A do ta marrë Musa Ramadani çmimin “Kadare”?

Kultura

A do ta marrë Musa Ramadani çmimin “Kadare”?

Më: 21 maj 2017 Në ora: 22:37
Musa Ramadani

Shkrimtari Musa Ramadani tashmë është ndër kandidatët kryesorë për çmimin ”Kadare”. Siç merret vesh, në rrethin e ngushtë ka hyrë me romanin e tij në dorëshkrim “Profeti nga Praga”, dhe nga studiuesit nga Prishtina po cilësohet si një ndër kandidatët më seriozë që prej se ekziston ky çmim.

Kandidatët për këtë çmim do të vlerësohen nga një juri, në përbërje të së cilës janë emra si Ylljet Aliçka, Mirela Oktrova, Ledia Dushi dhe Agim Baçi dhe Bashkim Shehu i cili është dhe kryetari i jurisë. Ledia Dushi, koordinatore e çmimit Kadare, duke folur mbi punën e jurisë dhe prurjet e këtij viti në konkurrim tha se “në fazën e parë u përzgjodhën 36 vepra nga të cilat 7 vepra ishin nga autore femra. Pas votimit të fshehtë të jurisë u selektuan 6 autorë, disa prej tyre të njohur tashmë dhe autorë të rinj në letërsinë shqipe”.

Çmimi i madh do të shpallet gjatë ditëve letrare të Razmës, që mbahen më 26-27 -28 maj. Këtij evenimenti këtë vit i bashkëngjitet edhe konferenca shkencore për letërsinë, me temë “Kujtesa dhe letërsia”, organizuar nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve për Publikun në UET. Vlen të theksohet se ky çmim asnjëherë nuk i është dhëne ndonjë autori nga Kosova.

Biobibliografia e Musa Ramadanit

 Musa RAMADANI (1944-) u lind në Gjilan. Si fëmijë, bashkë me familjen, nga pushteti i atëhershëm, u deportua në Prizren, ku ka përfunduar një pjesë të shkollimit fillor, për ta vazhduar në Gjilan dhe në Viti. Në Gjilan e kreu shkollimin e mesëm (Shkolla e Nxënësve për Ekonomi), ndërsa në Prizren, Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës shqipe. Nga viti 1965 ka qenë gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”. Shkrimet e para i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i Rinisë”. Çmimi i parë për poezi dhe ai i dyti për tregim, në konkursin letrar të “Zërit…” më 1968, e motivuan që t’i përkushtohet letërsisë.

Më 1972, Musa Ramadani e dërgoi për botim në “Rilindje” dorëshkrimin e librit “Neurosis XX”, por iu refuzua me arsyen se ishte vepër “pesimiste” dhe “nihiliste”. Libri në fjalë u botua një vit më vonë nga vetë autori, i cili i dha epitetin e shkrimtarit avangardist dhe prijësit të poetikës voko-vizuale dhe sinjalistike në letërsinë e Kosovës. Që nga viti 1970 ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe tash i PEN Qendrës së Kosovës. Poezia e Musa Ramadanit është prezantuar në disa antologji shqipe në Kosovë, në Shqipëri, po edhe në gjuhë të ndryshme. Është laureat i çmimit “Hivzi Sylejmani” për librin “Satana ma vodhi gurin e urtisë” më 1987, i çmimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Inamor: 55” në vitin 2000, i Çmimit “Beqir Musliu” për vepër karriere më 2006 dhe i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” më 2013.

Gjatë viteve ‘70-të në Festivalin e Akordeve të Kosovës për kompozime të muzikës së lehtë, fitoi dy herë çmimet e para. Në fillim të viteve ‘80-të ishte një nga themeluesit e Teatrit të të Rinjve, të Fëmijëve e të Kukullave në Prishtinë (asokohe: kryetar i Komisionit Amë) dhe nga fundi i viteve ‘90-të e deri më sot me pasion e kultivoi edhe artin e vizatimit.

Shkrimtari Musa Ramadani, me poezinë e tij herë me shenja biografike, herë me finesa filozofike, shënjon një hap më tutje drejt një avancimi të gjuhës poetike. Kjo dëshmohet te veprat e tij poetike: “Mëkatet e Adamit” (1969),“Thirravaje” (1971),“Neurosis” (1973),“Muzat nuk flenë” (1976), “Alfabeti i neurozave” (1982), “Eugjenika e tri deteve” (1986), “Nostalgjia antike” (1990)  dhe “Mëkatet e E(ha)vës” (2010).

Proza e tij është letërsi e erudicionit të thellë me elemente të theksuara moderne dhe postmoderne. Veprat e tij në prozë janë: “Romani pa Kornizë”, roman (1975), “Fluroma”, tregime (1978), “Zezona”, roman (1978), “Ligatina”, roman (1983), “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, tregime (1987), “Vrapuesja e Prizrenit”, roman (1995), “Antiprocesioni”, roman (1997), “Inamor: 55”, minitregime (2000).

Më 1984 botoi dramën “Moisiu në Unazën e Inflandit”, e cila u inskenua në Tetarin e Gjakovës dhe atë të Prishtinës. Shkrimtari Musa Ramadani, me shkrimet e tij kritike dhe eseistike për teatrin dhe shfaqjet teatrale, ka ndihmuar dhe ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë artistike të dramaturgjisë shqipe në Kosovë. Duke qenë përherë i lidhur me kritikën e teatrit, ai botoi edhe dy libra eseistikë: “Fjala në skenë” (1980) dhe “Premiera shqiptare” (1994). Si përkthyes, në gjuhë shqipe solli autorët: Dino Bucati, Sadek Hedajat, Hajner Myler, Per Lagerkvist, Jashar Kemal, Jezhi Andzhejvevski etj.

Veprimtaria letrare e Musa Ramadanit është vlerësuar nga kritika akademike dhe ajo mediatike. Ajo është shndërruar në objekt studimi e kërkimi për shumë studiues të vjetër e të rinj. Madje, për veprën e tij janë botuar studime monografike.

BIBLIOGRAFIA

Proza

“Romani pa Kornizë”, prozë, Bota e re, Prishtinë, 1975
“Fluroma”, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1978
“Zezona”, roman, Rilindja, Prishtinë, 1978 (Faik Konica, 2003)
“Ligatina”, roman, Rilindja, Prishtinë, 1983 (1989)
“Satana ma vodhi gurin e urtisë”, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1987
“Vrapuesja e Prizrenit”, roman, Dukagjini, Pejë, 1995 (Faik Konica, 2005)
“Antiprocesioni”, roman, Buzuku, Prishtinë, 1997
“Inamor: 55”, minitregime, Buzuku, Prishtinë, 2000

Poezia

“Mëkatet e Adamit”, Rilindja, Prishtinë, 1969
“Thirravaje”, Rilindja, Prishtinë, 1971
“Neurosis”, Botim i autorit, 1973
“Muzat nuk flenë”, Rilindja, Prishtinë, 1976
“Alfabeti i neurozave”, Flaka e vëllazërimit, 1982
“Eugjenika e tri deteve”, Rilindja, Prishtinë, 1986
“Nostalgji antike”, Rilindja, Prishtinë, 1990 (me zgjedhje e parathënie të Ibrahim Rugovës)
“Mëkatët e E(ha)vës”, Pen Qendra e Kosovës, Prishtinë, 200

 Drama

“Moisiu në Unazën e Inflandit”, Rilindja, Prishtinë, 1984

Kritika teatrore

“Fjala në skenë”, Rilindja, Prishtinë, 1980
“Premiera shqiptare”, Rilindja, Prishtinë, 1994

Vepra të përkthyera nga Musa Ramadani

Hedajat, Sadek: Bufi i verbër, Rilindja, Prishtinë, 1977.
Ibrishimoviq, Nexhat: Ogursëzi, Rilindja, Prishtinë, 1988.
Bucati, Dino: Shkretëtira e Tatarëve, Rilindja, Prishtinë, 1981.
Kosmaç, Ciril: Ditë pranvere, Rilindja, Prishtinë, 1977.
Novak, Sllobodan: Kundërmimet, ari dhe temjani, Rilindja, Prishtinë, 1982.
Ugreshiq, Dubravka: Piramida e Emës, Rilindja, Prishtinë, 1990.
Lagerkvist, Per: Mariamna
Myler, Hajner: Fillokteti
Andzhejevski, Jezhi: Askushi
Kemal, Jashar: Legjenda për Araratin
Ibrahimbekov, Maksud: Dhe nuk gjeje vëlla më të mirë
Kovaç, Mirko: Humbella

Çmimet letrare

Dy herë laureat i çmimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës “Hivzi Sylejmani”, më 1988 dhe 2000,
Çmimi “Beqir Musliu” më 2006.
Në vitin 1988, Musa Ramadani u shpërblye për librin me tregime “Satana ma vodhi gurin e urtisë”.
Në vitin 2000, ai u shpërblye për librin me minitregime “Inamor: 55”.
Në vitin 2006, juria e çmimit letrar “Beqir Musliu” e shpërbleu atë për vepër jetësore, me arsye­ti­min se “ka ndikuar në mënyrë vendimtare në moder­nizimin e pothuajse të gjitha zhanreve me të cilat është marrë”.
Në vitin 2013 Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” nga MKRS të Republikës së Kosovës.

Studime për veprën e Musa Ramadanit

Arben Atashi: “Res Publika- Proza e Musa Ramadanit”, Prishtinë, 2008
Kujtim M. Shala: Gjenetika vs Poetika, Prishtinë, 2013

Majeutikë Agron Y . Gashi: Rrëfimet e maestros (Dialog me avangardistin e viteve ’70-të), Prishtinë, 2014

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat