Biser Mehmeti “Dielli i ftohtë” (roman), botoi SHB “Buzuku”, Prishtinë, 2016

Kultura

Biser Mehmeti “Dielli i ftohtë” (roman), botoi SHB “Buzuku”, Prishtinë, 2016

Nga: Nijazi Ramadani Më: 24 prill 2017 Në ora: 17:40
Biser Mehmeti “Dielli i ftohtë”

“Dielli i ftohtë” është romani i katërt me radhë i krijuesit Biser Mehmeti, i cili vitin e kaluar u botua nga SHB “Buzuku” e Prishtinës. Duhet theksuar se ky roman në konkursin letrar të SHB “Buzuku”, në të cilin kanë marrë pjesë mib 40 krijues nga mbarë trojet shqiptare, nga juria profesionale u nderua me çmimin e 3-të. Duhet theksuar se Biser Mehmeti ka të botuar edhe një përmbledhje me tregime “Katër kalorësit e apokalipsit”.

Romani “Dielli i ftohtë” dëshmon për pjekurinë e autorit në fushën e prozës, e cila kohëve të fundit sikur është lënë anash nga shkrimtarët. Me krijimtarinë e tij B. Mehmeti ka dëshmuar  përqëndrimin e tij në fushën e romanit, duke treguar edhe aftësi prej një krijuesi të mirëfitlltë. Sikurse edhe në veprat e tjera të botuara më parë, edhe në këtë roman ai vazhdon të pasqyrojë me ngjyra reale jetën e njeriut të këtij nënqielli me të gjitha krajatjet e tija.

Personazhet që autori i tipizon letrarisht me vija të dukshme janë njerëz të zakonshëm, të cilët i vërejnë me një sy kritik shumicën e ngjarjeve, sidomos ato të pakëndshme, të cilat ndodhin çdo ditë në këtë vend. Përmes personazhve, të cilat na duket sikur i kemi takuar, madje edhe kemi biseduar me ta, shkrimtari pasqyron ngjarje të ndryshme, të cilat janë të dëmshme për shoqërinë tonë e të cilat ai vë në shenjëstër të kritikës.

 Romani “Dielli i ftohtë” sikurse edhe romanet e tjera, personazh kryesor, përmes të cilit pasqyrohet rrëfimi fabulës, është një njeri i zakonshëm, po i cili në jetën e tij duhet të përballet me ngjarje të hidhura, të cilat ia ndryshojnë rrjedhën e jetës. Ai angazhohet me tërë qenien e tij të lufton kundër fatkeqësive, të cilat ia shkaktojnë njerëzit e pandershëm, po e ka shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur. Në luftë kundër së keqës, e cila e ndjek mbrapa ngado që shkon, i duhet të përballet me një grup njerëzish, të cilët e përdorin forcën edhe atëherë kur nuk duhet ta përdorin, në rrugën e tyre drejt realizimeve të interesave personale.

Ngjarjet që autori i paraqet në këtë roman janë ngjarje reale, ngjarje të cilat ndodhin për çdo ditë në vendin tonë si pasojë e mungesës së një shteti funksional, atëherë kur njerëzit ligjin e përdorim për qëllime të ulëta personale. Romani “Dielli i ftohtë” i Biser Mehmetit hapet me një ngjarje të pazkonshëm: personazhi kryesor që në këtë rast është vetë narratori, nuk arrin ta kuptojë si gjendet prapa grilave, pasi ai është njeri i ndershëm dhe si i tillë nuk ka bërë asnjë krim për të cilin mund të dënohej.

Gjatë kohës sa shoqërohet me vetminë e tij brenda katër mureve, tërë kohën e shqetëson pyetja retorike: pse gjendem në burg kur nuk i kam bërë askujt asnjë të keqe!... Personazhi kryesor, sikur në veprën e Franc Kafkës, burgoset pa i treguar askush pse burgoset. Sikur në përgjithësi është roman i absurdit. Sipas kësaj, autori ka pasqyruar dramën e vuajtjes dhe krajatjen e njeriut të pafajshëm, i cili privohet nga liri për tekat e disa zyrtarëve shtetëror, qëllimi i të cilëve është krijimi i pasurisë në mënyrë të pandershme. Me fjalë të zgjedhura, me një gjuhë mjaft të figushëm, shkrimtari arrin të paraqet edhe botën e brendshme të njeriut që lufton me vetveten, i nxitur nga faktorët e jashtëm.

 Përmes disa ngjarjeve, të cilat lidhën në mes veti në mënyrë kronologjike, autori me ngjyra të errëta, përmes figurave të shumta letrare, ka arritur të paraqesë një sistem të korruptuar gjyqësor, i cili nuk vepron sipas ligjeve, po sipas interesave të një grupi të ngushtë të njerëzve, të cilët e udhëheqin drejtësinë pa kurrfarë meritash. Ai gurp i njerëzve e shfrytëzon pozitën shoqërore për të arritur deri te krijimi i pasurisë përrallore dhe krejt këtë përmes rrugëve joligjore. Tehun e kritikës autori e vë te gjykatësit oligarkë, të cilët janë të detyruar t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, po pikërisht ata janë shkelësit më të mëdhenj tyre, madje me vetëdije të plotë.

Në këtë mënyrë gjykatësit pa kurrfarë mëshire u shkaktojnë njerëzve fatkeqësi të mëdha, trauma, madje edhe ua rrëmbejnë pasurinë e krijuar me djersën e tyre. Autori B. Mehmeti në këtë roman pasqyron gjykatës e prokurorë që e zhvatin  pasurinë e qytetarëve të ndershëm përmes kërcënimeve, shtazheve e formave të ndryshme joligjore. Njerëzit vihen para shumë sfidave si pasojë e veprimeve jonjerëzore të atyre që duhet ta zbatojnë ligjin në mënyrë të drejtë. Në këtë roman hasim edhe prokurorë e avokatë të pamorlashëm që shkelin pa mëshirë mbi dinjitetin e njerëzve të pafajshëm. Ata arrijnë deri në atë pikë sa u kërkojnë femrave të reja kënaqësi trupore që të afërmit e tyre t’i lirojnë nga aktakuza të shpifura ose nga burgu ku mbahen padrejtësisht... Autori paraqet një sistem të tërë gjyqësor, i cili vepron në mënyrë sistematike kundër interesave të popullit, edhe pse thirret në emër të tij...

 Qëndrimi i njeriut të pafajshëm në burg pasqyrohet në mënyrë mjeshtërore edhe përmes dialogeve të brendshme, të cilat narratori i bën gjatë kohës sa priste vendimin nga gjyqi, të cilin dikur bindet se nuk do t’i vie asnjëherë. Mbajtja e tij në burg pa kurrfrarë aktakuza i shkakton çrregullime të rënda shpirtore sa fillon ta humb ndjenjen e të qenit njeri. Me kalimin e kohës ai fillon ta ndjej veten “fajtor”, madje edhe dyshon se ka bërë ndonjë krim, i cili nuk i kujtohet kur e ka bërë. Fillon të grindet me vetveten për gjëra që nuk i ka bërë, ngase ndjenja e fajtit gjithnjë e më tepër e rëndon.

Autori me fjalë të zgjedhura e ka paraqitur deri në skaje të thella botën psikologjike të njeriut gjatë kohës sa mbahet në burg pa arsye. Është një dramë e trishtueshme kur njeriu gjithnjë lufton me vetveten derisa një ditë mundohet të bënë vetëvrasje dhe të shpëton nga dhembja që ia han shpirtin në heshtje. Personazhi kryesor me kalimin e kohës nuk e ndjen më veten të gjallë, ngase ka bindje sikur më nuk gjendet në burg, po në varr. Ai nuk është në gjendje ta kupton si ka ndodhi që gjendet në varr, pasi që nuk i kujtohet si ka vdekur... Kur personazhi kryesor, pra narratori, e humb shpresën se një ditë do ta kupton pse gjendet në burg, pikërisht atëherë në qelinë e tij hyn gjykatësi, me vendimin e të cilit ai mbahej pa të drejtë prapa grilave.

Gjykatësi portretizohet si një zyrtar shtetëror, të cilin askush nuk guxon ta kundërshton, madje as atëherë kur ai merr vendime skandaloze. Gjykatësi nga personazhi kryesor kërkon një shumë të madhe të hollash me kusht që ta liron nga burgu. Nëse ai refuzon kërkesën e gjykatësit, i cili nuk merakoset pse e shkel ligjin, do të mbetet në burg edhe për shumë vite, duke i montuar krime që nuk i kishte bërë. Këtu arrin kulmi i marrëzisë. Personazhi i romanit “Dielli i ftohtë” gjendet para një dileme të madhe jetësore: të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje për shumë vite në burg apo t’i japë një shumë të madhe të hollash gjykatësit që ta lërë të jetojë i qetë... Përballja e tij me një situatë kaq absurde e sjell atë në krizë të thellë shpirtrore. Megjithatë, pas shumë dilemash, ai bindet se asgjë në këtë botë nuk ka vlerë më të madhe se liria individuale. Në një farë mënyre është roman për lirinë dhe mohimin e saj... Personazhi kryesor e humb krejt pasurinë që e kishte trashëguar nga prindërit e tij në shkëmbim të lirisë së mohuar padrejtësisht nga gjykatësi.

 Në një rast autori sikur shpërthen nga gjendja shumë e mjerë në të cilin ndodhet sot shoqëria jonë, kur përmes një personazhi dytësor, thotë: në vendin tonë jetë të lumtur bëjnë kriminelët, hajnat, gënjesharët, mashtruesit, hipokritët!... Të jesh i ndershëm, sot është marrëzi! Njerëzit e ndershëm po përjetojnë fatkqësi të mëdha!... S’ka gjë më të tmerrshme sesa një gjykatës i pandershëm ta denon me burg një njeri të ndershëm!... Edhe kur personazhi kryesor del nga burgu përsëri ballafaqohet me një situatë të mjerueshme, e cila i shkaton traumë të rëndë shpirtrore. Ai tmerrohet tej mase kupton se gjykatësi bashkë me prokurorin gjithnjë e kanë shfrytëzuar gruan e tij sa herë kanë dashur, duke i premtuar asaj se do t’ia lirojnë burrin nga burgu.

Në këtë mënyrë gruaja e tij bëhet lodër në duart e gjykatësit e të prokurorit... Përmes kësaj ngjarje autori arrin të na paraqet edhe shkatërimin e familjes si pasojë e një sistemi të korruptuar gjyqësor. Personazhi kryesor në fund mbetet në udhëkryqin e jetës pa asgjë: pa shtëpi, pa të holla, pa grua, pa miq... Krejt kjo tragjedi ndodh pa fajin e tij, po me fajin e atyre që e udhëheqin sistemin e drejtësisë... Kur personazhi del nga burgu ballafaqohet me shumë fakte të hidhura, të cilat e dëshpërojnë edhe më shumë. Njerëzit që kishin rrezikuar jetën për lirinë e atdheut tash ishin gjendur në humnerën e mjerimit duke u ballafaqur me skamje të skajshëm. Për të gjetur një jetë më të mirë ata detyrohen të largohen nga atdheu, ndaj të cilit më nuk ndjenin dashuri, sepse atdhu ishte ai që i “vriste” për çdo ditë...

 Romancieri Biser Mehmeti në romanin e tij të fundit “Dielli i ftohtë”, i cili nga vetë titulli, mund të kuptojmë që në mënyrë figurative, ka arritur të përshkruajë ngjarje që ndodhin në kohën në të cilën sot jetojmë e të cilat janë mjaft të dëmshme për shoqërinë tonë. Autori duke parë shumë procese nëpër të cilat po kalon sot shoqëria jonë, nuk ka mundur të qëndrojë indiferent as ndaj disa njerëzve që e pengojnë ecjen përpara të vendit tonë. Mirëpo, të gjithë këto ngjarje i ka paraqitur me një gjuhë të zgjedhur frigurative, të cilat e bëjnë romanin të ketë vlerë të qëndrueshme estetike. Ndoshta kjo edhe ka qenë arsyeja që në konkursin e “Buzukut” është nderuar me çmimin e 3-të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat