Baleti është arti që ka moshë të kufizuar

Kultura

Baleti është arti që ka moshë të kufizuar

Nga: Albert Z. Zholi Më: 22 maj 2017 Në ora: 15:06
Adela

Adela është një nga balerinat shqiptare më të suksesshme të viteve të fundit. Ajo në skenën e TKOB ka luajtur rolet nga më të bukurat dhe më të vështirat të cilat i ka përcjellë me shumë sukses tek spektatori. Roli i fundit ku ajo ishte primabalerinë ishte tek "Liqeni i Mjellmave" ku fitoi duartrokitje të jashtëzakonshme. Por ajo jep mësime në këtë gjini arti por njëkohësisht merret dhe me koreografi. Në këtë bisedë ajo përcjell për Albanian Free Press, eksperiencat në skenë, vlerësimet dhe suksesin tek "Liqeni i Mjellmave".

- Adela ti tashmë je prima balerinë e TKOB sa e vështirë është për ty? 

Të jesh soliste e parë e teatrit është një përgjegjësi shumë e madhe. Kërkon një punë të madhe dhe rezultate të larta. Jam vlerësuar nga koreografët më me emer si Youri Vamos, Angelin Prelocaj, Agron Aliaj, Daniel Cardoso, Liljana Cosi, Ilir Kerni, Enada Hoxha, Mvula Sungani, Toni Candeloro..etj. Kjo më bën të ndihem krenare për punën dhe rezultatet e mia në skenë. 

-Kush ju mbështeti më shumë nëna apo babai?

Dëshira ka qenë e nënës sime për të nisur këtë karrierë të gjatë dhe të bukur. Jam e lumtur qe sot kam realizuar ëndrrën e saj. Mamaja ime është arma ime me e fort. Ajo me mbështet ne çdo hap te jetës sime. Mamaja ime është gjithmonë me mua ne çdo moment. 

-Shfaqja juaj e fundit ishte "Liqeni i Mjellmave" jeni vlerësuar për një performancë shumë të lartë dhe interpretim shumë të spikatur, kush është çelësi i suksesit tuaj? 

“Liqeni i Mjellmave” është një balet i cili për mua ka qenë gjithmonë shumë i veçantë. Çelsi i suksesit për mua është që unë jam realiste me veten dhe punën time. Kjo gjë më ka bërë të shkoj shumë lart në profesion. 
Punoj çdo ditë dhe kërkesat e larta që kam për veten më bëjnë të arrij atje ku dua. 

- Sigurisht kur ka shfaqje të tilla emocionet janë të mëdha. Po pas përfundimit të shfaqjes si u ndjetë? 

Kur je në sprova të tilla mezi prêt të përfundosh që të shohësh rezultatin. E them me krenari se u ndjeva shumë e lumtur kur duartrokitjet e publikut nuk mbaronin dhe kur personalitete të veçanta ndoqën shfaqjen time me një interes të veçantë. 

- Sukseset dhe medaljet nuk  ju kanë munguar. Vjet keni marr çmimin “Kult” si balerina më e mirë shqiptare për vitin 2016 çfarë do të thotë për ty ky çmim? 

Ishte një vlerësim i madh. Për mua do të thotë shpërblim i punës, talentit dhe performancave të mia. 

-Keni shumë role të realizuara. A keni një rol që parapëlqeni apo cilat nga rolet do veçonit?

Në këtë përgjigje ndalem. E them me bindje se çdo rol ka të veçantën e vetë, specifikën e vet, vështirësitë e veta. Kjo më bën që nuk mund te veçoj askënd, sepse të gjitha më kanë dhuruar emocione të jashtëzakonshme. 

- Cili është baleti më i mirë që keni realizuar? 

Kam realizuar denjësisht shumë balete. Kam treguar në skenë harmoni, përqendrim dhe kryesorja, profesionalizëm në çdo balet.

- Të ndalemi tek kohëzgjatja. Ky është një profesion me kufizim moshe, si e keni menduar të ardhmen?

 Kjo është një e vërtetë. Baleti është arti që ka moshë të kufizuar, por unë kam studiuar për koreografi që kështu edhe të ardhmen time e kam menduar mirë. 

- Jeni supersticioze dhe tek cilat numra, sende apo fenomene besoni?

Ahaaaa, pyetje zbavitëse. Ta them me sinqeritet, nuk jam fare supersticioze, besoj tek vetja ime dhe në punën time. Kjo gjë nuk më ka zhgënjyer në asnjë çast.

- -Njeriu ka dhe s’ka idhuj në jetë, ose më mirë të themi ka dhe udhërrëfyes të së mirës, ju keni të tillë. Apo cilat modele keni ëpr zemër? 
Kjo varet nga njeriu. Në jetën time unë kam punuar me shumë maestro dhe profesor të fushës, dhe kam përfituar nga to mjaft gjëra të rëndësishme që më kanë shoqëruar në karrierën time. Në rrugën time unë kam takuar një mike e cila përfaqëson figurën e një njeriu plotë vlera, mirësi, dashuri. Ajo është vërtet një model për ta mbajtur përzemër. 

- E zhytur tërësisht në botën e bukur dhe magjike të baletit. Përveç Prima balerin keni ndonjë profesion, apo hob që ngjitet në nivelet e një talenti të dytë?

Po ju them me sinqeritet se për mendimin tim nuk mund të bësh shumë gjëra njëkohësisht. Por, përveç baletit unë tashmë jam edhe një mësuese e brezit të ri. 

-Jeta dhe dashuria janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën.  Jeni e dashuruar dhe ç’është dashuria për ju?

 Jeta në tërësi është e veshur me dashuri të shumta. Në tërësinë e saj ka dhe dashurinë shpirtërore. Po jam e dashuruar. Një njeri pa dashuri nuk mund të jetë kurrë i lumtur dhe i suksesshëm në jetë. 

- Një balerinë sigurisht është e lidhur me librin dhe muzikën,  cilat janë lidhjet tuaja me muzikën dhe librin?

Me muzikën sigurisht që kam një lidhje të ngushtë por gjithashtu nuk shkëputem në asnjë çast nga libri. Tek libri gjej histori njerëzore që më frymëzojnë. Muzika më jep qetësi shpirtërore dhe nerv për të ecur në rrugën magjike të baletit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat