Rahoveci shënon Ditën Botërore të Librit

Kultura

Rahoveci shënon Ditën Botërore të Librit

Më: 24 prill 2017 Në ora: 15:26
Shenimi i Dites Boterore te Librit

Në shënim të Ditës Botërore të Librit, në ambientet e bibliotekës komunale “Sulejman Krasniqi” në Rahovec, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport organizoi aktivitet letrar-artistik, ku morren pjesë nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Rahovecit, mësimdhënës dhe dashamirës të librit.

Duke folur për rëndësinë dhe nevojën e leximit, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gardalin Shtavica, potencoi faktin se kjo bibliotekë po pasurohet me tituj të rinj vit pas viti.

Po ashtu, Shtavica përmendi faktin se falë punës që është bërë viti i kaluar ishte viti më i begatë me lexues, respektivisht arriti shifrat 1009 lexues, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

“Ky sukses erdhi pas një pune të përkushtuar në terren, bashkëpunimit me qendrën rinore dhe me donatorë të ndryshëm edhe biblioteka është pasuruar edhe numri i lexuesve është shtuar. Aktualisht biblioteka “Sulejman Krasniqi” ka një fond prej 12935 ekzemplarësh dhe 3184 titujsh. Vitin e kaluar kemi arritur të sigurojmë 271 tituj, ndërsa gjatë këtij viti presim që ky numër të rritet, tha ndër të tjera drejtoria Shtavica, duke ju bërë thirrje të rinjve dhe mësimdhënësve që të frekuentojnë sa më shpesh këtë bibliotekë.

Një prezantim të shkurtër e bëri edhe krijuesi Milazim Bajraj, i cili shkëputi fragmente të veprave të ndryshme letrare. Në fund drejtori Gardalin Shtavica ndau libra për disa lexues të rregullt, anëtarë të bibliotekës “Sulejman Krasniqi”.

23 prilli është shpallur Ditë Botërore e Librit nga UNESCO më 15 nëntor të 1995, nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat