Konica dhe muzika

Kultura

Konica dhe muzika

Nga: Sylejman Salihu Më: 21 prill 2017 Në ora: 08:45
Faik Konica

Nuk mund të kishte asnjë poet shqiptar të kohës, më shumë se Konica, që të ketë dashur me aq shumë dashuri dhe me aq shumë pasion muzikën dhe koncertet simfonike të kohës në Evropë. Kudo që ishte gjendur, qoftë Parisi, Londra, Vjena, Roma a Brukseli, Faiku nuk mund të linte pa shkuar dhe pa dëgjuar koncertet simfonike të kompozitorëve më të mëdhenj dhe aq më shumë pa dëgjuar kompozimet e të madhit Riçard Vagnerit, këtij gjermani që kishte mahnitur poetin e ri shqiptar.

Madje i entuziazmuar dhe i magjepsur nga opera e tij me emrin "Lohongrin", Konica kishte pagëzuar edhe të birin e tij të sapolindur me Sofien e bukur e të re, me emrin Henrik Lohengrin beg Konitza Schischgo. Muzika e kishte "çmendur" djaloshin shqiptar, i cili kishte ikur nga kultura orientale për të ardhur në botën e pasur me kulturë, në botën perëndimore. Po si kapërthehet ai nga ndjesitë e fuqishme shpirtërore, teksa preket nga magjia e muzikës së madhe?

Ja ç ' thotë :"Kur hyj në tempull të muzikës, kam një të qëlluar të zemrës me shpejtime, ndjej nderim të frikësuar e të përulur". Pra një nderim deri në përulje. S' përmbahet dot nga rrëmbimi i dallgëve të mëdha që e rrëmbejnë dhe që vijnë nga notat muzikore teksa godasin shpirtin e madh të artistit të ri shqiptar. Muzika është "dritë e shpirtit tim", siç do ta thotë pastaj në një nga vjershat më të bukura të tij. E njeriu a mund të jetojë pa dritë?

"Drit' e shpirtit t'im,

Ki pakëz besim:

Se pa ty s' rroj dot,

Jeta është kot,

Un' i mjeri heq,

Zemra më rënkon:

Si s' të vjen keq,

Pse më mundon?"

Për Konicën muzika është diçka hyjnore, është jashtëtokësore, qiellore, por që zbret poshtë dhe futet magjishëm në skutat e tij shpirtërore, por jo të çfarëdo njeriu, sepse edhe të shijuarit e muzikës kërkon një stërvitje dëgjimore dhe ndjenjore. S' di si do të mund të jetonin njerëzit pa muzikën, pa shijen e saj dhe forcën e saj apo pa dritën e saj? Muzika është besim, është kulturë, është mënyrë jetese, është akt i lartë fisnikërie, është hyjni.

Faiku, fundja e thoshte se "muzika nuk është qejf, është më shumë se kaq, është fe." Ai i falet asaj, ai i lutet asaj. Ajo zbut, ajo të ligën e bën të mirë dhe të mirën e shtyn tek e liga, për ta bërë të mirë, për ta transformuar dhe për ta mirësuar, për ta zbukuruar, për ta humanizuar. Ajo edhe një tufë kuajsh të azdisur i zbutë, sapo të dëgjojnë një arie të bukur muzikore, thotë Konica. Po vetë ai a provoi përveç të dëgjuarit dhe stërvitjes e shijimit dëgjimor muzikor diçka më shumë? Si jo? Nuk mund të rrinte ulur dhe fare i qetë duke dëgjuar, pa u rrëmbyer, pa u ngritur ndonjëherë edhe vetë në këmbë me instrument në dorë, që ta mbush me frymën e gojës, për t' i bërë notat të lodrojnë magjishëm në dhomën e tij.

Ai e donte dhe e njihte klarinetin dhe mbante edhe koncerte me të , por jo koncerte në salla koncertale, por koncerte në shtëpinë e tij para miqve të tij, që e shumta mund të ishin dy: mikesha Antonia dhe miku Apolineri. Këta ishin të vetmit spektatorë, që dëgjonin në Londër mikun e tyre virtuoz, i cili për t' i zbavitur ata nuk përton ta marrë lodrën e tij muzikore, klarintetin dhe t' i fryjë me dashuri, prej njeriu që dashuron të bukurën, artin e madh të dëgjimit dhe të zemrës, për t' i zbavitur miqtë e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat