Kronika nga Kështjella e Lekës

Kultura

Kronika nga Kështjella e Lekës

Nga: Gani MEHMETAJ Më: 14 maj 2017 Në ora: 20:59
Gani MEHMETAJ

Fëshfërima e erës e barte pëshpërimën e ushtarëve të mbërthyer në kështjellën malore. Të alarmuar nga lëvizjet e dyshimta, të detyruar të vrojtonin natë e ditë dy qafat malore, ushtarët e mbërthyer me pajime lufte, lëviznin kujdesshëm në pikat e vrojtimit. Prapa bedenit, në shkurrishte era i bartte zërat e mbytur që i përvidheshin kështjellës. Dy ushtarë në kullat e vrojtimit më sy të gapërruar shihnin me tmerr e zëri nuk u dilte.

Dikur dhanë kushtrimin. Alarmi e vuri në lëvizje barkun e kështjellës. Brenda rrethojës me mure të trasha e gurë të mëdhenj të shkëputur nga shkëmbit dëgjoheshin hapat e rëndë të kohortës. Kodrat i mbuloi ushtima e britmave luftarake, zëri kumbues i komandantit të kështjellës shtrihej mbi dy grykat. Dëgjoheshin ndeshjet e thata të metalit me metal, fishkëllima e shigjetave kalonte herë nga e djathta, herë nga e majta. Një goditje e shurdhër në mish të dikujt, ofshama e dhimbjes nuk vonoi. Pastaj shurdhëria e mbyti kështjellën e luginën...   

Arkeologu u shkëputë nga imagjinata, sikur të këndellej nga një ëndërr. Përpiqej të kapte  arkitekturën e ndërtimit të kështjellës, analizonte pozicionit strategjik, shihte nga duhej të vinin mësymësit dhe ku ishin pikat e dobëta të mbrojtësve. Vendi e magjepsi, një qetësi parajse ia mbylli veshët. Heshtje. Ekipi i hulumtuesve i rrinin pranë me pajimet në supe, duke ndjekur lëvizjet e shefit.  

Kështjella e Lekës ishte aty, e heshtur dhe e zymtë, fshehtësi tunduese ndrynte brenda vetës. Arkeologu shpejt e mori vetën, nisi  të përcaktonte pozitën e kështjellës malore, pikat e vrojtimit, gurët e të cilave kishin lëvizur nga dridhjet tektonike e nga goditjet e forta. I ra rrotull rrënojave-mure të trasha deri në tri metra, i mati me sy kullat, e skicoi formën e kështjellës dhe kufijtë që e ndanin nga gjeografia e mjedisit. Të tjerët i shkonin prapa, masnin e jepnin koordinatat, merrnin e jepnin shënime.

Në një tërthorë i ra në sy maja e shigjetës. E mori në dorë, e rrotulloi disa herë, përpiqej të përcaktonte kohën e punimit dhe ushtrinë që e përdori. Sa herë gjente armë a monedha antike, emocionet ia përshkonin trupin, imagjinonte jetën e të parëve të vet. Numëroi me hapa mjediset e  kështjellës: rrugicat, kazermën e vogël dhe fjetoret e ushtarëve. Duke hulumtuar më vëmendje i ra në sy një copë kutie metalike, e mbërthyer me një dry të ndryshkur. Gjetja e la pa frymë, u kërrus, largoi gurin e gdhendur që e fshihte gjysmën e kutisë. Gjatë punës hulumtuese në terren kishte hasur përkrenare, mburoja ilire e romake, stoli ari, varre monumentale, por asnjëherë kuti të tilla, që dukeshin ndryshe nga gjetjet e mëparshme. Kishte diçka personale e të fshehtë në atë peshtaf metali të ndryshkur. Nga padurimi e goditi me një gurë disa herë drynin e ndryshkur. Dora i dridhej nga emocionet. Kur dryni  i brishtë kërciti, ai me padurim futi dorën brenda kutisë, një grumbull letrash pergamenti, të mbështjella më lëkurë të trashë bualli i doli parasysh. Letrat i rrotulloi era malore. E mbërtheu me kujdes kapakun, që të mos shkapërderdheshin e të zhubroseshin. Shkrimi i imët latin me fjalë të gjuhës vendëse, kuptimin e të cilëve e kapte vagëllimthi, e bëri t'i shkonin djersë në freskun e pas ditës së prillit. Syzat nuk e ndihmonin  shumë, i duhej një llupë që do t'ia zmadhonte shkronjat. Një maje shigjete e gjeti edhe brenda në peshtaf, të njëjtë me atë të mëparshmen. Prapë e pa më vëmendje.  Pasi i mori të dhënat për kështjellën, e përcaktoi pozicionin gjeografik, lartësinë mbidetare, drejtimin e hyrjes kryesore e tri kullat e vrojtimit, Leka, arkeologu me emrin e njëjtë të kështjellës, natën e kaloi mbi dorëshkrim.

Muaji i marsit, 422 vjet pas Krishtit

"Rrija në kullën veriore të vrojtimit, me helmet e gjoksore ngjeshur, me shtizë në dorë, i gatshëm të lëshoja kushtrimin po pikasa lëvizje të dyshimta. Qielli ishte i kaltër deri thellë në horizont. Fluturimi rrethor i një shqiponje me mrekullonte. Ia lakmoja lëvizjet e lirinë e pakufishme, me kënaqte sytë fluturimi mbretëror, përderisa mua ma zinte frymën fortifikata malore. Bënim roje.  Askush nuk e dinte pse e quanin kështjella e Lekës, por me këtë emërtim figuronte edhe në hartën e komandës, ku e mbaja evidencën edhe për komandantin.

Ishim në skajin perëndimor të Dardanisë, në mes të dy kodrave të pingulta e rrafshinës së pakufishme, që shtrihej disa lega tutje. Kohorta jonë prej njëqind ushtarësh, komandohej nga oficeri Dardanikus, një ushtarak i ashpër por i drejtë. Rrallë futej në biseda me ushtarët, por të gjithë e çmonin guximin e aftësinë ushtarake. Shumica kishim qenë me te në ekspedita deri në Britani. Kur nuk bënim roje, luanim cim-mic. Ndonjëherë pinim verë që na e sillnin nga katundi pranë, e blinim lirë.    

Ishin kohë të turbullta e të paqëndrueshme.  Lajmet nga qendra e perandorisë vinin kundërthënëse e të frikshme. Një lajmëtar, erdhi me kumt të kobshëm, Roma po dridhej nga grahmat e fundit nën thundrën e një prijësi të çmendur, zbritur nga veriu. U tronditëm. Komandanti na tha se duhej të prisnim lajmet më të besueshme, nuk i dihej, është e pamundur që fiset e veriut ta pushtonin Romën. Pas disa ditësh kumtin e plotësoi një tjetër më shpresëdhënës: Roma shpëtoi, ushtria barbare u tërhoq ashtu si ia behu. Sa morëm frymë të gëzuar, duke e shijuar pranverën e këndshme e të qetë,  lajmi i pas disa javësh i dridhi ushtarët e fortifikatës: armiku por marshonte drejtë tokave të Dardanisë. Ethet e luftës e mbërthyen kështjellën tonë,  rrinim në ankth të sulmit e pritjes së mësymjes.

Fortifikatat në të majtë dhe ajo përballë në luginë, mbi një sukë, disa lega larg, nuk jepnin asnjë sinjal shqetësimi. Kishim kodet tona ne. Derisa nuk merrnim shenja alarmi, s'duhej të brengoseshim, na tha komandanti. Fortifikata jonë ishte ndërtuar të ndiqte lëvizjet e armikut, të pengonte depërtimin derisa të mobilizohej ushtria në kazermën e qytetit më të afërt, Pirustit mbi dhjetë lega larg fortifikatës sonë.

Fund prill, 422 vjet pas Krishtit

Lajmet shpesh vinin të vonuara. Njëri kumt e shkelte tjetrin. Lajmëtarët nisën nga Roma, kalojnë nëpër Gadishullin Ilirik, pushojnë në Naissus, qendrën e Dardanisë. Aty pëson ndryshime apo plotësime kumti. Ose kur kumti vjen nga deti, atëherë pluskon nëpër valët e dallgëzuara, përplaset në brigjet e Dyrrahit, vazhdon tutje nëpër Lisus, duke iu shmangur Skodrës,  për t'u ngjitur nëpër stuhitë e alpeve të thepisura deri në cepin e kështjellës sonë, ku përfundon mali dhe nis zbutja e kodrinës. 
Dallohen lajmëtarët që kalojnë nga deti nëpër alpe nga ata që vijnë në rrugën e vjetër të Naisusit. Të parët i ka njomur uji i njelmët e shiu, i ka nxirë dielli mesdhetarë, duke ua bërë lëkurën si pergament Egjipti; të dytët që zbresin nga veriu era ua thanë fytyrën, u hynë në eshtra acari. Pluhuri i rrugëve të gjata i mbulon deri të flokët e çngjyrosura.

Muajve të fundit kumtët janë të shqetësuara, kobzeza e të paqëndrueshme, ashtu si bredhin të shqetësuara si retë që sjellin rrebeshin ushtritë kërcënuese. Këto ushtri firojnë rrugës befas, ndërsa ne i presim në ankth.

Lajmet nuk japin shpresë, lajmëtarëve nuk u buzëqesh fytyra. Janë të përflakur nga moti, të lodhura nga rruga, me sy të gapërruar si të kishin kaluar nëpër rrathët e Ferrit. Kur zbresin nga kali, fytyra u ngjanë në maska fantazmash nga bota e përtejshme që e kanë parë vdekjen. Sa herë ua shoh nga larg siluetën, ndërsa çuditërisht i pres me padurim, drithërimat ma përshkojnë trupin, lus në heshtje zotin t' i largoj mu si largohen hijet e natës. Por ata ngjitën në nxitim kodrës së rrëpinjtë, zbresin të shqetësuar e në nxitim nga kali, vrapojnë të komandanti i kështjellës të mbushur frymë. dalin si hije fantazmash. Në të kthyer komandanti urdhëron përgjegjësinë e nozullimit ta furnizojë me ushqime e kalë të freskët  lajmësin. Kalorësi i pluhurosur i ngjitët mbi shpinë kalit tjetër dhe zhduket tatëpjetë rrugës me gurë si era e malit. E ndoqa më vëmendje derisa u bë mizë në luginë.

Solli një kumt dhe mori një kumt tjetër.

Pak qaste më vonë ushtarët që nuk janë në shërbim grumbullohen në sheshin para komandës, kinse rastësisht, por në të vërtet presin se mos dikush do t'ua kumtoj lajmet që solli kalorësi. Nga zyra e komandantit nuk del asnjë kumt. Vetëm të nesërmen përhapen më pëshpërima disa lajme të paqarta. Ushtarët u shpërndanë më të hutuar se sa një ditë më parë. Komandanti shpalli gjendje të jashtëzakonshme. Mobilizimi i ri sikur na zgjoi nga letargjia, na e shkundi përtacinë, na i hoqi mendimet e zymta. Secilit nga ne, ushtarëve të perandorisë ia gjetën nga një punë shtesë pos shërbimit të rojës e  ushtrimeve të mëngjesit. Fortifikata jonë u riparua. Gurët e mëdhenj, aty ku ishin shembur u lidhen me gëlqere të shuar.

Lajmëtari tjetër që na lidhte me kështjellat në të njëjtën vi fortifikimi, na tregoi se edhe dy fortifikatat njëra në luginë, që e kishim përballë në sukën e lartë dhe dy të tjerat në qafa mali u mobilizuan dhe po riparoheshin. Shqetësimi ndjehej në sytë e secilit, por asnjëri nuk e bisedonte me tjetrin, sepse nuk e kapte çfarë po ndodhte. Secili druante për familjen, që e kishte qindra lega larg në perëndim e në veri. Kështjella jonë u ripërtëri.   

Kallnuer-prill, 423 vjet pas Krishtit

Pastaj kaluan dy stinë, pa asnjë ngjarje. Fërfëlliza, bora e acari na shtangnin në vendroje. Lëvizjet e ngathëta e përtace na i mpinin gjymtyrët. Dimri u zgjatë, bora që ra i vështirësoi komunikimet, por lajmet i merrnim me shenja të koduara të tymit. Në katunde zbrisnim rrallë, as ata nuk vinin. Vetëm tymi i oxhaqeve jepte shenja jete.

Erdhi pranvera që na u duk më e bukur dhe më e harlisur se kurrë më parë. Nuk vërejtëm asnjë lëvizje të dyshimtë në luginë, kokë armiku nuk u pa as në qafë malit. Jeta vazhdonte.

Ushtarët e kështjellës sonë kryesisht ishin nga Iliria, por kishte edhe trakas, një dak flinte në shtratin përbri meje, nga Mizia e poshtme ishte  shefi i kuzhinës, kurse oficeri i ndërrimit të rojeve vinte nga Spanja. Kur bënim roje prapa bedenit, apo kur lëviznim nëpër kështjellë, sytë i mbanim përtej mureve të trasha. Prisnim vazhdimisht, ndërsa nuk e dinim çka prisnim: ndërrimin e eskortës, lëvizjet e papritura drejtë jugut a drejtë veriut, ardhjen e ndonjë ekspedite, që do të na përfshinte edhe neve në luftimet  kundër skithëve apo në lindje kundër fiseve aziatike të paqeta,  gjithnjë në lëvizje. Ishim ngopur me luftëra e ekspedita ndëshkuese, me vjet luftuam kundër fiseve gjermanike. Marshimet e pafundme na e hanin shpirtin sa vapa e të ftohtit. Dy herë shkelem brigjet britanike me komandant Dardanikusin. Patëm disa ndeshje të përgjakshme, e mundem armikun, por mezi shpëtuam kokën. Komandanti me mori me vete një herë në Naissus, ku ndenjëm dy javë. Qyteti me mrekulloi me sheshet e gjëra, me amfiteatrin e ndeshjeve e të lojërave, me mozaik në qendër të qytetit, më kështjellën që të linte pa mend. Pëshpëritej sikur komandanti ishte kushëri i Perandorit, por asnjë pohim a mohim nuk doli nga goja e tij. Shëtisnim nëpër qytet, dy herë më ftoi ët pinim në pijetore, megjithëse ushtarëve nuk u lejohej të rrinin në një tryvezë me eprorë. Në të rrallë bisedonim. Ishte i qetë në të rrëfyer, por kurrë nuk ma tha asnjë fjalë për jetën e tij. Ishte vetmitar. Unë i tregova për jetën time. Qe në rini të hershme e braktisa shtëpinë e u futa në ushtri. Pastaj bisedonim për ushtarët, ndonjëherë nuk e fshihte shqetësimin për gjendjen e turbullt, druante për sulme të papritura. Terreni malor, ku do ët ktheheshim së shpejti, ishte i përshtatshëm për ne, por rezistencën mund ta bënim për kohë të shkurtër, më shumë ishim vendosur t'u jepnim alarm kështjellave të tjera, sidomos Luginës, ku pritej mobilizim i një force të madhe.

Vjeshtë e vonë 424 vjet pas Krishtit

Shpesh me dukej që na dërguan prapa diellit. Pikëllimi e braktisja në mbërthente jo vetëm vjeshtës e dimrit.

Thashethemnaja se Perandoria po bënte mobilizim për ekspedita kundër fiseve kryengritëse i përndezi rishtarët. Sytë u ndriçonin nga dëshira për aventurat, imagjinata u punonte për të panjohurën që i prisnte, vendi vend nuk i zinte. Të kapur nga rrëfimet e veteranëve ditëve të gjata të dimrit për bëmat nga Britania në Skithi, të rrëmbyer nga dëshira që ta braktisnin kështjellë, ku nuk ndodhet asgjë, ata sa s'fluturonin. Veteranët, heronjtë e rishtarëve, u mbyllën në gëzhojën e tyre, ditën kur u tha mundësia që kështjella jonë mund të zvogëlonte numrin e ushtarëve.

Edhe në kështjellën e Jerinës, kur shkuam një ditë të ftohtë vjeshte  rishtarët na pyetën për luftën, ndërsa shihnin aventurat e femrat. Në Sukë që ishte kështjella më e madhe kodrinore nuk flitej asgjë tjetër pos për mundësinë e mobilizimit. Me dhimbseshin këta rishtarë, donin ta braktisnin kështjellën më të mirë në luginë, që zotëronte  lumenj e katunde deri larg në veri. Ne që e kishin provuar luftën, e pëlqenin paqen.

Kaloi shumë kohë e askush nuk i thirri vullnetarët as nuk organizoi mobilizim. Të ketë  qenë thashethemnajë e qëllimshme që t' i zgjonin njerëzit nga letargjia? Donin të provonin moralin e luftës? Ose ishte shpikje e fantazisë së ushtarëve që donin t'ia mbathnin nga kjo kështjellë që ua hante vjetet. Pas disa javësh askush nuk e përmendi një luftë në veri apo në perëndim përtej kanalit të Lamanshit, ku thuhej se Roma po humbiste territore, kurse muri i Hadrianit nuk i pengonte fiset e egra të futeshin në jug dhe të bënin kërdinë. 

Dy stinët e ardhshme, pranvera e vera kaluan në pritje, pa asnjë ngjarje. As lajmëtari që vinte një herë në tre muaj për të kumtuar lojërat në Arenë, modën e fundit në Romë, apo shuarjet e kryengritjeve nëpër provincat kryeneçe, nuk e nxori kokën në fund të kodrinës.  Kur vajtje-ardhjet nga qendra pushuan, nisëm të brengoseshim më shumë se sa kur rrinim nën ethet e mësymjeve. Heshtja na dërmonte. Rrugët në luginë ishin gati të shkreta. Ne kishim urdhër të mos dilnim nga kështjella-fortifikatë, të mos zbrisnim në katunde, pos kur shkonim për furnizime. Katundi më i afërt ishte një vrap pele, bagëtitë  shpesh afroheshin edhe në zonën ushtarake, na përmallonin këmborët e tyre, barinjtë që i ndillnin delet, shumicës prej nesh na e kujtonim fëmijërinë, sepse disa ishin nga katundet e Dardanisë, Trakisë, Galisë, madje edhe nga Siria e largët. Shpresonim se një ditë, do të ktheheshim në vendlindje, apo më e besueshmja do të na jepnin nga një copë tokë që do ta punonim. Unë i lash tokë e pasuri, motër e prindër, sepse s'më rrihej kot, s'kisha nevojë për asnjë privilegje. Por malli më gërryente.   

Në të rrallë ndonjë vajzë e re që  sillej disa lega larg çerdhes sonë të gurtë se si na mallëngjente. Dilnin në beden, e ndiqnim me mall, dikush ofshante, ndonjëri përndizej dhe niste t'ia numëronte pjesët e trupit që do t'ia hante po e kapi, kurse komandanti ynë, kur hetonte shqetësimin tonë, kalonte i zemëruar pranë, duke na detyruar t'u ktheheshim punëve të përditshme.

Shpesh ëndërroja vajzën e kolme vendëse që kalonte në kodrën përballë. Me duket që vumë sinjale komunikimi me te. Vjedhurazi hidhte shikimin nga kulla e vrojtimit, kur isha unë në roje, pastaj si e zënë në faj vraponte tutje pas deleve. E shihja i përmalluar, e ndiqja gjatë pasi zhdukej prapa shkurreve. Natën e imagjinoja se si plekseshim, ajo kundërshtonte e mbrohej, unë ngulmoja. Por kjo ishte qetësim i rrallë i shpirtit, pavarësisht që asnjëherë nuk arrita t'i afrohesha vajzës se kolme me flokë të zbërdhylura. Kur kalonin ditë e nuk vinte, vetmia e braktisja ma hante shpirtin.

Fillim dimri, 425 vjet pas Krishtit

Hëna e plotë rrumbullake që doli një natë të kthjellët në mesin e dy majave me la pa frymë. Ishte aq e bukur pamja dhe aq e madhe hëna sa nuk u besoja syve. Mbeta si guhak duke e vështruar. S' dëgjohej gjë në natën e qetë. rojat ecnin pa zhurmë si në lëvizje të ngadalësuara. Me duket që edhe ata vështronin të magjepsur hënën e plotë. Hëna qëndroi gjatë , kurse mua çdo gjë më dukej aq e pazakonshme dhe e bukur njëkohësisht. Shumë vjet më parë pas një beteje të përgjakshme kur të gjithë pushonin, kështu si sonte bëja roje, ndërsa vrojtoja hënën që doli e plotë dhe e përgjakshme. Nga ploja e një dite më parë çdo gjë e skuqur me dukej. Për herë të parë mendova a kishte kuptim vrasja e kaq shumë ushtarëve, pse njerëzit, suleshin, tërhiqeshin, vrisnin më tërbim pa e parë kurrë tjetrin, pa pasur armiqësi në mes veti. Dhe prapë do të suleshin e do të vrisnin edhe po t'i kthenin nga bota e përtejme. Hëna që na shihte nga afër, ishte po aq indiferente me marrëzitë njerëzore. Për herë të parë më përftoi se ne ishim makina vrasëse, se mbillnim vdekjen ngado që shkonim, në emër të një ideje që s'dije ta shpjegoje. Shihja shokët e armëve që flinin pa u brengosur për vrasjet e sotme. Për herë të parë e dëshirova ç'momilizimin, por këtë as mund ta thosha as s' mund ta bëja.
Edhe sonte shokët e mi flinin larg luftës, por të shqetësuar. Në kështjellë ishim cak, objekt sulmi, çdo herë një sy vigjilonte nga errësira mbi ne, kurse maje shtize a shigjete të ngulej tinëz në brinjë.

Marsi,  425 vjet pas Krishtit

Kishte një vjet që nuk na erdhi askush të na zëvendësonte. Duhej të brengoseshim, apo të gëzoheshim?   

Prapë vërshuan lajme shqetësuese për lëvizje të armikut. Dikush tha se vinte nga veriu. Një tjetër ishte i sigurt se lëvizja e ushtrisë së huaj vinte nga deti. Do të ngjitej drejtë alpeve dhe do t'ia behte para kështjellës sonë. E keqja gjithnjë vinte nga veriut: skithët, hunët,apo fiset e hallakatura gjermane silleshin si hiena nëpër kontinentin e vjetër.

Rrinim në pikat e vrojtimit, shihnim tej horizontit dhe prisnim. Askush nuk e dinte  me saktësi çfarë presim? Cili është armiku i ri që na mobilizoi? Nga ndonjë kalorës i rastit a nga ndonjë kumt i rrallë, flitej për një armik mizor që shkretonte krahina. Në tokat e Dardanisë së veriut, tregonin se bënë kërdinë, gurë mbi gurë nuk lanë. Tokat e tjera të Ilirisë rezistonin. Në horizont, nuk shihnim dyndje banorësh, as dyndje ushtrish, mund të jenë vetëm fjalë nga frika. Ne rrimë nëpër kulla në katër ndërrime. Rregullat janë të ashpra, ushtarët që kapem në gjumë gjatë shërbimit, ekzekutoheshin me shpat prapa qafës. Nga tensioni i pritjes kishim ethe edhe kur nuk bënim roje. Flinim me një sy hapur. Ndonjëri ngrihej trembshëm duke folur përçartë, unë bëja një gjumë me makthe. 

Terreni i kështjellës është i rrepinjt, majat e bjeshkëve na rrinin gati sipëri kokës, por pamjen prapa e kemi të mirë, armiku nuk mund të na godas me heshta a shigjeta para se ta kemi hetuar. Lugina është e mrekullueshme, pranverës e verës me gjelbërim të harlisur, në pikun e ditës dhe para perëndimit të diellit dy lumenjtë që kalojnë qetë-qetë, shkëlqejnë si argjend i derdhur. Atëherë me mbërthen malli për vendlindje.

Lugina është e heshtur dimër e verë, zërat nuk na vijnë nga largësia. Vetëm netëve të qeta dëgjohen të lehurat e qenve, pëllitja e lopëve dhe zërat e vetmuar të ndonjë bariu që e kërkon delen e humbur. Dele të humbura e të vetmuara jemi edhe ne ushtarët që ruajmë dhe nuk dimë nga kush ruhemi. Komandanti i fortifikatës na thotë se duhet të jemi të vëmendshëm, ndryshe na përlanë armiku tinëzar.  

Maj i vonë, 424 vjet pas Krishtit

Për dallim nga Lugina e paanë me gjelbërim e ara të punuara, neve na qarkon një ambient i ashpër, me shkëmbij gëlqeror dhe me shkurrishte. Megjithatë visoret janë mbresëlënëse. Në krahun e djathtë është fusha e zhveshur ku dikur thonë se nxorën xehe. Kështjellë shërbeu të ndiqte nga afër shfrytëzimin e xehes e të ruante punëtorët e skllevërit nga sulmet e nga trazirat e brendshme. Xeherorja nuk punonte, shtërzoi damari i argjendit. Kur erdhëm ne, duke i zëvendësuar ushtarët para nesh, na pritën gropat si gojë përbindëshash, tokës i kishin shkaktuar  plagë të mëdha. Sasët, xehetarët e tokave të veriut ikën në ndonjë xeherore tjetër. Thonë në një cep tjetër të Dardanisë
Verës dielli të pjek.  Nën bedenat e kështjellës, s' ke ku e fut kokën. Vjeshtës shirat bien pa pushim. Dimrit erërat ta hanë shpirtin. Në këto stinë banorët nuk i afrohet kështjellës, nuk ka as silueta të tregtarësh me cikërrima. Këmbë njeriu nuk shihet në horizont. Atëherë duhet të zbresim në fshatra me oficerin e furnizimit nëpër një rrugë kalldrëmi, të prishur vende- vende nga rrekëzat e përroskave të rrëmbyeshme. Verës këto vija s' të japin ujë as për të shuar etjen,  vjeshtës e pranverës s'mund të dalësh në anën tjetër nga uji i rrëmbyeshëm, ka rrezik ta rrëmbej kalin më kalorës. Katundarët nuk janë armiqësor. Me Horaciusin shkuam disa herë në dy katundet e afërta. Një herë kaluam pranë një kështjelle të mrekullueshme.

Vjeshta sjell trishtim të madh. Natën kur bëjë roje orët nuk kalojnë fare. I mbështjell me pelerinë, i kruspullosur nga shakullima që me bënë të qajë, e shtrëngoj më majat e gishtave dorëzën e heshtës duke u sjell vërdallë me hapat ushtarak. Shpesh nuk mendoj asgjë, edhe mendimet i kam shpenzuar, ndonjëherë me mbushet mëndja t'ia mbathë, por  nuk e kam idenë nga t' ia mbathi. Në mesin e shokëve të armëve e ndjejë vetën më mirë.

Çdo ditë patrullojmë nga kështjella jonë në Kështjellën e Jerinës. Është një shteg malor i hapur nga barinjtë, por që ne pastaj e shtruam me gurë kalldrëmi. Drekën zakonisht e hamë në Jerinë. Emri i kësaj kështjelle gjithnjë më ka bërë përshtypje, emri i femrës së bukur me legjendën e vet drithëruese me linte pa gjumë, ndonjëherë më dilte në ëndërr me joshje, ose më përzihej me vajzën e kolme, bareshë që nuk shihej më në korie me dele. Kështjella e Jerinës pozitën e ka gati të papushtueshme. Eskorta jonë para muzgut kthehej mbrapshtë, të rraskapitur por të kënaqur që dolëm nga guva. Një herë në javë na bie secilit ta bëjmë këtë  patrullim. Shtrohemi me ushtarët e kështjellës simotër, Përpiqemi të nxjerrim lajme të reja, por nuk i kanë më të shumta nga ne.

Fund vere,  425 vjet pas Krishtit

Në mesnatë u dha alarmi. Isha në gjumë kur e dëgjova britmën e eprorit që i dridhej zëri. Në ethët e alarmit e të  pritjes se mësymjeve ishin tërë kohën. Rrëmbyem armët, ngjeshëm parzmoret e përkrenaret dhe u rreshtuam për mbrojtje. Dikush tha se janë vërejtur lëvizje të dyshimta në maje të bjeshkëve. Tjetri ishte i sigurt se u dëgjuan klithma në luginë sikur hordhi mizore vrisnin e plaçkitnin. Dukej e pabesueshme që nuk dilnin flakët nga vendbanimet, sepse duke i gapërruar sytë nga lugina nga e prisnin armikun, nisem të riprodhonim zëra. Komandanti na siguroi që nga lugina nuk vinte asnjë rrezik, dërgoi tre vëzhgues prapa dy kodrave në veri- perëndim, nisi edhe tre kalorës në luginë. Nuk bëmë gjumë derisa u kthyen dy patrullat. Armët i mbanim pranë.

Pasi ndriçoi horizonti, u duken siluetat në qafë mali. Nuk ishim të sigurt ishin tanët që i nisi komandanti pas mesit të natës apo ishin ushtarë armiq. Shihnim të mpirë e të përgjumur. Vetëm kur nisën të  na e bënin me shenja, u ç'tensionuam. I përshëndetëm më një "urra" të fortë, kurse komandanti urdhëroi të jepeshin shenjat e koduara me tym për kështjellat fqinje të Jerinës, në Sukë e në Qafëmalin e lartë. Rreziku kaloi.

Ngjarja e natës së vonë na ngjalli pak, por ditët sikur i ngjanin njëra-tjetrës. Kotësia e apatia na mbërtheu serish. Askush nuk lëvizte nga qendra. Pa lajme nga kryeqyteti i perandorisë. Si të qe shuar Roma e gjallërisë që t'i merrte mendtë. Isha një herë në Romë, kur hymë triumfalisht pas kthimit nga ekspedita ndëshkuese në Gali. Patëm shumë humbje, por edhe plaçka ishte e madhe, kolona e pafundme e robërve, euforia e romakëve, ne ecnim të pluhurosur e të lodhur nga rruga e gjatë. Festuam shtatë ditë e shtatë net.

E kujtoja shpesh atë festë të çmendur me verë, femra, muzikë e ushqime. I kujtoj shpesh ato ditë në shurdhërinë e kështjellës. Lajmet kundërthënëse e të turbullta na hutojnë, por mungesa e lajmeve e shurdhëria na e paralizon trurin.

Vendësit janë të afrueshëm, na shohin me dashamirësi, prania jonë u krijon siguri, shumë nga ne flasim gjuhën e njëjtë. Kur bisedojmë në të rrallë na pyesin të shqetësuar për lëvizjet e reja të ushtrive barbare në veri. Sikur e kanë humbur besimin në fuqinë tonë mbrojtëse. Me kanë treguar se në të kaluarën vendësit shpesh i kanë kaluar majat e larta, duke i braktisur katundet e qytetet nga mësymjet e ushtrive të huaja. Pasi qetësohej gjendja, me t'u shkrirë ushtritë si pluhuri pas shiut, dardanët e luginës ktheheshin nga malet në rrënojat e shtëpive të djegura. Me vete bartnin emrat e ngulimeve malore që u ofruan mikpritje dhe i shpëtuan. Ia nisnin jetës nga e para. Ndonjëherë  kthimi zgjatej me dhjetëvjetëshe, një brez e ngryste jetën në gërnja e male ku vështirë bëhej jeta.

Megjithëse gatishmëria jonë ushtarake nuk ka rënë, nuk ka rënë as morali, dëshpërimi e përhumbja fshihet në sytë e secilit. Po u përpoqe t'i lexosh ata sy do të kapësh shtangien nga e panjohura, dëshpërimin nga lëvizja e pakët e trupave tonë dhe sytë që kërkojnë përgjigje, ndërsa pikëpyetja u rri në bebëzat e syve. Komandanti përpiqet ta mbajë moralin, na angazhon vazhdimisht në ushtrime, në meremetimin e fortifikatave, në prerjen e drunjve të harlisur që e pengojnë vrojtimin, na jep shpresë se së shpejti do të vi ndërrimi. Disa nga ne, ata më të vjetrit kanë shpresuar në pension, në disa dynim tokë në rrafshinë dhe paqe me zotin e më njerëzit. Por gjërat nuk shkojnë ashtu si dëshirojmë. 

Vjeshtë, 426 vjet pas Krishtit

Mësymja ishte e beftë, e egër dhe e furishme. Nuk e morëm vesh nga dolën, si iu afruan kështjellës? E kapen në befasi rojën e pirgut perëndimor, apo u afruan qe me natë, ndërsa në mëngjes sulmuan. Alarmi na zgjoi. Përgjumshëm rrëmbyem shpatat e shkurtra, dikush mori heshtën, shumë prej nesh në nxitim e sipër nuk e vunë gjoksoren, edhe pse ishte urdhër i prerë që pa gjoksore të mos dilej në formacion lufte.  Ndeshja ishte e shpejt, trup me trup, me britma që të ngjethnin shtatin, me hakërrime e ofshame. Në mësymjet e para grupi armik qëlluan me shigjeta dy rojat e pirgut, njëri vdiq në vend, kurse tjetri u plagos rëndë.

Shpejt e morëm vetën, u konsoliduam dhe nisëm jo vetëm të mbroheshim, por edhe të sulmonim. Komandanti u tregua i shkathët: urdhëroi hapjen e portës perëndimore, një hyrje e harkuar që nuk shpinte askund, më shumë ishte hutim për armikun. Nga pirgu godisnin harkëtarët, por edhe heshtat nguleshin në trupat e armikut. Pastaj dikush hapi  portën e brendshme, renditi një grup prej njëzetë vetash dhe më t'u rralluar mësymësit nga goditja prej së larti, kohorta me mësymje breshke e përgjysmoi dhe e dëboi armikun jashtë portave.

Mësymja zgjati disa orë. Armiku nuk arriti të marr në dorë asnjë kullë vrojtimi dhe as të futet në qendër të kështjellës. Periferia shkëputej me ndonjë pengesë guri, grupet e sulmuesve mbetën të izoluara, nuk qe vështirë t'i asgjësonim. Dikur pjesa e g rupit armik që vrojtonte nga maja e kreshtës nisën të tërhiqeshim. Ne tërhoqëm trupat e të vdekurve nga rrugicat e kështjellës e nga bedeni, disa ishin kacavarur ashtu si i lëshoi shpirti pas goditjes së heshtës a të shigjetës.

Alarmi dëgjohej në dy kështjellat përbri. Thua t'i kenë sulmuar njëkohësisht?

Nga kështjella e  Sukës nuk vinte asnjë shenj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat