Themelimi i Shkollës së muzikës dhe baletit, lajm i gëzueshëm për Malësinë

Kultura

Themelimi i Shkollës së muzikës dhe baletit, lajm i gëzueshëm për Malësinë

Më: 13 korrik 2017 Në ora: 17:45
Tuzi, ilustrim

Malësia  kurrë nuk ka pasur një shkollë të muzikës e baletit.  Themelimi i një institucioni të tillë  shihet si shumë urgjent.  Ka vite që çështja e themelimit  të kësaj shkollë  ka mbetur pezull sepse  institucionet ende nuk kanë realizuar këtë dëshirë të shumë brezave tonë të mëparshëm. Të rinjtë nuk kanë ku ta shprehin talentin e tyre. Sipas ekspertëve të kësaj fushë , ndërtimi i saj  do të ishte dashtë të përfundonte moti. Por, më mirë vonë  se kurrë, thotë populli ynë. Nëse këtë ëndërr nuk e realizuam ne, e as brezat para nesh, le ta realizojnë fëmijët tanë. Ëndrra të bëhesh artist (muzikant a balerin) të ndanë nga çdo lojë fëmijënore.

Fatmirësisht para disa ditësh Ministria e Arsimit solli vendimin për hapjen e shkollës së muzikës dhe baleitit në Tuz. Këtë  lajm të gëzueshëm  dhe të rëndësishëm për Malësinë  e ka konfirmuar   drejtori i Drejtorisë në Ministrinë e Arsimit të Malit të Zi, Marash Dukaj.  “Për hirë të kapaciteve infrastrukturore dhe kadrovike, shkolla fillimisht do të funksionojë si paralele e shpërndarë e Shkollës Artistike për Muzikë dhe Balet “Vasa Paviq” të Podgoricës. Këtë model fillimisht e kishte praktikuar edhe Ulqini, kur hapi shkollën e muzikës, ku për një kohë funksionojë si pjesë e shkollës së Tivarit, e më vonë u pavarësua. Procesi mësimor do të realizohet fillimisht në lokalet e shkollës fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz”, ka thënë  Dukaj. Ai këtë projekt e kishte paralajmëruar  më parë, duke e konsideruar të rëndësishëm për mbarë Malësinë, pasi që, sipas tij, kërkesat ishin të shumta nga prindërit dhe nxënësit e  këtyre trevave.

Duke iu referuar kësaj deklarate premtuese  për një të ardhme  më të mirë për gjeneratat e reja të nacionalitetit shqiptar    erdhi koha që institucionet tona shtetërore  ta kuptojnë rëndësinë e kësaj fushë për kombin tonë, i cili aspiron zhvillim krahas popujve tjerë të Europës dhe Botës. Të besojmë  në këto institucione dhe në ata  që trokasin në dyert e tyre se pa zhvillimin e  shkollave artistike, pa ndërtimin e sallave koncertale, pa ndërtimin e shtëpisë operistike, të mos mendojnë se dikush na çmon aq sa duhet, si popull e si shtet!

Themelimi i kësaj  shkollë do të jetë  një hap i guximshëm, sa edhe i mirëpritur për qytetarët e   Malësisë me rrethinë e më gjerë  në kërkim të shtigjeve të reja të shprehjes skeniko-muzikore. Ajo pritet të jetë një çerdhe  entuzistësh, të drejtuar nga pedagogë profesionistë,  të përkushtuar  në artin e bukur të muzikës dhe kërcimit , të cilët do të japin çdo gjë nga vetja  vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e caktuar , të zhvillimit dhe të krijimit të  artit të mirëfilltë të muzikës dhe baletit në Malësi, si dhe ta përhapin atë në masat e gjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat