Naim Frashëri, apostulli shqiptarizmës

Kultura

Naim Frashëri, apostulli shqiptarizmës

Më: 28 maj 2017 Në ora: 08:04
Naimi dhe Samiu

Naim Frashëri është poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare shqiptare, atdhetar mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare.

Me veprimtarinë e dendur letrare dhe me punën si një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes për çlirim kombëtar ai me të drejtë është cilësuar “frymëzues i të gjithë Rilindjes”, dhe si “apostull i shqiptarizmës”.

Naim Frashëri lindi me 25 maj te vitit 1846 në Frashër të Përmetit ku kreu shkollën fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë ku, së bashku me vëllanë e tij Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea”. Aty ai pati mundësinë të njihej me letërsinë klasike greke dhe romake dhe me historinë moderne të Evropës. Mbi këtë bazë Naimi përcaktoi dhe themelet e botëkuptimit të tij. Në vitin 1870 u kthye në Shqipëri dhe nën ndikimin e bejtexhinjve u dha pas vjershërimit persisht duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash “Tejhyjylat” (Endërrimet, 1885).

Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij i madh, Naimi braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqipe. Virtytet, zakonet dhe mënyra e jetesës së popullit te tij , gjuha, qenë një shkollë e vërtetë për të dhe do t’i jepnin veprës se tij një karakter të theksuar kombëtar dhe popullor.

Mërgimi i gjatë bashkë me mallin për Shqipërinë i dhanë rrugë dhe punës së tij në dobi të çështjes kombëtare dhe veprimtarisë se tij poetike. Poema e tij e parë e re ishte “Shqipëria” ku Naimi shpalli krenarinë për të kaluarën e shqiptarëve, gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhej vendi i tij si dhe dëshirën për ta parë atë të lirë.

Në Stamboll N.Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistave “Drita”, “Dituria”, ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe. Ai i kushtoi vëmendje dhe përpjekje të vazhdueshme orientimit ideologjik dhe politik te intelektualeve shqiptarë, organizimit të lëvizjes kulturore patriotike të mërgimit shqiptar në Turqi. Naimi ka qenë anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit ne Stamboll dhe më pas kryetar i saj.

Në vitin 1886 Naimi botoi poemën e tij të famshme “Bagëti e bujqësi”, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, një poemë në greqisht, katër libra për shkollat; “Vjersha për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja”(në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave “Lulet e verës”, “Mësimet”, proza poetike, “Fjala fluturake”, vjersha dhe së fundi më 1898 poema e madhe epike “Historia e Skënderbeut”.

Për kohën dhe shëndetin e Naimit kjo ishte një punë tepër e madhe dhe shumë e mundimshme, të cilën mund ta kryente vetëm një njeri me vullnet të pathyeshem.

Poeti i madh Naim Frashëri luajti, përkrah Samiut e pas Kristoforidhit, një rol themelor për shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit.

Të shumtë qenë shqiptarët që banonin ose shkonin në Stamboll dhe që e kishin për gëzim të njiheshin e të takoheshin me të. Njëri prej vizitoreve e shprehu kështu mendimin e të gjitheve “I varfer vinja tek Naim beu, i pasur shkonja; i uret vinja, i nginjet shkonja; pa shpresë vinja , kur shkonja ndjenja vetehenë të gjallë dhe me shpirt.”

Ndërsa Sevasti Qiriazi e ka përshkruar Naimin, “me shtat te mesem dhe të imet, por me një fytyrë të qetë dhe me ndjenja të larta, te cilat vetëm një vjershëtor i lindur mund t’i ketë. Pamja e tij ishte ajo e një intelektuali të çuditshem, ai ishte magnet dashurie…”

Naim Frashëri, ka qenë preokupim i përhershëm i një numri të madh studiuesish, të cilët kanë prekur çështje të larmishme që kanë të bëjnë me jetën, veprën dhe shëmbëlltyrën e tij në përgjithësi. Si i tillë, Naim Frashëri sot është një simbol i veçantë kombëtar, që vazhdon të jetojë në kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, në vetëdijen e shumë breznive të lexuesve, studiuesve, kritikëve, jetëshkruesve, historianëve, estetëve etj.

Studimet e deritanishme që janë bërë për jetën dhe veprën e tij dëshmojnë qartë se është krijuar një traditë e lakmueshme, aq më tepër kur merret parasysh fakti se krahas shumë emrave të studiuesve shqiptarë siç janë: Mali Kokojka, Jup Kastrati, Dhimitër Shuteriqi,Alfred Uçi, Qemal Haxhihasani, Shaban Demiraj, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Nasho Jorgaqi, Sabri Hamiti, Ibrahim Rugova, Sali Bashota etj., ka dhe mjaft emra të studiuesve të huaj, siç janë: Norbert Jokli, Nexhip Alpan, Agnia Desnickaja, Robert Elsie etj.

Disa aspekte që lidhen me veprën e Naim Frashërit, siç janë krijimtaria poetike e tij, veprimtaria pedagogjike, botëkuptimi panteist, filozofik, fetar, kombëtar, ndihmesa në fushën e gjuhës, në fushën e përkthimit, lidhjet ndërkulturore, përmasat humaniste, iluministe, ndikimi i krijimtarisë gojore etj., janë vetëm disa shtylla kyç, të cilat vazhdimisht sillen nga studiues të ndryshëm.

Dhe sado që rreth tij janë shkruar dhjetëra e qindra studime, përsëri figura e tij nuk është përmbushur tërësisht. Ndaj dhe kjo figurë e kulturës shqiptare gjithnjë e më tepër bëhet gjithëkohore dhe gjithëjetësore./ATSH/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat