Filmat që ta plotësojnë jetën

Kultura

Filmat që ta plotësojnë jetën

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 25 maj 2017 Në ora: 10:51
Filmat e shfaqur në programin kryesor kanë diçka të veçantë: tema, stili, qasja, interpretimi, atmosfera

Festivali i Kanës i ka disa programe: Përzgjedhja zyrtare (konkurrenca për Palmën e artë), Filmat jashtë konkurrencës e projeksionet speciale, Një vështrim (Un certain regard", Kana Klasike, Java e kritikës në Kanë dhe Kana e metrazhit të shkurtër. Nga tetëmbëdhjetë filmat në garë për Palmën e Artë, katër janë prodhim i kinematografisë francezë, katër filma vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy janë koreanë, një film është hungarez, një nga Britania e Madhe,  një austriak, një rus, një ukrainas, një grek, një gjerman dhe një japonezë.

Filmat e shfaqur në programin kryesor kanë diçka të veçantë: tema, stili, qasja, interpretimi, atmosfera. Bie në sy me origjinalitet, dendësia e rrëfimi, kultura filmike e vizueliteti. Derisa filmi amerikan "Mahnitem nga bukuria" (Wunderstruck) i Tod Hajensit (Todd Hayenes) ka në pikëvështrim të shkuarën, duke u përpjekur të takojë brezat, që të shkrijë fatin e tyre në një të përbashkët, filmi francez "Një shkëlqimi i brendshëm", (Un Beau  Soleil Interieur) i Kler Denisit (Clair Denis) me Zhuliet Binosh e Zherar Depardie në rolin kryesor preokupohet me një qasje ndryshe. "Rrëfimet e familjes Mejerovic" të Noa Baumbah paraqet dramën konfliktuale të një familje e cila mblidhet në  përvjetorin e babait.

"Mahnitem nga bukuria" (Wonderstruck), është film i realizuar me 2017 nga Tod Hajnes, i adaptuar sipas romanit me të njëjtin emër të Brian Selznick. Në rolet kryesore luajnë  Oakes Fegley, Julianne Moore, Michelle Williams dhe Millicent Simmonds. Pavarësisht që vepra kinematografike e Hejensit është shtjellim interesante e dinamik i një ngjarje që e ndjek fatin e një familje në disa linja dhe në një periudha kohore, ndonjëherë ka gjerësi epike, filmi ndiqet më një frymë, ka pamje mahnitëse, risi në shtjellim dhe subjekt interesant.  

Hajnes është regjisor dhe producent i pavarur. Ai konsiderohet pionier i lëvizjes filmike "New Queer" që u shfaq në fillim të viteve 1990-ta.

Autori i "Rrëfimeve të familjes Mejerovic" Noah Baumbach është po ashtu regjisor i pavarur amerikan, i nominuar disa herë për çmime prestigjioze. Në rolet kryesore luajnë Adam Sendler, Ben Stiler dhe Dastin Hofman. Filmi është dramë dinamike, e ngjeshur me dialog, e pasur me veprime, e shtjelluar mirë dhe e qëlluar në gjetjen e aktorëve që interpretojnë. 

Ndërkaq, filmi francez "Le Redoutable" i regjisori  Mishel Azanavisijus bënë një homazh, portret për regjisorin e famshëm Zhan Lyk Godarin. Korniza e veprimit vihet në Parisin e vitit 1967-1968, koha e vlimeve të mëdha politike në kryeqytetin francez dhe në Francë përgjithësisht. Godari në filmin e Azanavisijus pas një krize krijuese transformohet politikisht, ndryshon në karakter, duke u bërë ithtarë i flakët i ideologjisë komuniste- moaizmit. Gruaja e tij, miqtë dhe dashamirët nuk e kuptojnë militantizmin e tij, sikurse nuk ia kuptojnë as sjelljet. Shikuesi i sotëm e sheh kolosin e kinematografisë franceze dhe botërore në një dritë të veçantë nga ajo që jemi mësuar ta shohim kryesisht nga filmat e realizuar dhe frymën që e përfaqësonte. Autori i filmit për Godarin niset nga filmi kundërthënës "Kinezja", pas të cilit regjisori i famshëm Goadar pëson lëkundje të pariparueshme.

"120 rrahje në minutë" të Robin Campillo me Nahuel Perez Biscayart, Arnaud Valois, Adèle Haenel, Antoine Reinartz në role kryesore, është vepër tjetër kinematografike konkurrente për Palmën e artë. Drama rrëqethëse për pasionin e dashurinë, për jetën e vdekjen, për dëshpërimin e mashtrimin, të bënë për vete. Përshkallëzimi dramatik ka gradacionet e veta, ka edhe personazhet e portretizuar me mjeshtri, ndërsa sfondi i ngjarjes është Franca e viteve të nëntëdhjeta, atëherë kur një sëmundje e re sida (AIDS) mori përmasa të frikshme, duke u shndërruar në problem të madh social e ekzistencial. Kampillo, francez i lindur në Maroko është skenarist e regjisor, i njohur me filmat  "The Class", "Heading South", "Ata u kthyen", "Eastern Boys", "Time Out" etj.

" Një shkëlqimi i brendshëm", në përkthim të lirë, titullohet film francez (2017), me regji të Claire Denis. Filmi është një përshtatje e tekst të  Roland Barthit. Ka gradacione e përshkallëzime të dramës, ka dialog të gjetur, atmosfera është e veçantë, kurse interpretimi i aktorëve është i mrekullueshëm, veçmas interpretimi i Zhyliet Binosh.

"OKJA" (Okgja) i Bong Jo Ho, filmi në mes të realës e fantastikës, jetës idilike të katundit dhe jetës në metropolen urbane, ka skena të realizuara me kafshët e mëdha-gjigante në pyll apo, në kampin e kafshëve që të ngjanë aq shumë më kampet e përqendrimit. Rrëfimi i lehtë e dinamik, atmosfera e këndshme, që përshkallëzohet me dinamikën e jetës në strese e qytetit të madh. Në rolet kryesore interpretojnë Tilda Svinton, Xhejk Xhilenhal dhe Lili Kolins. Skenat në kamp dhe pamja kur njëra nga kafshët e zëna ia hedh të voglin atyre që shpëtojnë, të zgjon asociacione me fatet e njerëzve që përpiqen të shpëtojnë fëmijët nga gjenocidi, duke u sakrifikuara vet.  

Filmi i autorëve iranian "Teheran tabo", në regji të Ali Soozandeh  i animuar i metrazhit të gjatë na e sjellë Iranin e Homenit e të mullahëve, të cilët e kthejnë qytetërimin iranian në mesjetë, duke e zhveshur nga humanizmi, emocionaliteti e ngrohtësia. Nëpunësit e shtetit janë imoral e të babëzitur, fshihen prapa fesë, ndërsa ia bëjnë njëqind të pabëra pas shpinës e shndërrojnë shoqërinë në dyfytyrëshe, jeta është vështirësuar, ndërsa brenda kësaj kornize zhvillohet jeta e zakonshme e njerëzve të vdekshëm, që vuajnë nga totalitarizmi i ideologjisë fetare.

"Një ditë pas", nga Hong  Kongu, në regji të Hong Sangsoo është një dramë tronditëse për jetën urbane në një qytet kinezë, ku teknologjia e industrializimi e ka tehujësuar njeriun , veçmas të riun, duke i shndërruar në njerëz pa ndjenja që përpiqen të kapin hapin me kohë. filmi ka skena tronditëse, pamje që të emocionojnë, duke të cytur të mendosh për një botë që e njohim fare pak.

"Verner Herzog, idhull i kineastëve të rinj", mbanë titullin një analizë e shtojcës franceze Lë Mond. Ditën që u dha filmi i tij "Bad liutenant 2" salla ishte plotë dashamirës Emri i tij, ndikimi që ka ushtruar dhe simpatia që gëzon bëri që ta presin me ovacione para dhe pas shfaqjes së filmit. Hercog është skenarist, regjisor, autor, aktor dhe drejtor i operës.  Konsiderohet nga figurat më të mëdha të kinematografisë së re gjermane, së bashku me Rainer Verner Fassbinder, Margarethe von Trotta, Volker Schlendorff, Verner Schroter dhe Vim Venders.

François Truffaut, dikur e quajti Herzogun "regjisorin më të rëndësishëm të filmit që është gjallë". Nga revista Time me 2009 u shpall nga 100 njerëzit më me ndikim në planet.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat