“Vajza me kukull” – Klithma e njeriut modern

Kultura

“Vajza me kukull” – Klithma e njeriut modern

Nga: Zija Vukaj Më: 17 maj 2017 Në ora: 00:18
"Vajza me kukull"

Këto ditë u luajt në skenën e teatrit "Migjeni" të Shkodrës monodrama "Vajza me kukull", e autorit Fadil Kraja, me regji të Agron Dizdarit, interpretuar nga aktorja Drane Xhai.

Autori i këtij teksti, shkrimtari ynë i njohur Fadil Kraja ka në opusin e vet krijues një arsenal prej mbi pesëdhjetë veprash dramatike me jehonë dhe sukses mbarëkombëtar, pjesa më e madhe e të cilave janë futur me dinjitet në fondin e artë të dramaturgjisë dhe të teatrit shqiptar. Kraja dramaturg përbën në letërsinë tonë një spikamë, ndoshta më të lartën në gjininë e vështirë të këtij arti letrar e skenik. Me veprat e këtij autori, me mjeshtërinë e regjisorëve dhe me talentin e përhershëm të një galerie të artë aktorësh, teatri "Migjeni" i Shkodrës u bë shkolla e vërtetë e dramaturgjisë shqiptare dhe një vatër madhështore e edukimit estetik, patriotik dhe kombëtar të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të territorit të tyre.

Me talentin dhe intuitën krijuese, ky autor arriti të fiksonte artistikisht dhe të përcillte tek brezat disa nga çastet më të rëndësishme të kondicionit shpirtëror të historisë dhe të traditave të një kombi që aspiron të trashëgojë vlerat e mbijetuara nga historia dhe përmes tyre të krijojë modele dinjitoze për të ardhmen, falë forcës magjike dhe ndikimit të thellë e konkret që ka arti i skenës.

Por krijimtaria e Fadil Krajës është mbështetur jo vetëm në motivet që vijnë nga reliktet dhe lavdia historike e shpirtit të shqiptarit, nga arketipet madhështore të individëve dhe bëmave të tyre, që lartësojnë hijeshinë shpirtërore të racës sonë në rrugëtimin dramatik e fatal të individit, por në shumë raste subjektet dhe motivet e teksteve dramatike të këtij autori ngërthejnë tematika sociale me shtrirje të pakufizuar në hapësirë dhe kohë.

E tillë është edhe vepra "Vajza me kukull". Kjo vepër ka një strukturë klasike, një ndërtim thuajse tradicional, me një narrativë lineare, por me një intensitet dramatik mjaft të ngjeshur. Është drama e njeriut modern, të mbërthyer në qerthullin pa rrugëdalje të një sistemi vrastar, ku fatet e individit kushtojnë pak ose aspak; nëpërkëmbet, përdhunohet e braktiset dhe drejtësia mbetet thjesht dhe vetëm një aspirate, kurse gjykata dhe sistemi gjyqësor bëhet tallja e dytë dhe më e hidhura që rëndon mbi kurrizin e njeriut shqiptar të kohës.

Natyrisht që është një akuzë e fortë dhe e drejtpërdrejtë ndaj realiteteve ku ne jetojmë sot, mbushur me padrejtësi e sidomos mbarsur me zhgënjimin e përgjithshëm ndaj pritshmërive tona shekullore. Por fryma ekzistenciale që përshkon veprën e tejkalon aspektin e përveçëm të dramës deri në tragjedi të një individi të veçantë në një sistem apo vend të veçantë që quhet me një emër të përveçëm gjeografik, duke u bërë drama e çdo individi që ka punë me gjykatën tokësore dhe atë hyjnore.

Kësisoj vepra merr një karakter të përgjithshëm, duke komunikuar me çdo individ që e lexon e sidomos që e shikon të interpretuar në skenë.    Kjo monodramë në fund përcjell një emocion të lartë, por edhe një mesazh që transmeton diskutime të vjetra sa njerëzimi, por edhe të reja sa kohët moderne si: njeriu dhe sistemi; krimi dhe ndëshkimi; ligji dhe morali. Pjesa finale e kësaj drame, që është edhe pjesa më e realizuar artistikisht e tekstit, është edhe kulminacioni i lojës aktoreske. Kjo është edhe (clou-ja).

Realitetet dramatike dalin nga thellësitë e shpirtit të njeriut të viktimizuar nga konseguencat e sistemit dhe të drejtësisë së shtrembër dhe përplasen me forcë në fytyrat e njerëzve që aspirojnë idealet humane.

Gjithë ky tekst dramatik, i cili fillon si pasqyrimi i një historie të thjeshtë personale dhe merr dora-dorës ritmin e një vargu dramash që intensifikohen në tragjedi, është strukturuar në trajtën e monodramës dhe është shestuar në këtë mënyrë edhe nga regjisori Agron Dizdari, i cili është mbështetur në elementë të kursyer skenikë, por mjaft domethënës.    Dizdari është njëkohësisht edhe personazh i padukshëm i dramës, pasi i pranishëm për spektatorin është zëri i tij i bukur e kumbues në rolin e gjykatësit. Një prej elementëve të tjerë skenikë është kukulla, e cila simbolizon ëndrrën e jetës dhe të trashëgimisë së natyrshme që ka çdo femër, çdo vajzë, çdo nënë.

Kësisoj kukulla është një personazh i dytë që transmeton emocion dhe rrit spikamën dramatike të veprës. Pra kukulla është një personazh, një fiksion. Dhe në fakt të gjithë personazhet e letërsisë, në njëfarë mënyre janë kukulla artistike, duke qenë fisione apo konvencione skenike. Dhe ky element i parashikuar dhe i dhënë nga krijuesi i tekstit, duhet thënë se nuk i ka shpëtuar intuitës së hollë të Dizdarit, për ta vlerësuar jo vetëm si element ideo-emocional, por edhe për t'i ardhur në ndihmë lojës intensive të aktores Drane Xhai, si pikë mbështetëse dhe orientuese.

Duhet thënë se aktorja Drane Xhai vjen nga galeria e roleve të humorit, ku është e njohur për suksesin e saj prej dekadash, si njëra prej aktoreve më të spikatura të këtij zhanri. Prandaj interpretimi mjaft cilësor i rolit të Vajzës me Kukull, duke transmetuar emocion dhe seriozitet profesional përbën një sukses për këtë aktore, kurorëzon punën e gjatë në skenë dhe konsolidon profesionalizmin e formuar prej vitesh.

Aktorja ka hyrë plotësisht brenda personazhit, përjeton thellë dramën e vajzës së viktimizuar dhe transmeton me plastikë e çiltërsi maksimale drithërimat dhe klithmën rrëqethëse të njeriut modern, të vajzës së dhunuar e të braktisur në udhëkryqin e fatit të saj tragjik.

Suksesi i kësaj vepre u dëshmua nga pjesëmarrja e gjerë e spektatorit dhe përjetimi i thellë i mesazheve dhe emocioneve që erdhën nga skena.

Image
"Vajza me kukull"
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat