besa shqiptare” “Rozafa” dhe “Bogdani” ku ai bashkëpunon në realizimin e dekoreve të pjesëve teatrale. Dhe, në këtë drejtim, piktori Rrota mund të konsiderohet si skenografi i parë i teatrit shqiptar të shekullit XX-të.

Rrjedhimisht, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, figura e Skënderbeut, ishte njëra prej motiveve më frymëzuese për të gjithë piktorët në Shqipëri. Dhe, tabloja “Një betejë e Skënderbeut” e realizuar nga piktori Rrota në vitin 1915, do të renditet në kompozimet e para dhe të mirëfillta në Shqipëri.

Vëmendje e posaçme për gjininë e portretit

Një kohë të gjatë  vëmendje e posaçme e piktorit ishin portretet. Në fillim për këtë dashuri të theksuar, piktori tregoi interesim për portretet familjare, si të  babës, nënës, gruas, por edhe të miqëve të tij të ngushtë. Në këto vepra, të para ,të piktorit Rrota, hetohet dukshëm ndikimi i mësusit të tij Kol Idromeno. Mirëpo, më vonë me angazhim  dhe me këmbëngultësi të madhe për të krijuar edhe portrete të tjera, hetohet edhe formimi i  stilit të veçantë  piktorik dhe i shprehjes individuale të tij.

S’do mend se realizimi i këtyre portreteve dhe i figurave të ndryshme, janë tablo të  realizuara me saktësi, me plot dashuri, që ushqente piktori për veshjet kombëtare.

E, sidomos kjo ndjeshmëri e lartë ndaj portreteve, vërehet me të madhe idila e lartë shpirtërore, sidomos ndaj portreteve familjare. Në portretin e Karlës [e shoqja e piktorit], e realizuar në vitin 1923, piktori e paraqet një ndjeshmëri rezonuese ndaj çdo detaji të portretit duke përshkruar me një ndjesi të lartë që ka mundur ta bënë vetëm piktori Rrota.

Këto portrete të realizuara e kanë shprehjen folklorike e etnografike, ku venerohet me përpikëri përpjekja e piktorit për këtë gjini të pikturës. Në këto portrete, sigurisht me të madhe venerohet edhe ndikimi i hollësishëm nga arti italian i shekullit XVII-XVIII.

Nëse, në përgjithësi, me vëmendje të posaçme i analizojmë tablotë e shumta kushtuar figurave me veshje kombëtare [sidomos të koleksionit familjar] do të hetohet dendur idili i lartë i idealizmit ndjesor. Dhe, ky ndjesim, vazhdoi përherë në paraqitjen e portreteve e figurave të tij, mbase, të preferuara dhe të dashura për piktorin.

Ndjeshmëri e lartë sensitive edhe në peizazhe

Piktori Simon Rrota përpos shprehes së lartë në portrete, ai vëmendje të posaçme i kushton edhe peizazheve. Këtë, zatën, e bënë me një pedantëri të theksuar. Andaj, tani piktori nga enterieri [paraqitja e portreteve] vëzhgimet e vete i drejton në eksterier, pra në peizazhe. Në peizazhet e Simon Rrotës, e vërejmë idilin e lartë të peizazhit, në të cilin vërehet drita e natyrës, që konkretizohet bukur jeta e qytetit të Shkodrës. Andaj, jeta e fshatit dhe e qytetit, për piktorin Rrota, janë temat e dashura të tij.

Megjithatë,  në shumë peizazhe të realizuara, piktori Rrota e transmeton në një farë mënyre jetën dhe aktivitetin e qytetit. Andaj, tani, jeta e përditshme e fshatit dhe e qytetit; rrugë e rrugica të qytetit të Shkodrës, konsiderohen temat më të dashura  dhe të preferuara të piktorit Simon Rrota.

Mirëpo, për kontributin e tij të mirëfilltë, mund ta vlerësojmë edhe në fushën e mësimdhënies, ku me vetëdije të plotë ka përgatitur breza të shumtë nxënësish me kulturën më bashkëkohore artistike. E, në këtë drejtim, kontributi i tij është i pazavendësueshëm.

Shikuar më dendur opusin kreativ të piktorit Rrota, do të shohim se piktori me vëmendje të plotë e ka krijuar individualitetin e vet kreativ. Ky kreativitet i nduarnduart në vete e ka gjithmonë  shprehjen e lartë ndjesore, sensualën e thuktë dhe  kreativitetin e lartë dhe fare konkretizuese.

Dhe, nga gjithë ai opus voluminoz dhe tejet senzitiv do t’i veçoja veprat; “Portë në Shkodër”, “Shtëpi në Shkodër”, “Portreti i babës”,  “Portreti i nënës” “Te pusi i fshatit”  “Shtëpi e dëshmorit Ndoc Mazi”, e ndonjë tjetër. Në fondin e GKA, Tiranë ruhen 44 punime. Vdiq në Shkodër në vitin 1961.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat