Vlorë: “E bardhë si qumështi, e kuqe si gjaku” çel Netët e Kinematografisë Italiane

Kultura

Vlorë: “E bardhë si qumështi, e kuqe si gjaku” çel Netët e Kinematografisë Italiane

Më: 11 korrik 2017 Në ora: 16:16
Ilustrim

“E bardhë si qumështi, e kuqe si gjaku”( “Bianca come il latte, rossa come il sangue”), me regji të Giorgio Campiotti, ishte filmi që çeli aktivitetin “Netët e Kinematografisë Bashkëkohore Italiane”, në qytetin e Vlorës.

Ky film, që u shfaq në hollin veror të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, u ndoq me interes nga një auditor i përbërë nga grupmosha të ndryshme, veçanërisht të rinj dhe të reja, për shkak të tematikës që trajton.

Filmi vlerësohet si një nga realizimet më të mira të kinematografisë aktuale të vendit fqinj, jo vetëm për shkak të nivelit interpretativ dhe shkallës së realizimit, por edhe për problemet që sjell në fokus, për mesazhet që përcjell. Në qendër të tij, është jeta e të rinjve, marrëdhëniet mes tyre, të trajtuara në një këndvështrim të ngrohtë e realist, duke sjellë në ekran atë çka ndodh në të vërtetë në mjedisin social, ku protagonistë janë nxënësit e një shkolle. Përmes tij marrim mesazhe kuptimplotë, të cilat përcjellin optimizmin për jetën. Të jesh në moshën e adoleshencës, nuk do të thotë se nuk duhet të jesh i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për atë çka duhet të përjetosh, për atë që vjen më pas, për jetën në perspektivë. Në këtë kontekst, marrëdhëniet mes dy të rinjve nuk duhet të bazohen tek pasioni, por tek një ndjenjë e pastër, tek dashuria. Ndonëse finalja e këtij realizimi vjen me një ngjarje të rëndë, përmes saj, ne arrijmë të depërtojmë në një të vërtetë të madhe dhe optimiste që, evokon jetën, rrjedhën e saj të pandalshme.

 Në çeljen e këtij aktiviteti në hollin veror të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, përshëndetën Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, dr. Luana Alita Micheli, si dhe drejtori i Muzeut, Bebi Dobi.

Ky aktivitet do të vijojë përgjatë sezonit të verës, kur do të shfaqen 10 filma të kinematografisë bashkëkohore italiane, në një aktivitet të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti dhe Muzeun Kombëtar të Pavarësisë.

Ky aktivitet, që emërtohet “10 Netët e Kinemasë Italiane”, do të vazhdojë përgjatë 10 javëve çdo të shtunë në mbrëmje dhe 10 filma të përzgjedhur të Kinematografisë Italiane, të titruara në shqip, do të projektohen në hollin veror të Muzeut Kombëtar te Pavarësisë. Ky element konsiderohet një gjetje interesante, për shkak të simbolikës dhe vendndodhjes së godinës së këtij muzeu, në një nga zonat më të populluara veçanërisht në muajt e verës. Kjo përbën edhe një nga faktorët, që impakti i këtij aktiviteti pritet të jetë i dukshëm, tek masa e gjerë e qytetarëve dhe turistëve të huaj dhe nga qytete të tjera të vendit, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin falas produkte të njohura të Kinematografisë Italiane të të gjitha zhanreve.

Mes filmave që do të shfaqen për publikun e gjerë, do të jenë edhe “Se Dio vuole”, me regji të Edoardo Falcone, “Lo chiamavano Jeeg Robot”, me regji të di Gabriele Mainetti, “Belli di papa”, të regjisorit Giudo Chiesa, “La sedia della felicità”, me regji të Carlo Marzzacurati, “Scusate se esisto”, me regji të Riçardo Milani, “Fai bei sogni”, të regjisorit  Marco Belloçhio, “Nuovo cinema paradise”, me regji të Giuseppe Tornatore etj.

Në një nga netët e këtij aktiviteti do të shfaqet filmi shqiptar me metrazh të shkurtër “Kooperative”, i regjisorit Neritan Mehmetaj, që është xhiruar në Vlorë dhe bazohet tek një ngjarje e vërtetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat